Po ndahemi!

Postuar në 06 Korrik, 2026 18:27
Skerdilajd Zaimi

 

Në një intervistë për “Variety” aktori i njohur Dustin Hoffman, ka theksuar se Amerika sot është e ndarë, e përçarë, po aq sa ishte gjatë Luftës së Vietnamit.

Pohimi, pavarësisht këndit dhe optikës nga buron përfaqëson një realitet që nuk mund të injorohet më. Kjo pasi ndasitë në SHBA kanë tejkaluar tashmë figurën polarizuese të Presidentit Donald Trump që sa vjen e i ngjan më shumë një relikeje, një totemi të cilës situata e sotme i refeohet dhe gjen vetëm justifikimet.

SHBA është e ndarë sepse atë nuk ka çfarë ta bashkojë më. As e ardhmja, që është një produkt i garës pa princip dhe kufizim mes dy poleve që nuk bien dakord për asgjë, veç për nevojën e pushtetit, por as për të shkuarë të cilën shumëkush do ta korigjojë, modifikojë, duke e kthyer në materie ideologjike përpara se të jetë gramatika e fakteve dhe ngjarjeve.

Ndarja në rastin konkret, nuk lidhet strikt me idenë e ngushtë të unitetit si qëllim, por për faktin se konsensusi mbi atë që quhet kontratë sociale, ka rënë. Dhe më keq, se për rigjetjen e tij nuk ka më interes, pasi distanca dhe refuzimi ndaj Tjetrit është më i fortë se nevoja për pajtim. Pse? Sepse aktualisht shoqëria e konsumit si fenomenologji totalitare e një marrëdhënieje të re shoqëore me mallin, ka zëvendësuar paradigmën e marrëdhënies me Njeriun, duke zvetënuar kështu gradualisht, por pa ndërprerë çdo raport nga përmbajtja shpirtërore. Dhe kjo e fundit, nuk lidhet me ndonjë besim, apo qasje agnostike, por me një etikë që riprodhon pandalshëm të vërtetat e njeriut, gjendjes së tij, që janë kyçe për ta ruajtur drejtimin strategjik të ekzistencës së tij që është Gjetja e Kuptimit.

Ndarja e sotme, që është globale, nuk ka një arsye të vetën që asociohet me një kauzë, një besim. Ajo nuk është një ndarje konvencionale, me referencë në histori. Ajo është një ikje e njeriut nga një raport skllavërues për identitetin e ti j të ri, që përcaktohet nga një individualizëm ekstrem dhe mëton të jetë i vetëmjaftueshëm pse vepron dhe ekziston nën koordinatat e kudondodhura lëndore, materiale. Ky materialitet është edhe një lloj i ri dasein për qenien sociale, kuptimit të vet për ekzistencën që sa vjen e zhytet thellë në rrjetën e re të një bote që po uniformizohet në kërkesa, oferta, në horizonte dhe shpjegime. Kjo e bën identitetin e ri, ose kuptimin për të kaq depostik, të padurueshëm për çdo invadim nga larmia shpirtërore dhe ideore e së shkuarës. E një jete me njeriun në epiqendër. E një jete që gjenerohej në udhëtim dhe hapësirë të re, kurse sot në mbyllje, kompartimentizim, hermetizëm.

Ndarja pra është sot më e thellë sesa ndasitë ideologjikë të 60 viteve më parë që lidheshin me vizione të tjera të lirisë dhe për lirinë. Pasi sot çështja se si ta menaxhojmë Lirinë që kemi, është shndërruar në çështje kyçe sigurie.

Aplikohet ky shqetësim dhe kjo ligjësi edhe mes nesh në Shqipëri. Apo mes shqiptarëve. Pasi po e shohim se asnjë kuadër ideor, historik apo aktual, nuk i përgjigjet më kërkesave të një shoqërie e cila për herë të parë ka të drejtë për shqetësimet që ngre, pa e ditur megjithatë mirë arsyen për shumëfishimin e tyre. Dhe përmbi të gjitha pa ditur mënyrën e zgjidhjes. Njësoj si në SHBA, ku askush nuk artikulon dot qartë rrugëdaljen.

Kush do të hetojë thellë për këtë që shohim, herët apo vonë do mbërrijë në problemin e kulturës si çelësi që mban në vetvete disa nga përgjigjet për shkaqet e ndarjes së madhe të shoqërive sot. Por jo për zgjidhjet. Sepse është shumë e vështirë, në mos e pamundur të ketë një kuadër përgjithësues afatgjatë, për njësi që i nënshtrohen ndryshimeve të gjithanshme në njësinë e kohës. Që ndryshon referencat dhe përmbi të gjitha që nuk kërkon më në thelb asgjë. Por konsumon kohën e vet validimit të së cilës mundet t’i japë vetëm një kuptim: materialitetin që ushtron tiraninë e vet të pamëshirshme sot në psikologjinë tonë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.