Spanjë/ Ish-ministri i Transportit dënohet me 24 vjet burg për korrupsion

Gjykata Supreme e Spanjës ka dënuar ish-ministrin socialist të Transporteve, José Luis Ábalos, me 24 vjet burg në një rast korrupsioni të lidhur me kontratat e maskave për COVID-19.
Dikur një figurë e lartë në Partinë Socialiste (PSOE) të kryeministrit Pedro Sánchez, Ábalos është shpallur fajtor për rolin e tij në një skemë korrupsioni të lidhur me dhënien e kontratave të maskave gjatë pandemisë COVID-19. Po ashtu, ish-ndihmësi i tij, Koldo García, u dënua me 19 vjet burg dhe biznesmeni Víctor de Aldama me katër vjet e gjysmë.
Vendimi u mor në mënyrë unanime nga një panel prej shtatë gjyqtarësh.
Skema që ministri dhe dy të tjerët kishin krijuar kishte në qendër kontratat për furnizimin me 13 milionë maska për entitetet shtetërore të Spanjës, Puertos del Estado, dhe operatorin e infrastrukturës hekurudhore Adif përmes një kompanie të lidhur me Aldama gjatë fazave më kritike të pandemisë COVID-19.
Gjykata zbuloi se ministri në atë kohë mori një sërë përfitimesh në këmbim të promovimit të interesave të biznesit. Këto përfshinin një pagesë mujore prej 10 000 € për ato që u përshkruan si "shpenzime fikse" të tij, pagesën e kostove të strehimit për një person në rrethin e tij të ngushtë dhe punësimin e dy grave të lidhura me ish-ministrin në kompanitë publike të mbikëqyrura nga Ministria e Transportit.
Me të njëjtën skemë lidhen edhe disa transaksione pasurie të paluajtshme, mes të cilave një marrëveshje qiraje-blerjeje midis Aldama dhe Ábalos për një pronë në Madrid, si dhe marrëveshje të ngjashme që përfshinin shtëpi në Marbella dhe La Línea de la Concepción.
Gjykata i lidhi këto operacione me përpjekjet e ndërmarra në emër të interesave të biznesit, duke përfshirë veprimet që lidhen me publikimin e një deklarate në lidhje me shpëtimin e mbështetur nga qeveria të linjës ajrore Air Europa dhe dhënien e një licence hidrokarburesh.
Vendimi është një goditje e madhe politike për Kryeministrin Pedro Sánchez, edhe emri i tij nuk del në këtë çshtje. Ábalos ishte një nga aleatët më të ngushtë të Sánchez gjatë ngritjes në pushtet të udhëheqësit socialist dhe shërbeu si Ministër i Transportit dhe si sekretar i fuqishëm i organizatës së PSOE-së, një rol që mbikëqyr strukturën e brendshme të partisë dhe makinerinë zgjedhore.
Vendimi i Gjykatës së Lartë është veçanërisht i rëndësishëm sepse është dënimi i parë i madh përfundimtar që përfshin një ish-anëtar të lartë të administratës së Sánchez.

Add new comment