Nga "UÇK-ja pjellë e Beogradit" te protestat në Tiranë. Pse mediat e Tiranës dhe Prishtinës flasin me gjuhën e Serbisë?

Pa asnjë dyshim, protestat në Zvërnec dhe në Rrnjoll janë jo vetëm një reagim i ligjshëm qytetar, por edhe një detyrim moral e kushtetues për mbrojtjen e pasurisë të pakthyeshme kombëtare. Mirëpo, për të kuptuar se çfarë po ndodh realisht me këtë reagim, ne, si publik, duhet të largohemi nga betoni dhe të futemi në marifetin retorik, gazetaresk e mediatik të Tiranës dhe Prishtinës.
Pse duhet të largohemi nga betoni dhe vjedhja e pasurisë kombëtare, e të përqendrohemi në mediat e regjimit të Tiranës dhe të oligarkëve të Prishtinës?
Sot, përballë këtij shqetësimi të drejtë për mjedisin e Shqipërisë, ne nuk po shohim një debat të shëndoshë apo shkencor, por një keqpërdorim dhe manipulim të retorikës nga ana e mediave të rreshtuara me pushtetin e Edi Ramës. Në vend që media shqipe të jetë hapësira ku pasqyrohet e vërteta e tmershme e shqiptarëve, ajo po përdoret si një «kurth mediatik».
Kur populli ngrihet kundër shkatërrimit të ekosistemit, (detit, malit, fushës, lumejve, liqeneve, katundeve dhe qyteteve) makineria e spin doktorëve mediatik vihet në lëvizje për të ndryshuar «kornizën» e konfliktit. Duhet nënvizuar se ai që kontrollon mënyrën se si prezantohet një konflikt apo një problem, kontrollon edhe mënyrën se si konflikti dhe problemi kuptohet nga publiku.
Në këtë rast, për të mbrojtur salltanetin e elitës dhe investimet që bëhen pa kritere shkencore e mjedisore, mediat e Tiranës aplikojnë atë që në shkencat e komunikimit dhe retorikës njihet si «Retorika e demonizimit dhe zhvendosjes së përqëndrimit». Pasi nuk mund të gjejnë argumente logjike për të mbrojtur shkatërrimin, pra betonizimin e egër të Shqipërisë, gazetarët (mediat) sulmojnë karakterin e protestuesve. Kështu, protestën e pastër qytetare për ujin, ajrin dhe tokën, i ngjesin emër si: «majtizëm radikal», «leftizëm i dëmshëm», apo «axhendë e huaj». Kjo nuk është gjuhë komunikimi, kjo është një gjuhë e zbrazët retorike, që synon të mbjellë dyshime tek publiku i gjerë dhe të dobësoj apo fashitë lëvizjet përparimtare qytetare.
Shtrohet pyetja: A po dëshmon ky rast se interesat ekonomike dhe investimet strategjike po marrin përparësi ndaj mbrojtjes së mjedisit dhe zërit të komunitetit lokal?
Po, ky rast është dëshmia e pastër i një modeli ekonomik grabitqar që e sheh Shqipërinë si një hapësirë për t'u copëtuar e betonizuar pa rregulla. Por ajo që e bën edhe më të rrezikshme këtë situatë është strategjia e spin-doktorëve për ta paketuar këtë grabitje industriale si «zhvillim strategjik» dhe për të asgjësuar zërin e popullit përmes teorive të konspiracionit.
Për të kuptuar se sa e rreme dhe manipuluese është retorika mediatike që po hidhet sot mbi protestat kundër betonizimit të Shqipërisë (si rasti i Zvërnecit, Rrnjollit apo revoltave në Tiranë), vlen të kthejmë kokën pas në historinë tonë më të dhimbshme të komunikimit publik: në lindjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë viteve 1997-1998.
E dimë se UÇK-ja lindi si mbijetese e popullit shqiptar për t'u çliruar nga terrori shtetëror i Serbisë; klasa politike, mediat në Prishtinë, në Tiranë, dhe spin-doktorët e gjeo-politikës kundërshtare shqiptare u ngutën ta quanin UÇK-në: «pjellë të Serbisë» «dorë e zgjatur e shërbimeve sekrete serbe», «majtistë», «enveristë», «fundamentalistë islam» apo «njerëz të frustruar». Bile -bile spin doktorët e Beogradit në Prishtinë dhe Tiranë sulmuan edhe moralin e UÇK-së: «Nuk janë çlirimtarë, janë marksistë-leninistë, janë dorë e zgjatur e UDB-ës serbe për të dëmtuar rrezistencën paqesore»! Ju kujtohet, të nderuar lexues? Mua po!
Propaganda funksionoi aq mirë, saqë arriti të lëkundë (përkohësisht) besimin e vetë shqiptarëve tek ushtria e tyre. Qëllimi i asaj retorike nuk ishte e vërteta; qëllimi ishte ruajtja e status-quo-së dhe salltanetit politik të kohës, duke i lënë serbët të sundonin dhe shqiptarët të vegjetonin.
Edhe sot, saktësisht e njëjta kopili manipulimi mediatik e retorik po përdoret në Tiranë dhe Prishtinë. Për të shpëtuar (Pa)Kryeministrin Edi Rama dhe projektet e tilla kolonizuese, si ky i Zvërnecit, Rrnjollit apo mbrojtjen e oligarkisë, mediat dhe analistët e oborrit të Ramës dhe të bllokut opozitar në Prishtinë, kanë filluar një fushatë të egër e të fuqishme retorike kundër protestave që po mbahen anë e mbanë Shqipërisë; Kjo aleancë e dreqit tenton të manipulojnë publikun duke thënë se pas këtyre protestave anti-regjim fshihet «Greqia», «Serbia», «myslimanët fanatikë që urrejnë Izraelin», «antiamerikanët», «marksistët», «leftistët», «antikapitalistët» apo «grekofil të paguar nga qarqet e huaja»
Kjo kurthë e ky manipulim njihet fort mirë: Kur regjimi nuk mundet të mbrojë me argumente (keq)veprimin e vet (betonizimin dhe ndërtimin e egër pa studime mjedisore), ai shpikë një armik të jashtëm (dhe të brendshëm) gjeo-politik për të trembur publikun dhe për të delegjitimuar protestën paqesore të popullit. Në të dyja rastet, pushteti aplikon të njëjtin rregull të propagandës: Kur nuk mund të vrasësh dot kauzën, pushkatoje karakterin e atij që e mbron atë.
Pra, media e oborrit të Ramës tenton të frikësojë popullin, t'i bëjë ata dyshues ndaj protestës dhe të shpëtojë figurën e Edi Ramës dhe oligarkisë që po e shet Shqipërinë me copa-copa. Retorika ka ndryshuar aktorët, por skenari mbetet i njëjtë: kushdo që prek interesat e elitës financiare, shpallet tradhtar i rreshtuar me «armiqtë e bredshëm dhe të jashtëm» të kombit.
Në epokën e sotme mediatike, ku komunikimi bëhet me fotografi, ndjenja dhe elemente teatrale të futura së bashku në televizion e media sociale, folësit e pushtetit shkrihen me publikun, hyjnë në shtëpitë e shqiptarëve, me zëra të butë «prindërorë», për të shitur si» përparim» dhe «ardhmëri» atë që në fakt është shkatërrim i të ardhmes së popullit shqiptar. Prandaj, Zvërneci, Rrnjolli, lumi Vjosa, Durrësi, Golemi, Vlora, Kepi i Rodonit etj., nuk janë sall luftë për mjedisin; është betejë mes të vërtetës qytetare dhe propagandës së rreme mediatike që po betonizon dhe eksploaton Shqipërinë për interesa të ngushta familjare, klanore të një grushti njerëzish.

Add new comment