Lideri i vetmuar serb

Postuar në 27 Maj, 2026 20:55
Skerdilajd Zaimi

 

Aleksander Vuçiç do të kujtohet si njeriu që vodhi të ardhmen e Serbisë!

Kështu është shprehur së fundmi, Dragan Gjilas, kreu i partisë opozitare serbe, “Liri dhe Drejtësi”. Përmes një deklarate të shkruara, ai ka sjellë në vëmendje suksesin e Malit të Zi dhe të Shqipërisë që kaluan vlerësimin pozitiv të raportit IBAR, një fakt që sipas tij e vendos Serbinë në fund. E vendosur në perspektivën europiane, gjuha e opozitarit serb legjitimohet kur kërkon zgjedhje të ndershme, media të lirë, sundim të ligjit dhe goditje të krimit të organizuar.

Ajo që kërkon Gjilas është të këmbejë Lirinë dhe Demokratizimit me sigurinë dhe stabilitetin aktual që ofrohet nga shumica e Vuçiç. Është një bast shumë delikat dhe i rrezikshëm pasi 35 vitet e fundit i mësuan vendeve tona se Liria dhe Demokracia, edhe kur janë pjesë e ligjërimit, edhe pse tingëllojnë më të drejta dhe fisnike, nuk vetërealizohen. Ato nuk sjellin ndonjë ndjeshmëri automatic në shoqëri, nëse nuk veprohet.

Përkundër këtij aspekti prej nga ku është pozicionuar strategjia e opozitës serbe, e lënë në baltë deri diku nga BE-ja gjatë gjithë këtyre dy viteve, shumica e Vuçiç, ka vepruar si zakonisht. Duke qenë se nuk ka marrëdhëniet publike që do të donte me BE-në, Vuçiç ka nisur një hapje diplomatike shumëplanëshe duke ushqyer sërish idenë e multilateralizmit dhe neutralitetit.

Agjencia shtetërore “Tanjug”, raporton për disa takime të zyrtarëve serbë me përfaqësues të ndryshëm të vendeve të botës, me të cilët prezantohet nevoja e bashkëpunimit të thellë.

Ministri I Jashtëm, Gjuriç, deklaronte se Serbia mbetet një shtyllë rajonale dhe ndërkombëtare e mbrojtjes së Kartës së OKB-së, Brnabiç njofton vizitë në Spanjë, më tej një takim I nivelit të lartë me drejtuesin e Gazprom-it rus, bashkëpunim me SHBA në fushën e energjisë, takime politike me përfaqësues kirgizë, kinezë, kanadezë. Mungon vetëm Europa. Nga e cila Serbia e sotme do të largohet për shkak të presionit politik mbi pushtetin ekzekutiv dhe natyrës së tij.

A është kjo një ndarje e re e Serbisë, apo kemi të bëjmë me një izolim momental që lidhet edhe me ndryshimet që po vijnë nga Ukraina, apo Hungaria?

Është herët për të folur, por duke parë mënyrën sesi lexohet marrëdhënia me Europën dhe vlera e kësaj të fundit në prezantimin si “fuqi e të mirës”, do të duhet të shihet se ai që Gjilas e quan sukses të Shqipërisë dhe Malit të Zi, është në fakt një çështje e realizmit politik. Sot Europa po miraton kalimin drejt një faze të re të Shqipërisë, që ndodhet në një ndër momentet me të vështira, ku korrupsioni dhe krimi janë po aq sistematikë dhe sistemikë sa në Serbi.

Dallimi është se Tirana zyrtare ka gjuhën ndryshe, qoftë për shkak të karakterit të pushtetit këtu dhe kufinjve të tij, aq edhe një etike servi që persiston tashmë si tipar dallues. Më tej akoma, Shqipëria nuk ka ndonjë histori për të mbrojtur me Europën, ajo madje e ka shitur historinë e vet tek Europa, kur njerëz si Edi Rama flasin për Shqipërinë si Kore e Veriut të Europës, duke mos kuptuar se historia e një vendi nuk këmbehet dot me asnjë kredo politike.

Serbia ka se çfarë të mbrojë dhe pse të mbrojë, ndërkohë që Vuçiç po I përgjigjet presionit me realizmin e vet politik dhe përpunimin e një politike shumëpalëshe, që edhe sikur të jetë për nevoja imediate të daljes nga izolimi dhe shtrëngimi, janë në vazhdën e qasjes strategjike të Beogradit përta parë botën me sytë e Serbisë dhe jo Serbinë me sytë e botës.

Serbia është një vend që do të luajë një rol në rajonin tonë dhe në të vërtetë i takon ta luajë. Ajo edhe në këtë shekull po mbetet i vetmi subjekt që mendon për autonominë dhe lirinë e vet politike. Dhe kjo dikur do ta shpërblejë, edhe pse koha kalon dhe politika siç e njohëm, po zhbëhet. Liria si vlerë universale po kalon në katalogun e vlerave historike të një qytetërimi dhe njerëzit po rendin të zhvishen nga kostumet e vjetra për të adoptuar t-shirtin global të konsumatorit.

Ne mund të shqyrtojmë si të duam qasjen e një shoqërie, por mirë apo keq, konservatorizmi i Vuçiç – jo korrupsioni dhe krimi i tij – ka një vlerë të vetën që duhet konsideruar dhe interpretuar edhe si mjet për të inventarizuar identitetet historike, por edhe për t’i ripërshtatur ato me kohën. Pa lejuar që të bihet në gropën e madhe të unifikimit sasior. Vuçiç vet dhe të tjerët pas tij nuk janë ideatorët, ata janë pësues të një kulture që është në restriksion të përgjithshëm, por që herët apo vonë do të rikthehet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.