Cilin kriter përmbushte Bajram Begaj për t'u bërë President?

Postuar në 03 Prill, 2026 23:29

Në një seancë të zhvilluar sot në Gjykatën e Posaçme është shqyrtuar kërkesa e Erjon Veliajt për pavlefshmërinë e dekretit të presidentit për emërimin si prokuror të Olsi Dados. Gazeta “Tema” e cila ofron për pafajësinë proceduriale të Veliajt shërbime mamie, infermierie, anestezie, korrekturë, propagandë dhe agjitacioni, nën koperturën fisnike të kthimit të drejtësisë në shina, ndër të tjera raporton se:

Ajo çfarë më bën përshtypje është se avokati i referohet një neni të ligjit, por në atë kohë propozimet bëheshin nga prokurori i përgjithshëm, vlerësimi i kandidaturave nga Këshilli i Prokurorisë dhe presidenti ishte hallka e fundit. Në arkivën tonë ka vetëm një dekret, nuk ka një relacion…Me kaq dokumentacion, në këtë kohë nuk do të ishte dekretuar, por në atë kohë ne nuk e dimë si ka qenë ligji

Pra presidenca e sotme vëren se Olsi Dado nuk përmbush kriteret ligjore për të qenë aty ku është.

Duhet të jesh erjon veliaj apo temaxhi qoftesh që ta shquash këtë për argument pasi arresti i Veliajt është konfirmuar me disa vendime gjykatash.

Ka një Inspektor të Lartë Drejtësie, të cilit mund t’i kërkohet diçka, përpara sesa të bëhet gjyqi publik. Por Veliajt dhe temaxhinjve të Tiranës u intereson zhurma që tani ka gjetur edhe një zile të nikeluar te Kryetari i Gjykatës së Lartë që vjen vërdallë me të drejtat e njeriut në zemër.

Më qesharakët sërish mbeten përfaqësuësit e Presidencës, po ata që këshilluan dekretimin e VKM-së së shfuqizuar për shkarkimin e këtij Veliaj që sot kërkon të ekspozojë gjëra pa vlerë.

Le të pyesim: në cilën botë normale do ishte President Bajram Begaj? Cilin kriter përmbush ky që të përfaqësojë unitetin tonë? Pasi ne e ndjejmë se ai përfaqëson shakanë e hidhur të stallave të politikës prej nga e nxorën.

Me cilin kriter u bë kryetar bashkie Veliaj? Vetëm me një: se dontë Edi Rama dhe e votoi PS.

Nuk po pyesim se cili është kriteri i pasurimit të gazetarëve të ndryshëm, pasi të llapurit është tregu i vetëm i lirë në këtë vend.

Procesi ndaj Veliajt mund të ketë të meta. Por asnjë e metë nuk zhbën faktin se ai e ka vendin në burg madje për më shumë se 27 vjetët që llogariti për veten. Bashkë me Redaktorët që i transfuzojnë sintaksën e kauzës për drejtësi të cilën e interpreton në mënyrë po aq skizoide sa edhe detyrën e kryebashkiakut.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.