Në burg, por me Drejtësi jo Procedurë

Postuar në 07 Shkurt, 2026 12:37
Skerdilajd Zaimi

 

Ka një debat mbi vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku. Zhurma lidhet me raportin 4:4 në Gjykatë që implikon pamundësi të zgjidhjes kushtetuese të konfliktit të krijuar në këtë kuadër. 

Një pjesë e anëtarëve thonë se masa e pezullimit prek funksionin politik kushtetues të ministrit, ndaj ajo vepron njësoj si heqja e imunitetit në intensitet.

Një pjesë thotë se autorizimi kërkohet për arrestimin dhe kontrollin e banesës, duke iu përmbajtur tekstit të Kushtetutës që nuk flet për masën e pezullimit edhe nëse pasoja e saj pamundëson ushtrimin e funksioneve të ministrit. Më tej me interes është vlerësimi i bërë se:

Në këndvështirm të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, çështja e shtimit ose ndryshimit të mekanizmave balancues, ku përfshihen garanci të tilla, i përket vlerësimit të ligjvënësit kushtetues

Thënë kjo do pranuar dy gjëra: se Gjykata bie dakord për përgjegjësinë ligjore të ministrit, çka e zgjidh në një anë kompleksitetin deri diku artificial të autoritetit kushtetues të tij. Dhe se për çështjen e imunitetit Kushtetuta ka shkruar atë që ka shkruar. Për rrjedhojë katërshja që është kundër vendimit të GJKKO-së bën interpretim të pasojave pa patur dispozitën. Ajo i referohet frymës së ligjit themeltar, por edhe këtu ligjvënësi për sa i takon imunitetit ka ecur në drejtim të zvogëlimit të tij. Pra një shtesë në Kushtetutë për pezullimin do të binte ndesh me qasjen e deritanishme.

Për çfarë bëhet zhurma atëherë?

Zhurma bëhet për faktin se pezullimi de facto krijon potencial për krizë politike. P.sh nëse kryeministri do të jetë i detyruar tani të shkarkojë një vartëse të vetën për shkak të një autoriteti tjetër. Në sytë e tij kjo është ndërhyrje nga një pushtet tjetër. Mirëpo z. Rama ka një problem serioz me kuptimin e disa gjërave. P.sh ai thoshte se nuk i takon një prokurori të flasë për cenim të sigurisë kombëtare në rastin e çështjes së bazës së Sarandës. E vërtetë. Por prokurori apo gjykata flasin për këtë temë në lexim dhe interetim të ligjeve në fuqi, që janë detyruese për ta, jo për pjesëmarrje në ndonjë konkurs të jurisprudencës. Ligji është normë me fuqi juridiksionale të përgjithshme në sytë e gjykatave dhe nuk ka asnjë model që ta përjashtojë gjykatën nga gjykimi dhe prokurorinë nga hetimi. Kush e gjykon z. Rama nëse shkel ligjit për Këshillin e Ministrave?

Në anën tjetër, gjendja e krijuar i jep të drejtë prokurorisë në një aspekt publik, pasi tashmë po ngjan se çështja “Balluku” është betejë e fituar e SPAK. Dhe sikurse shprehen zëdhënës pranë z. Rama kjo kauzë ka bekimin e partnerëve ndërkombëtarë që kanë toleruar dorën e fortë të hetimit penal. Si kështu? Mesa duket hyrja e Shqipërisë në BE është më në fund interes strategjik i dikujt dhe për ta justifikuar atë duhen ca kurbane. Fundja në një republikë që është çdo gjë: e prokurorëve, e bananes, e Edi Ramës dhe e ambasadave, nuk ka gjë të keqe pse vendosim edhe një medalje të re.

Përtej çdo miratimi për arrestime dhe burgosje politikanësh të cilëve u duhet marrë edhe pasuria, situata e krijuar kërkon rregullim urgjent. Këta që flasin sot, po flasin për paratë e tyre dhe frikën që kanë, pasi drejtësia në Shqipëri për njerëzit ka qenë një torturë. Pse asnjë prej politikanëe nuk kanë çshtje civile, ato që i nxijnë jetën njerëzve të thjeshtë?

Kërkon rregullim sepse flitet për të drejtat që duhen respektuar dhe mbrojtur. Politikanët si Balluku dhe Veliaj apo edhe Edi Rama do kapen te procedura sepse aty shpresojnë se do marrin pafajësi. Ndërkohë që përgjegjësia e tyre është evidente. Por nuk mund të shpresohet për drejtësi nëse ndërsejmë veten ndaj viktimës së radhës. Duhet të ftillohemi se qeverisemi prej vitit 2013 nga një idiot i lindur që ndryshoi Kushtetutën se ia kërkuan amerikanët, bëri SPAK se ia kërkuan amerikanët, përmbysi çdo gjë në sistem se ia kërkuan amerikanët dhe tani duhet të hajë atë gjellë që i kanë përgatitur amerikanët që gjetën një hajvan të gatshëm të ngrejë dorën për çdo gjë. Kjo nuk mund të vazhdojë gjatë. Edi Rama dhe sorollopi i tij duhet të shkojë në burg përjetë, por me procesin më të rregullt të mundshëm që të mos ketë më asnjë demkë, historian, apo zhgarravinë që të relativizojë fajin e tyre. Dhe me sorollop duhet patur parasysh edhe gazetaria e shakaxhinjve dhe delexhinjve që kanë ndotur një vend të tërë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.