Smartfonët na kanë marrë shumë nga vetja – a ka kthim pas?

Postuar në 01 Shkurt, 2026 11:55
Will Storr*

 

Në vitin 2003, sociologu i Universitetit Stanford, BJ Fogg, botoi një libër jashtëzakonisht largpamës. “Persuasive Technology: Using Computers to Change What We Think and Do” parashikonte një të ardhme ku një studente “ulet në bibliotekën e kolegjit dhe nxjerr nga çanta një pajisje elektronike”. Ajo shërben njëkohësisht si “telefon celular, portal informacioni, platformë argëtimi dhe organizues personal. Studentja e merr këtë pajisje pothuajse kudo me vete dhe ndihet e humbur pa të”.

Sipas Fogg-ut, pajisje të tilla do të ishin “sisteme teknologjike bindëse… pajisja mund të sugjerojë, të inkurajojë dhe të shpërblejë”. Këto shpërblime, argumentonte ai, mund të kenë një ndikim shumë të fortë në marrëdhënien tonë me këto pajisje, të ngjashëm me mënyrën se si lojtarët e bixhozit ushqejnë makinat e fatit me monedha.

Katër vite më vonë, Apple prezantoi iPhone-in e parë. Në Universitetin e Stanfordit, Fogg drejtonte “Behavior Design Boot Camps”, të cilat revista Wired i përshkroi si “tollet e pagesws për sipërmarrësit dhe dizajnerët e produkteve, në rrugën e tyre drejt Facebook-ut dhe Google-it”. Pikërisht aty, Fogg e vërtetoi në mënyrë spektakolare teorinë e tij: kompjuterët portativë vërtet mund të përdoren për të “ndryshuar mënyrën se si mendojmë dhe veprojmë”.

Siç rezulton, një nga mënyrat kryesore se si e arrijnë këtë është duke na shtyrë të kalojmë orë të tëra përpara ekraneve. Sot, ankthi për kohën e kaluar para ekranit është i përhapur në të gjitha brezat. Sipas Ofcom-it, gati një e katërta e fëmijëve britanikë nga pesë deri në shtatë vjeç kanë telefonin e tyre, ndërsa 38% përdorin rrjete sociale. Por nuk janë vetëm më të vegjlit: po aq lehtë, edhe më të rriturit mes nesh kalojnë orë të tëra me telefon në dorë. U habita kur zbulova se mesatarja ime ditore i kalonte katër orët – kryesisht para dhe pas gjumit, duke shfletuar faqe lajmesh dhe YouTube.

Në botën akademike ka një debat të madh rreth ndikimit që telefonat inteligjentë dhe aplikacionet e rrjeteve sociale po kanë tek ne. Psikologë si Jonathan Haidt dhe Jean Twenge argumentojnë se ato i bëjnë fëmijët më të predispozuar për ankth, më të brishtë dhe më të prirur ndaj depresionit, si edhe përforcojnë polarizimin politik. Të tjerë, si Pete Etchells dhe Amy Orben, mendojnë se provat për këto pretendime janë të dobëta.

Unë prirem të besoj se efekti i shpikjes brilante të Apple-it, i kombinuar me “gjeninë e errët” të Fogg-ut, ka qenë i thellë. Marrëdhënia ime me këto pajisje është bërë kompulsive: kur nxjerr qentë për shëtitje dhe e kam lënë telefonin në shtëpi, e gjej veten duke futur dorën vazhdimisht në xhepin bosh, sikur krahu të lëvizte pa vullnetin tim. Lexoj më pak libra për shkak të rrjeteve sociale; përqendrohem më pak te filmat dhe serialet. Shikoj YouTube më shumë sesa BBC, ITV apo Channel 4. Kam kaluar periudha kur e kam detyruar veten të përdor një telefon thuajse pa aplikacione, por komoditeti – dhe shpesh domosdoshmëria – e hartave, aplikacioneve të parkimit dhe biletave të trenit më ka detyruar të rikthehem sërish te ai.

Megjithatë, telefoni im inteligjent e ka ndikuar jetën time shpesh në mënyra negative. Bota ku zhytem përmes tij më ka bërë mua – dhe me shumë gjasë edhe ty – më të zemëruar. Ky është përshtypja ime kryesore për mënyrën se si ka ndryshuar bota që nga viti 2007: jemi të gjithë shumë më të irrituar me njëri-tjetrin. Dhe, sinqerisht, fajin ua vë telefonave. Njerëzit janë thellësisht qenie sociale dhe janë “të programuar” ta zgjidhin jetën duke u bashkuar në grupe bashkëpunuese. Kur ndihemi pjesë e diçkaje dhe të vlerësuar, jemi të lumtur; kur ndihemi të izoluar dhe pa vlerë, bëhemi të ankthshëm dhe të dëshpëruar.

Telefonat inteligjentë i kanë shndërruar këto tipare të fuqishme të natyrës njerëzore në lojë dhe në biznes. Ata nuk na ofrojnë thjesht dhe me mirësi lidhjen dhe statusin që kërkojmë; përkundrazi, i tërheqin ato me qëllim, për të na mbajtur sa më të angazhuar. Sa herë zemërohemi nga sjellja e një grupi me të cilin nuk identifikohemi, kjo përjetohet si një sulm ndaj statusit tonë: na tërheq edhe më shumë drejt telefonit për të mësuar më tepër dhe, ndoshta, për të marrë pjesë në një kundërsulm – një përpjekje për të rikthyer statusin e kërcënuar dhe për të forcuar lidhjen me “ekipin” tonë. Ndihemi mirë apo keq në varësi të pëlqimeve, rishpërndarjeve, komenteve apo numrit të ndjekësve, por telefoni i shpërndan këto shpërblime të çmuara në mënyrë të paparashikueshme, njësoj si një makinetë e lojërave të fatit – pikërisht ashtu siç e kishte përshkruar Fogg. Dhe është kjo paparashikueshmëri që i bën ato kompulsive.

Për ne, qenie thellësisht sociale, një pjesë e madhe e jetës sonë shoqërore zhvillohet tashmë brenda aplikacioneve të dizajnuara për të manipuluar, përmes konkurrencës sociale dhe konflikteve tribale. Nuk është çudi që jemi të lodhur, të zemëruar dhe dyshues ndaj njëri-tjetrit. Por, të paktën, sot kemi një vetëdije më të madhe për këtë realitet. Së fundmi, më shumë se 60 deputetë të Partisë Laburiste i kanë bërë thirrje kryeministrit të ndjekë shembullin e Australisë, ku përdorimi i rrjeteve sociale është ndaluar për personat nën moshën 16 vjeç.

Rutina ime me rrjetet sociale ka ndryshuar kryesisht sepse vetë platformat janë bërë të padurueshme. Instagrami – ku dikur postoja foto dhe kënaqesha me ato të miqve dhe kolegëve – tani më detyron të shoh pafund video të shkurtra nga njerëz bezdisës, për të cilët nuk kam asnjë interes. Facebook-u pothuajse nuk shfaq më lajme nga miqtë dhe familja; në vend të tyre është kthyer në një lumë të ndotur memes-sh të mjera dhe debatesh pa kuptim. Ajo që dikur ishte Twitter – një mjet i dobishëm për promovimin e punës sime – është zëvendësuar nga X dhe Bluesky, të dyja të pavlera për këtë qëllim dhe si enë laboratori për anën më të shëmtuar të sjelljes njerëzore.

Megjithatë, ajo që po vjen më shqetëson. Mënyra e trashë dhe e ekzagjeruar se si modelet e mëdha gjuhësore (LLM), si ChatGPT, u ledhatojnë egot përdoruesve për t’u dhënë një ndjesi statusi, për momentin duket disi qesharake. Por LLM-të janë ende në fillimet e tyre dhe do të përmirësohen me shpejtësi. Psikologjia njerëzore është jashtëzakonisht e manipulueshme – diçka që qentë e kanë mësuar gjatë dhjetëra mijëra vjetëve, ndërsa mashtruesit romantikë e kanë kuptuar brenda vetëm 20 vjetësh. Siç e parashikoi BJ Fogg: “sugjero, inkurajo dhe shpërble”, dhe ne do të bëhemi të tutë.

Pajisja që thuhet se po zhvillohet nga Sam Altman dhe Jony Ive – një shok artificial që mund ta mbash veshur, që do të na shoqërojë gjatë gjithë ditës, duke na mësuar, ndihmuar dhe duke na thënë sa të mrekullueshëm jemi – ka potencialin të depërtojë thellë në mendjet tona dhe të shndërrohet në një marrëdhënie që mund ta perceptojmë si thelbësore dhe të thellë. Një shembull ekstrem i teknologjisë që mund të “ndryshojë mënyrën se si mendojmë dhe veprojmë”.

*Will Storr është shkrimtar dhe gazetar britanik, si edhe ish-fotograf. Ai ka qenë redaktor bashkëpunues në Esquire dhe GQ Australia. Shkrimi është botuar në The Guardian. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.