Gjurmët e përjetshme të Sophia Loren në Hidra

Postuar në 25 Janar, 2026 22:52
Ioanna Fotiadi

 

Ishte fundi i shtatorit të vitit 1956 kur një lajm i padëgjuar më parë prishi ritmin e qetë të jetës në Hidra. Fjala u përhap me shpejtësi nëpër rrugicat e ngushta prej guri të ishullit: një film amerikan do të xhirohej atje.

Një film amerikan do të xhirohet në ishullin tonë! Dyqanet dhe tavernat do të mbushen plot; Hidrën do ta njohë e gjithë bota,” kujton 87-vjeçari Giannis Gavalas, i cili ka jetuar në ishull gjithë jetën e tij. Ai i mban mend ngjarjet qartë, “sikur të kishin ndodhur dje”, me zërin që të sjell ndër mend lajmëtarët e dikurshëm që e përçonin haberin rrugë më rrugë.

Jeta e përditshme në Hidra pas luftës ishte e vështirë. Për shkak të mundësive të pakta të punësimit, shumë banorë ishin shpërngulur në portin e Pireut, ndërsa të tjerë kalonin periudha të gjata në det. Turistët ishin të rrallë dhe vështirësitë ekonomike ishin të përditshme. Pamja kozmopolite e sotme e ishullit ka pak mbetje të asaj jete, por banorët më të moshuar i kujtojnë shumë mire ato kushte të vështira.

Mbërritja e kastit të filmit “Boy on a Dolphin”, produksion i studios 20th Century Fox shënoi një pikë kthese. Filmi ndryshoi rrjedhën e historisë së Hidrës, duke ia prezantuar ishullin publikut ndërkombëtar dhe duke hedhur themelet e identitetit të tij të ardhshëm si destinacion kulturor dhe turistik.

Sophia Loren i solli fat ishullit, dhe ne i sollëm fat asaj,” thotë Gavalas duke buzëqeshur. Ish-kapiten i marinës tregtare, muzikant dhe poet në pension, ai shpesh reflekton mbi ato vite që lanë gjurmë. Në një kafene të ishullit, ai ndan kujtimet e tij për vjeshtën e vitit 1956 me Amanda Palmer, një producente filmash australiane që jeton në Hidra që nga viti 2023.

Palmer është krijuesja e ArtCinema, një nismë kulturore që bashkon artistë dhe mbështetës në Hidra, duke u mbështetur në lidhjen e hershme të ishullit me shkëmbimet krijuese.

Debutimi i Greqisë në Hollyëood

“Gjatë asaj kafeje mëngjesi me Giannis Gavalasin, kuptova diçka vërtet goditëse,” vëren Amanda Palmer. “Ndërsa Sophia Loren kishte folur pa fund për përshtypjet e saj mbi Hidrën në mediat ndërkombëtare, banorët vendas që e përjetuan xhirimin nga afër — disa prej të cilëve madje punuan si figurantë — nuk kishin pasur kurrë mundësinë t’i fiksonin kujtimet e tyre.

Pa humbur kohë, Palmer iu drejtua mikut të saj, regjisorit Antonis Sotiropulos, për t’i propozuar realizimin e një dokumentari që do të rrëfente qëndrimin e Sophia Loren në ishull. Filmi do të ndërthurte dëshmitë personale të atyre që ishin të pranishëm gjatë xhirimeve me analizat e historianëve dhe njohësve vendas, duke ofruar një vështrim të matur mbi mënyrën se si kjo prodhimtari e madhe e huaj ndryshoi peizazhin shoqëror dhe ekonomik të ishullit.

“Ky ishte rasti i parë kur Hollyëood-i zgjodhi Greqinë si vend xhirimi, dhe njëkohësisht shënoi debutimin në gjuhën angleze të aktores italiane, atëherë vetëm 22 vjeçe,” thekson Palmer.

I zhvilluar nga Sotiropulos dhe Georgia Andreu, dhe i mbështetur në kujtimet e hidriotëve — të pasuruara përmes përdorimit të përzgjedhur të inteligjencës artificiale — projekti mori formën e një dokumentari të shkurtër që eksploron pikën e kthesës kinematografike të ishullit.

Hydra & Sophia: Echoes of a Dolphin e pati premierën në ishull në tetor, në kuadër të nismës ArtCinema Hydra, dhe pritet tashmë të nisë rrugëtimin e tij në festivalet ndërkombëtare të filmit.

Takimi i parë

Boy on a Dolphin ishte planifikuar fillimisht të xhirohej në Mykonos, ishull që tashmë po tërhiqte vëmendje ndërkombëtare. Megjithatë, erërat e pamëshirshme të meltemit rezultuan shumë sfiduese për prodhimin. Ishte mjeshtri i kamerës Vasilis Maros, një admirues i përkushtuar i Hidrës, ai që propozoi ishullin e Saronikut si alternativë për xhirimet.

Më në fund erdhi çasti i shumëpritur dhe të rinjtë e Hidrës prisnin me frymën pezull shfaqjen e ekipit të filmit. “Rreth një duzinë prej nesh kishim braktisur shkollën dhe ishim rreshtuar te moli,” kujton Gavalas. “Asnjëri prej nesh nuk kishte parë ndonjëherë një fotografi të Lorenit. Kishim dëgjuar, sigurisht, thashetheme për bukurinë e saj, por deri atëherë vetëm mund ta përfytyronim.”

Në atë kohë, tragetet nuk mund të ankoroheshin drejtpërdrejt në portin e Hidrës dhe aktorët me ekipin mbërritën me varka të vogla. “Pëshpëritnim mes nesh: ‘Është ajo? Apo ndoshta ajo?’” thotë Gavalas, duke folur nga i njëjti port gati shtatë dekada më vonë. “Kur më në fund kuptuam se cila ishte, u zhgënjyem pak,” shton ai me të qeshur. “Dukej e lodhur nga udhëtimi dhe ndoshta e tronditur nga pritja.”

Mbërritja e Lorenit në Athinë kishte qenë po aq dramatike. Në aeroport ajo u prit nga presidenti i studios “20th Century Fox”, Spiros Skuras, së bashku me personalitete të industrisë së filmit dhe turma të mëdha admiruesish. Raportimet e shtypit të kohës e përshkruanin skenën me gjallëri, duke vënë në dukje se turma “u sul përpara sapo Loren zbriti nga avioni, duke formuar një rreth të ngushtë rreth artistes, në  përpjekje të dëshpëruar për ta parë nga afër”.

Policia u detyrua të ndërhynte për ta nxjerrë yllin e ekranit nga grumbulli i krijuar. Vetë Loren më vonë pranoi publikisht se ishte tmerruar nga ajo përvojë, duke theksuar se nuk kishte përjetuar kurrë më parë një reagim kaq të fuqishëm nga adhuruesit.

Pengu i një fotoje

Në Hidra, përshtypjet e para shpejt ia lanë vendin magjepsjes. Teksa Sophia Loren lëvizte nëpër ishull — duke përshkuar rrugicat e ngushta, duke u ngjitur drejt mullinjve të erës dhe duke ruajtur ekuilibrin mbi varkat e peshkatarëve — ajo u bë qendra e përhershme e vëmendjes. Për shumë banorë, ndjekja e ekipit të filmit nga një cep i ishullit në tjetrin u kthye shpejt në një ritual të përditshëm.

“Ishim mësuar të shihnim gra të veshura me modesti nga koka te këmbët, ndaj dekoltetë e Lorenit dhe prania e saj imponuese na trazuan në kuptimin e parë të fjalës,” kujton Gavalas. Ai sjell ndër mend edhe dublanten e Lorenit, Skilla, e cila i ngjante shumë aktores dhe realizonte skenat nënujore më të rrezikshme. Me kalimin e kohës, Loren u ndie gjithnjë e më e çlirët mes vendasve, i përshëndeste me ngrohtësi dhe shpesh pozonte për fotografi — atë që Gavalas e quan një version i hershëm i “selfie”-t. “Ajo e bënte të qartë nëse kishte humor për fotografi atë ditë,” thotë ai.

Nga fundi i xhirimeve, Gavalas më në fund mblodhi guximin t’i kërkonte një fotografi. “Isha me një mik që kishte një aparat fotografik, një luks i rrallë për atë kohë. Ia kishte dhuruar i ati, kapiten anijeje,” kujton ai. Atë ditë, Loren ishte në pushim dhe nuk kishte shumë dëshirë për t’u fotografuar, por megjithatë pranoi. Fotografia, megjithatë, nuk u realizua kurrë. Pavarësisht premtimeve të mikut, fotografi amator nuk arriti ta fiksonte çastin. “Është një peng që ende e mbaj me vete,” thotë Gavalas. “Në vitet që pasuan, dukej sikur të gjithë në ishull kishin një foto me të — përveç meje.”

Jeta e përditshme në sheshxhirim

Aktorët dhe ekipi i filmit u vendosën në hotelin “Hydrousa” dhe në disa bujtina më të vogla të shpërndara nëpër ishull. Çdo ditë hanin në tavernat modeste të Hidrës, mes tyre edhe legjendarja Xeri Elia (Ulliri i Thatë), e cila vite më vonë do të bëhej një vend i dashur për Leonard Cohenin. Stefanos Duskos, sot 88 vjeç, kujton se si u shërbente aktorit Alan Ladd, i cili u kthye shpejt në klient të rregullt. “Më thërriste shpesh që ta kishte gotën gjithmonë plot. Hante dhe pinte tek ne çdo ditë pa përjashtim,” rrëfen Duskos përpara kamerës.

Fëmijët ndiqnin ekipin nëpër ishull në këmbim të karameleve, ndërsa të rriturit punësoheshin si figurantë, punëtorë apo kapitenë varkash, duke fituar një pagesë ditore që për kohën konsiderohej bujare. “Ishte e rëndësishme të kishe para në xhep çdo ditë në ato vite,” kujton Giannis Gavalas. “Njerëzit ishin aq të lumtur, saqë kur mbaruan xhirimet, i qerasën të gjithë në fshat.” “Ato kartëmonedha prej pesëdhjetë dhrahmish kishin shumë vlerë për ne,” shton Duskos. Produksioni shënoi gjithashtu kontaktin e parë real të shumë vendasve me gjuhën angleze, në një kohë kur frëngjishtja ishte ende gjuha e huaj kryesore që mësohej në shkollat greke.

“E kam parë Lorenin të qajë”

Pas shkëlqimit dhe magjisë, xhirimet ishin të lodhshme për yllin e ri të filmit. “E kam parë Lorenin të qajë,” thotë Gavalas. “Qëndroja në një rrugicë ndërsa regjisori i kërkonte ta përsëriste vazhdimisht një skenë. Ajo donte të jepte maksimumin, por në një moment u thye.”

Amanda Palmer ndalet edhe te një episod tjetër domethënës, i lidhur me këngën Ti einai afto pou to lene agapi (“Çfarë është kjo që e quajnë dashuri”). Loren e dëgjoi për herë të parë këngën të interpretuar nga Tony Maroudas në një tavernë në Pire. “Me frymëzim dhe këmbëngulje personale, ajo vendosi ta mësonte dhe ta këndonte vetë në greqisht,” thotë Palmer, edhe pse dublimi do të kishte qenë shumë më i lehtë.

“Pasioni dhe përkushtimi i Sophias 22-vjeçare ishin të jashtëzakonshëm,” shton ajo. “Më kanë treguar se vajzat e reja të Hidrës dilnin fshehurazi pas orës së ndalimit, vetëm për t’u ulur jashtë shtëpisë ku ajo merrte mësime këndimi. Pavarësisht dyshimeve të atyre përreth, ajo këmbënguli ta zotëronte këngën.” Sipas Palmerit, ai interpretim mbetet një nga kulmet absolute të filmit.

“Sophia Loren ishte përpara kohës së saj. Si italiane, ajo dëshironte ta nderonte vërtet figurën e gruas greke dhe mesdhetare, duke respektuar gjuhën dhe kulturën, ndërsa mishëronte një personazh me një forcë vullneti të jashtëzakonshme.”

Palmer planifikon t’ia shfaqë dokumentarin familjes së Lorenit, tashmë 91 vjeçe, gjatë një udhëtimi të ardhshëm në Los Anxhelos. Ajo e përshkruan projektin si një shprehje mirënjohjeje ndaj aktores, e cila e vendosi Hidrën në hartën ndërkombëtare dhe ndihmoi në formësimin e reputacionit të saj të qëndrueshëm si strehë artistike.

Një ftesë e hapur për aktin e dytë

Ekipi amerikan i produksionit qëndroi në Hidra gjatë gjithë dimrit dhe u largua në fillim të vitit 1957. Ikja e tyre la pas mungesë, sikur ishulli të ishte zgjuar nga një ëndërr e bukur. Por kjo ndjesi shpejt ia la vendin ndryshimit. Ndërsa Boy on a Dolphin shfaqej në kinematë e botës, Hidra nisi të tërhiqte vizitorët e saj të parë, të frymëzuar nga filmi. “Që në vitet 1959 dhe 1960, të huajt nisën të na kërkonin dhoma,” kujton Giannnis Gavalas.

Gati shtatë dekada më vonë, ai ende shpreson për një rikthim të yllit që i dha një dorë të ardhmes së ishullit. Në një poezi kushtuar Sophia Lorenit, ai rikthehet te çasti i mbërritjes së saj në portin e Hidrës në vitin 1956, duke e përshkruar si një ngjarje që njerëzit nuk e kanë harruar kurrë.

“Si bilbili në muzg, të presim mbi Hidrën shkëmbore,
të këndojmë së bashku atë mister dashurie:
‘Çfarë është kjo që e quajnë dashuri?’
Vishu me forcën e shpirtit tënd, Sofia,
dhe me guximin tënd të përjetshëm,
prano thirrjen tonë.”

*Ky artikull u botua në Greece Is (www.greece-is.com), një nismë botuese e Kathimerini.

Përktheu për ResPublica: Gazmira Sokoli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.