Tema e Pafajësisë

Postuar në 25 Dhjetor, 2025 22:18

Sali Berisha ka qenë prej kohësh arsye e ekzistencës së disa mediave të PS-së apo afër saj. Armiqësia me të u bë kauzë dhe më vonë çelës karriere. Gazeta "Tema" një prej tyre ka vite të tëra të mbushura me Berishën si zahire e pazëvendësueshme. Editoriale, shkrime për të mos qeshur, shënime, kanë Saliun në krye. 

Deri sa në skenë doli Erjon Veliaj. Dikur Mero Baze e quante "Erjonkat" por mandej erdhi Detanta dhe miqësimi. Me rënien në burg të Zdromsit, Baze ka harruar Berishën, që e përmend sa për të fryrë dallkaukët e PD-së dhe i është dedikuar Veliajt. Burgosjes së tij, të drejtave që i janë shkelur e kështu me radhë. Për Bazen, Veliaj është lakmuesi i demokracisë shqiptare. Padyshim që Baze e ka betejën parimore, siç e ka patur me Saliun këto dy dekada me paradoksin se ai që Baze mbron (si kauzë kuptohet) është në qyp, kurse ai që Baze e do brenda jo vetëm është jashtë, por gëzon imunitet të plotë. 

Pse ka rëndësi kjo? Ka sepse kozmosi i politikës është dominuar tani nga mikrokozmosi socialist me viktimën Veliaj si element kyç. Me një kalorës të vetmuar të Drejtësisë si Baze të gjithë do fitojnë diçka, edhe Saliu patjetër, ndonëse ka humbur ekskluzivitetin. Ajo që të çudit është se nëse për Berishën aplikohet prezumi i fajësisë së përjetshme - siç e kërkon gazetaria - për Veliajn aplikohet prezumimi i Pafajësisë absolute. Po pse? Po hë pra pse? Kjo është çështja. E gazetarisë, jo Drejtësisë, sepse Zdromsit iu shkelën të drejta ndoshta, por nuk iu vodh Pafajësia. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.