Të dojni njeri-jetrin

Habia që më kaploi fillimisht kur mora vesh se Dhimitri Haxhipema ishte edhe belg, edhe grek, edhe arvanitas, edhe pak shqiptar ngaqë kish mësuar edhe shqipen e Shqipërisë, ishte kaq e madhe, saqë nuk arrija ta besoja që kisha një të ri kaq hibrid para meje. Kur më tha që kishte lindur në Belgjikë në vitin 1991 dhe jetonte në Bruksel, mendova se gjuha e shkollimit do të ishte frëngjishtja, por edhe këtu dola jashtë parashikimeve të mia, pasi ai gjithë shkollimin e kreu në gjuhën flamande, në shtëpi flet frëngjisht me të ëmën - greke të brezit të dytë, kurse me të atin greqisht; arvanitishtja dhe shqipja u futën krejt rastësisht në jetën e tij. Greqishten e ka të përsosur, thua se një jetë është rritur e shkolluar në Greqi, kurse shqipja e tij përveç fjalorit të pasur, përmban edhe shumë informacione historike, politike e social-kulturore për vendin. Shqipen më thotë e mësoi nga shokët e tij shqiptarë në Bruksel dhe e ndihmoi që të thellohet më shumë në arvanitisht. Ky pasion për gjuhët shenjoi dhe studimet e tij në Ghent për “Gjuhët e kulturat e Europës Lindore” dhe profesionin e tij si përkthyes. I kërkova të ma bëjë vetëprezantimin në arvanitisht, që lexuesi “të shohë me sytë e vet” gjuhën, kontributin dhe vizionin e një të riu “par excellence”.
***
U linda dhe u madhova në Vrikselet në Velghiot në 1991 dhe gjer që u bëra 8 vjet s’ kishnja degjuar për gjuhën arvanite hyç një herë. Më shpi kuvëndonim sade greqisht dhe ghalika, në skoljot mësova flamandhika. Baba im kish një dyqan, një restoran greke. Pa mba nër mënd një herë na herth nuni im nga Alamani. Atë mbrëmë, u hapnë meselenë për arvanitika dhe unë mora një copë kartë pa shkrova nja-dy këvënde në arvanitika. Atë ditë nisa për herë të parë me erevna time. Ahyresh, këvënde i shkrova gjymsat greqisht, dhe gjymsa me shkronja latinika.
Mirdita/Ditë e mire/budala/merret/udhë e mbarë/mirë të kesh olum/miserdhe/mi (mos) shkoni/uja/diathë/ja këtu/humbu andej/ho (po) - nukë (jo)
Neve arvanitet s’ kemi shkronja. Na thoshin sim prallës pleqtë që mëmparesh kishim shkronja, po e hëngër buallica. Ish, thotë, një marabe e madhe ahyresh, pa një prift që kish frikë të mos dëbireshin shkronjat arvanite, pa muar një kungull, sipër në kungullit shkrojti alfavita e arvaniteve. E la kungullin mënjanë, pa muar udhën. Po ja që pastaj shkojti një buallicë pa e hëngër kungullin. Pa kështu u dëbuar alfavita jona. Pandaj, kur do një të shkruan arvanitika, shkruan me shkronja greke.
Në fshat vija dy muaj në mot. Atje mësova gjuhën daha më mirë. Fshati tim i thonë Tiheró dhe ishtë në Evros (rrethi verilindore e Greqisë), afër Turqinë. Fusha i fshatit e kemi pranë Meriçit (Lumi Evrosit). Meriçnë e kemi sënër me Turqinë: nga njër anë jemi neve, nga jetër anë ishtë Turqia. Duket Turqia nga fshati ynë. Ëmbri i fshatit, «Tiheró», do të thotë « Kësmet » greqisht.
Tek që ishtë fshati këtu tashi, karshi ishtë Ibriktepja, fshati që hiknë maxhirë. Pleqtë herdhë si maxhirë nga 2-3 fshete nga jetër anë e Meriçit. Fshete e thonë turqisht Ibriktepe, Sultanköy, Altıntaş. Neve hristianët kishim hep marabe me musulmanët dhe turqërit, pa andaj, Elladha dhe Turqia bënë në vitin 1922 një antalaghi plithismon. Sënëri u bë Meriçi (Lumi Evrosit) dhe hristianët tonë herdhë nga kjo anë e Meriçit në Elladhët, pa musulmanët vanë nga jetër anë në Turqiet. Nenja e babës tim lindi atje në Ibriktepet. Atje lindi dhe Fan Noli, Theofan Mavromati. Familja e atit janë daha sot në Tihero dhe Feres. Profesori shqiptar Nasho Jorgaqi u karshëllejti me ata përpara sa vjet dhe shkrojti një vivlio me titlo “Udhëtim me Fan Nolin”. (Shtëpia Botuese Dituria, cop. 1994)
Baba im i mesoj arvanitika nga minja. Ajo s’ dij greqishte të mira. Tashi u ndrua dynjaja. Sot në Tihero eno jemi shumë arvanite, shumë pak dinë të kuvendonjën has shqip daha! Sade ca pleqtë mbenë që dinë shumë mirë, dhe pastaj janë ata që ndjenjën gjuhën po s’ kuvëndonjën dot -ata janë peripu 60 vjet sot. Më të rinj që dinë arvanitika jemi sade sa temàhia.
![]()
Më të rinj s’ kuvëndonjën dot hyç arvanitika, dinë sade pakë këvënde. Do i ndjenjësh tek që kuvendonjën greqisht, pa thonë dhe nga një këvënd në shqip, dhiladhi:
Άντε φύγε από δω ρε ντέλε! Re fighe apo dho re dele! = Ik andej…. ore dele!
Po ja, sade pakë këvënde si: ç’ bën, mirë, miserdhe, mos, lere. Pastaj sa vrisiés, si “dele, budala, i lehtë, kahpe, rrospi”. Rrospi ishtë turqisht. Ghenika kemi edhe shumë këvënde turke neve. Ishim sa vjet me turqërit!
Arvanitika në Elladhët janë turli-turli. 100km më ljart, jashtë nga Orestiadha, papa pranë Meriçit, janë dhe jetër fshete që kuvëndonjën shqip. Gjasën ca pakë gjuhëra, po me zor sinenoisemi. Si thonë pleqtë: gjasën sade që të mos hash stap!
Në Alvaniet vajta të e para herë në 2015. Më herth ca pakë periergo që kaqë njerëz kuvëndonjën shqipet! Më herth periergo, po edhe bukur, që vishtonja tabelët në dyert e dyqaneve: HAPUR/MBYLLUR. Asnjë nga familjën time s’ ka vajtur në Alvaniet, asnjëherë. Ute baba, ute gjyshi, ute baba i gjyshit, ute gjyshi i gjyshit. Neve kemi këtu tulahiston 300 vjet.
Pastaj vajta në Sikeliet në 2016. Atje njoha jetër arvanite, arbëreshet. Atje papa më bëri entiposi që kuvëndonin arbërisht me këvënde greke, pa me hyç këvënde turke! Karshëllejta në Palermot me papa Antonino Paratore. Karshëllejta dhe me shumë njerëz në Piana degli Albanesi. Bësonj që Arvanitet e Elladhës dhe Arbëreshet e Italiës kanë shumë të mësonjën nga njëri-jatri.
Në Ferest karshëlejta me një kathigiti theologo, z. Nathanail, njëri shumë i mirë. Ay nis të bën një metafrasi, një cop nga Vivlo (Joan 20:19-25) po ish zor. Beraber me mua dhe ca pleq, u bëmë telika metafrasinë. Tashi në kishët e këndonjë për Pashkë.
Sot në Elladhët, të rinjtë s’ kuvëndonjën arvanitisht, omos s’ duan të dëbiret gjuha. Në fshati tim ca të rinj s’ kishin çë të bënjën dhe shkruanë në duvarët ca këvënde në arvanitisht. Ca-ca të vjetërit që i shijn, u pëlçuenë.
Të duash dhe të punonjësh (Sigmund Freud)
Të dojni njeri-jetrin (Joan 15:17)
Mos më rroknjësh çakmaknë, se tashi e mora - Lex (reper i njohur grek)
***
Cilët janë arvanitasit e Evrosit?
Arvanitasit e Evrosit janë shumë më të vonë se arvanitasit e tjerë të Greqisë dhe u vendosën në këtë hapësirë gjeografike pas dëbimit të tyre nga Turqia, si rezultat i politikave mizore të shkëmbimit të popullsive në Ballkan. Një karakteristikë tjetër, që na dallon nga arvanitasit e tjerë të Greqisë, por edhe nga ata të Evrosit verior, është se ne vetëpërcaktohemi me fjalën “shqiptar” (gruaja arvanitase – shqiptarkë) mes nesh. Por, kur në fshatin tonë vijnë shqiptarë nga Shqipëria, themi:
Unë jam shqiptar se jam nga Tihero dhe kuvëndonj shqipet. Ay ishtë alvanos nga Alvanía, dhe kuvëndon alvanikà
Pra, shqiptarët e Shqipërisë i quajmë “alvanos”. Ndërsa në Evrosin verior (rreth pesë fshatra), në ndryshim nga ne të Evrosit jugor (gjashtë – shtatë fshatra), nuk përdorin mes tyre fjalën “shqiptar” ose “arvanitas”, asnjë nga këto përcaktime. Thjesht për dikë që flet arvanitisht, thonë: “Ay kuvendon si ne”, por pa e emërtuar gjuhën, i mëshojnë kryesisht konceptit të pronësisë gjuhësore. Ekziston dhe një fshat tjetër arvanitas, Mandhrica në zonën e Evrosit në Bullgari, që tani thuajse është i zbrazët, por që për arsye historike e kishtare, ka qenë më afër frymës greke, sesa asaj bullgare. Këto janë tre polet e vendbanimeve arvanitase në Evros. Kurse në viset e tjera të Greqisë ku ka arvanitë, ndeshim vetëm fjalën “arvanit” ose “arbëror”. Fjala “arbëror” dhe “arbërisht” haset kryesisht në zonën e Atikës dhe në Greqinë jugore.
A ka ndryshime të mëdha mes shqipes së fshatit Tihero e të fshatrave përreth dhe dialekteve të tjera të arvanitishtes në Greqi?
Njëqind vjet më parë, një arvanit nga fshati im, do të kuptonte më mirë një shqiptar nga Korça, sesa një arvanitas nga zona e Atikës. Ngaqë jemi vendosur vonë në zonën e Evrosit, rrjedhimisht arvanitishtja jonë kishte më tepër turqizma, sesa greqizma; ndërsa në arvanitishten e Atikës, mbizotëronin greqizmat. Në fjalorin politik të arvanitishtes së Evrosit, ka më shumë turqizma, sesa fjalë shqipe. Kryetarit të bashkisë i themi “mydyr”. Por, edhe vetë shqipja e sotme, para vendosjes së pushtetit komunist, kishte akoma më shumë turqizma. Fjala e njohur shqipe “faleminderit” është krejtësisht e huaj për ne. Përdorimi i saj i mëvonshëm konsiderohet neologjizëm, pasi ata që e përdorin si fjalë, nuk janë më shumë se 60 vjeç. Arbërorët e Siçilisë, që përdorin fjalën “fharisto” të greqishtes në vend të “faleminderit”, nuk e perceptojnë si fjalë greke, pasi është pjesë integrale e arbërishtes së tyre.
Nuk ekziston në fjalorin tonë, as fjala “më fal”, madje as “jetë”. Arvanitasi mund të të shpjegojë në arvanitisht për grurin dhe gjithçka që lidhet me grurin, por të mos dijë fjalë shqipe si “jetë”, “lindje”, “perëndim”, etj. Fjalë më të komplikuara si “pavarësi” nuk njihen as nga të vjetrit, e as nga të rinjtë
Një veçori tjetër është se në fshatin tim, nuk themi “i” në vend të “y”-së, si ç’ndodh me arvanitasit e tjerë, por “dy” në vend të “di”; nuk na preku procesi i itacizmit, pra i zëvendësimit të y-së nga i-ja. Ama, themi “ay” në vend të “ai”, sikurse dhe në zonën e Korçës. Në ndryshim nga pjesa tjetër, përdorim edhe “q”-në, edhe “ ç”-në, edhe “zh”-në, edhe “xh”-në, pra jemi më afër sistemit fonetik të shqipes.

Paraardhësit tuaj kanë ardhur nga Ibrik – Tepeja, emrit i të cilit njihet gjerësisht nga gjeneratat më të vjetra të shqiptarëve që u shkolluan gjatë sistemit komunist, për shkak se lidhet ngushtësisht me vendlindjen e një prej personaliteteve më të njohura e më të dashura shqiptare, Theofan Stilian Nolit. Çfarë peshe mbart ky emër në kujtesën kolektive të bashkëfshatarëve të tij? A ka ende të afërm të Nolit në fshat?
Noli ishte më i njohur te burrat sesa te gratë, ngaqë burrat mblidheshin në kafene dhe merreshin me biseda politike. Në fshatin e vet, Noli nuk gëzon të njëjtin reputacion që gëzon në Shqipëri e në diasporë, pasi vendet e vogla janë konservatore për nga natyra dhe jo – tolerante ndaj ndërmarrjeve, që shkojnë kundër traditave zakonore e fetare. Edhe vetë prindërit e Nolit nuk ishin dakord me veprimtarinë e tij dhe ende figura e tij shihet me skepticizëm. Noli jetoi në një epokë tjetër, kur Shqipëria sapo kish filluar të ngjizej gjeografikisht dhe ideologjikisht. Të afërmit e tij u dëbuan prej turqve nga Ibrik - Tepeja në Tihero, në fshatin e sotëm.
Vizioni i Nolit nuk ngjalli ndonjë entuziazëm te popullsia vendase, e kundërta madje. Pas gjithë atij terrori nga turqit, ishte e papërfytyrueshme për ta të bashkëjetonin me elementin mysliman, paçka se mund t’i lidhte gjuha e përbashkët. Ata u dëbuan prej turqve si të krishterë dhe për ta Greqia ishte një strehë mikpritëse, vendi që përfaqësonte dhe mbronte të krishterët. Fryma antigreke e Nolit, ishte pak e vështirë të përthithej prej tyre. Ngaqë jemi fshat kufitar me Turqinë, patriotizmi është shumë i rrënjosur ndër njerëz. Brezat më të rinj, përfshirë edhe brezin tim, mendojmë që në vitin 2025 kemi më shumë nevojë për frymë paqësore
Padyshim, që Noli është një personalitet shumë i madh dhe karizmatik, që fliste shumë gjuhë, që nga një fshat i humbur, arriti metaforikisht dhe jo vetëm, të pushtonte botën. Ama, ekziston mendësia që nuk bëri diçka për fshatin e tij, për historinë dhe folklorin e vendit. Nasho Jorgaqi, që është marrë me biografinë e Nolit, ka gjetur shumë pak gjëra për Ibrik - Tepenë. Më të vjetrit e shohin në mënyrë armiqësore, një kategorie nuk u intereson, ndërsa më të rinjtë kanë një këndvështrim më sferik. Busti që ekziston në Ibrik – Tepe u ndërtua nga shteti shqiptar me miratimin e turqve, por në të vërtetë gjithë bashkëfshatarët e tij jetojnë sot në Tihero. Nëse Shqipëria do donte që t’i ndërtonte një bust, me siguri që nuk do të pranonin. Por po, në fshat ekzistojnë akoma nga fisi i Mavromatëve të Nolit.
Në këtë kontekst, dua t’ju pyes dhe për një tjetër figurë arvanitase, Aristidh Kolën, librat dhe pikëpamjet e të cilit gëzojnë një popullaritet shumë të madh në Shqipëri pas viteve ’90 dhe kanë frymëzuar një sërë studiuesish seriozë e jo-seriozë në prodhimin e një literature gjigante mbi origjinën e shqipes dhe shqiptarëve.
E respektoj shumë figurën e Kolës përsa i përket kontributit të tij në gjuhën e folklorin e arvanitasve, por sipas meje angazhimi i tij edhe me çështje të natyrës politike, e hijëzoi kontributin e tij fillestar. Do të ishte më mirë për arvanitasit e Greqisë, mos ta politizonte trashëgiminë tonë. Për më tepër, studimet e tij nuk kanë karakter të mirëfilltë akademik. Personalisht, tre mendoj se janë arvanitët më të rëndësishëm, Marko Boçari, Petro Furiqi dhe Titos Johalas, por ky i fundit si arvanitolog, jo në kuptimin e përkatësisë etnike arvanite. Arkeologu, historiani, fokloristi dhe gjuhëtari arvanitas nga Salamina, Petro Furiqi, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në studimin e historisë dhe gjuhës së arvanitasve në Greqi, të këngëve dhe përrallave të tyre. Ai nuk i sheh si të kundërta bashkekzistencën e kulturës arvanitase me atë më të gjerë greke, por si copëza të jetës greke, me bindjen e plotë se s’po kryen asnjë të keqe kombëtare kundër Greqisë, duke sjellë në dritë shpirtin dhe mendimin e arvanitasve. Akademiku Johalas mbetet arvanitologu më i shquar i ditëve të sotme, sepse ka publikuar studime të hollësishme për të gjithë arvanitasit anembanë Greqisë, përveç pjesës së Epirit, që personalisht mendoj se do të jetë vepra e tij e fundit.
Libri i Kosta Birit, “Arvanitët, dorët e helenizmit modern”, është libri më i njohur në Greqi mbi arvanitasit. Ai flet për rolin vendimtar të arvanitasve në kombformimin dhe shtetformimin e Greqisë së sotme, duke i konsideruar simbolikisht arvanitasit vazhdues të fisit grek të dorëve përsa i përket parimeve të besës, të nderit, të shpirtit luftarak, devotshmërisë, etj. Ç’ mendim keni për librin në fjalë?
Librin e Birit, duhet ta shohim në kontekstin e kohës që u shkrua. Për kohën e vet ishte shumë revolucionar, kurse për kohën e sotme është një relike e vlefshme, që s’duhet t’i mungojë bibliotekës së askujt, që është i interesuar të dijë për arvanitasit. Po, i përmbahem kryesisht titullit, i cili përcjell një simbolikë shumë të fortë. Ashtu sikurse thuhet, që dorët erdhën fillimisht në Greqinë qendrore nga vendet veriperëndimore dhe u përzien më vonë me fiset e tjera greke, duke u bërë një, në të njëjtën thuajse mënyrë edhe arvanitasit u përzien me fiset greke shumë shekuj më vonë, duke mishëruar të njohurat gjerësisht si tipare dorike.
Jeni i vetmi nga pjesëtarët e familjes suaj, që e keni vizituar Shqipërinë disa herë radhazi. Më flisni më shumë për përshtypjet e para.
Hera e parë që shkela kufirin shqiptar është pak kinematografike. Në vitin 2015, vendosa të vizitoj Shqipërinë me një grup shokësh shqiptarë. Polici shqiptar e humbi disi toruan: “Dale më thotë, ke pasaportë belge, je grek, por flet shqip! Pasi kaluam kufirin u ulëm në një kafe dhe po kërkoja tualetin. Pyes në shqip: “Ku është tualeti?” Kamarieri më thotë diçka, që nuk arrita ta kuptoja dhe pastaj më kthehet: “Këtu flasim shqip, jo greqisht”. “Po shqip të fola”, i them. Nuk e respektoi faktin që iu drejtova në shqip, vetëm e vetëm ngaqë nuk e kuptova përgjigjen, m’u kthye në këtë mënyrë. E përmend këtë histori, sepse ishte personi i parë që u ndesha, kur hyra në Shqipëri. Kurse komunikimi me njerëzit e tjerë, ca shqip, e ca greqisht, shkoi vaj. Ndërsa një xhaxha tek më tregonte një hartë gjeografike, vë gishtin jashtë kufijve shqiptarë e më thotë:
Shqipëria e madhe”. “Lëre këtë mesele”, i them, “Shqipëria e madhe, Greqia e madhe, Maqedonia e madhe, etj.
Ajo çka vë re te një pjesë e shqiptarëve është se e kanë shumë e vështirë të pranojnë bashkekzistencën e dy etnive tek i njëjti njeri. Edhe në Belgjikë, në një birrari, kur i fola shqip një shqiptari duke i thënë pak si në formë batute, që jam greko-shqiptar, më kthehet: “Nuk mund të jesh që të dyja, ose njëra, ose tjetra. Shih ç’u kanë bërë grekët shqiptarëve”. Nëse për një shqiptar është e vështirë të pranojë arvanitasin, që jeton me shekuj në Greqi edhe si grek, imagjino sa e pamundur ngjan të pranojë diçka të ngjashme tek emigrantët shqiptarë të brezit të dytë e të tretë në Greqi.

Për mua, Shqipëria është si zgjatim i Greqisë apo Greqia si zgjatim i Shqipërisë, në kuptimin që grekët dhe shqiptarët ngjajnë shumë mes tyre, sidomos njerëzit e provincës. Më dukej çudi fillimisht, që hasja kaq shumë fjalë nga arvanitishtja ime. Për bashkëfshatarët e mi, kush nuk e flet arvanitishten në të njëjtën mënyrë si ne, konsiderohet i huaj, ndaj në mënyrë disi të pavetëdijshme, shqipfolësit ndahen brenda meje në “neve” dhe “ata’”. Më pëlqyen veçanërisht malet në Shqipëri dhe gjithmonë fshatrat më kanë interesuar më shumë se qytetet, natyra është më e epërme dhe më e fortë se civilizimi.
Ju kujtohen shqiptarët e parë në Tihero? Në disa raste kam dëgjuar, që arvanitasit për shkak të frikës së identifikimit me shqiptarët, kanë qenë më pak miqësorë ndaj tyre.
Përherë kemi qenë miqësorë me shqiptarët në Tihero. Kozmai është ndër shqiptarët e parë që u vendos në fshat, dhe konsiderohet si zanatçiu më i mirë i zonës. Por, për ne që jemi në kufi me Turqinë dhe shohim çdo ditë fshatrat nga u dëbuam, vetëdija greke ka qenë e vetmja zgjedhje. Kjo është ajo çka na dallon kryesisht edhe nga shqiptarët e Shqipërisë;
për shqiptarët e Shqipërisë gjuha është primare, kurse për ne besimi fetar dhe vetëdija
“Të duash dhe të punonjësh ” nga thënia e famshme e Frojdit “Lieben und Arbeiten” (To love and to work), ka qenë slogani i parë që përkthyet në arvanitisht në kuadër të projektit me sloganet në muret e fshatit? Si lindi kjo iniciativë?
Ka qenë një vajzë fermere në fshat, që ndërroi jetë në vitin 2023, në moshën 28 vjeçare. Viki, përveçse fermere, kishte edhe prirje artistike, pikturonte dhe shkruante poezi. Një ditë më thotë: “Dhimitër kam një ide. Dua të shkruaj në muret e fshatit citate të famshme, që të frymëzoj e motivoj pak njerëzit”. Slogani i parë që më erdhi në mendje, qe “Të duash dhe të punosh” i Frojdit”. “Përse mos t’i përkthejmë e shkruajmë në arvanitisht”, i them, “do të ishte më origjinale”. Nëse do t’i bënim grafitit në mure të zakonshme publike, ekzistonte frika e moslejimit nga autoritetet lokale. Ndaj vendosëm t’i bënim në mure gjysmë të rrënuara e në ndërtesa të braktisura si ekperiment social, për të parë reagimin e njerëzve e të autoriteteve. Njerëzit u entuziasmuan shumë dhe vendosëm të bëjmë edhe të dytë, e më pas të tretë e kështu me radhë. Dyqanxhiu i bojrave na fali disa nga bojrat e blera, sepse gjithçka e bënim me shpenzimet tona. Autoritetet lokale, jo vetëm që s’na ndaluan, por na kërkuan të realizojmë një grafiti në një vend festivalesh e eventesh të ndryshme në fshat, dhe më pas na kërkuan një grafiti për 100-vjetorin e fshatit Tihero. Të gjitha sloganet u përkthyen prej meje dhe nga frika e gabimeve të mundshme, u këshillova me më të vjetrit e fshatit. Eksperimenti ynë social u kurorëzua me sukses dhe u përqafua nga të gjithë.
Po te “Mbrëmësori i dashurisë” cili ka qenë kontributi juaj?
“Mbrëmësori i dashurisë”, është përkthyer fillimisht në vitin 2013 në arvanitisht nga Nathanail Kapsidhi, teolog dhe pedagog shumë i dashur ndër njerëzit e zonës me idenë që të përfshihet gjatë liturgjisë kishtare në Tihero dhe në fshatra të tjerë të Evrosit jugor. Në traditën kishtare ortodokse, “Mbrëmësori i dashurisë” këndohet të djelën e Pashkës në disa gjuhë. Kur e pashë përkthimin e Kapsidhit, pavarësisht se Kapsidhi në përshtatjen e tij ishte munduar të fuste shumë elemente arvanitase, nuk ishte tamam në arvanitishten tone, më tepër një kopje e “Mbrëmësorit” të shqipes. U këshillova me disa pleq në fshat dhe më pas kontaktova Kapsidhin, që t’i them për idenë time. U entuziasmua shumë dhe bashkarisht edhe me dy folës të tjerë shumë të mirë të arvanitishtes, e modifikuam në formën përfundimtare në arvanitisht. Që të katërt, të lumtur për rezultatin, i shtrënguam dorën njëri-tjetrit në fund. “Mbrëmësori” këndohet tashmë në kishat e fshatrave arvanitase të Evrosit jugor të djelën e Pashkës.
Po nga udhëtimi juaj te arbëreshët e Italisë, çfarë të përbashkëtash vutë re me arvanitasit e Greqisë?
Në Itali shkova fillimisht në Piana degli Albanesi. Shoferi i autobusit që na shpuri në nga Palermo në Piana degli Albanesi, ishte dhe ai arbëresh dhe na fliste për paraardhësit e tij, që erdhën pesë shekuj para nga Morea (Peloponez). Sikurse ne, edhe arbëreshët nuk përdorin fjalët “faleminderit” dhe “më fal”. Thonë “fharisto” në vend të fjalës faleminderit, por nuk e perceptojnë si fjalë të huaj. Edhe te ta ekziston e njëjta mendësi: “Unë jam arbëresh, ti je albaniz”.
Ka një lloj përplasjeje mes atyre që duan të konservojnë arbërishten e vjetër, ashtu siç është folur deri vonë dhe atyre që mbështesin formën e tanishme hibride shqip – arbërisht, e cila po fiton terren përherë e më tepër. Ndonëse jam i hapur ndaj ndryshimeve, sepse ndoshta kjo është e vetmja mënyrë që gjuhët e rrezikuara të mund të mbijetojnë, jam shumë në favor të konservimit të gjuhëve në formën e tyre historiko-tradicionale dhe këtë do të uroja edhe për arbërishten, edhe për arvanitishten, me modifikime të lehta
Gjithashtu, shkuam të vizitojmë edhe At Belushin në Kozencë. At Belushi ishte një njeri i mrekullueshëm, me zemër të madhe, që u kujdes shumë për ne dhe na gostiti me shumë gjëra. Madje na këndoi me motrën e tij “Moj e bukura More”. Për mua ishte sikur të shihja një prift të dashur arvanitas.
Në rrjetet sociale kam ndeshur për herë parë platformën elektronike të Akademisë Arvanitase, por edhe inicitiativa të tjera mbi gjuhën arvanite. Çfarë dini rreth kësaj Akademie?
Po, e kam ndjekur profilin e kësaj Akademie. Akademia në fjalë është iniciativë e disa të rinjve arvanitas, që ka si synim regjistrimin dhe konservimin e arvanitishtes anembanë Greqisë. Është një platformë elektronike që mbledh informacione për arvanitasit, që të ruhet arvanitishtja. Përfshin komunitete arvanitase nga Atika, Peloponezi, Greqia kontinentale, Epiri, Maqedonia, Evrosi dhe Mandhrica, që është në kufi me Greqinë. Objektivi parësor për ruajtjen e arvanitishtes është që të regjistrohen këngë arvanitase nga çdo komunitet në Greqi dhe rrjedhimisht përmes këngëve, të zbulohen e të mblidhen edhe shumë elementë të tjerë nga folklori arvanitas, përfshirë fjalorin, zakonet, kostumet, etj. Por, kjo ngjan e pamundur të bëhet nga një grup i vogël njerëzish, nuk mjafton vetëm pasioni dhe vullneti, duhet mobilizim dhe bashkëveprim mes gjithë të interesuarve dhe komuniteteve arvanitase, si dhe fonde të mjaftueshme për realizimin e misionit të saj.
Një tjetër objektiv i Akademisë është uniformiteti i shkrimit dhe i mësimit të arvanitishtes, duke ruajtur specifikat e çdo komuniteti. Është e hapur ndaj disa gërmave të huaja që s’ përfshihen në fjalorin e greqishtes dhe plani afatgjatë është, që arvanitishtja të mund të jepet nëpër shkollat e komunitetit, si orë mësimore ose jashtë -mësimore. Por, për këtë duhet të përpilohet një plan i shtruar mirë, që të sigurohet mbështetja e shtetit grek. Nga njëqind arvanitët që merren sot në Greqi me arvanitishten, askush prej tyre nuk dëshiron që të shihet me dyshim nga dy shtetet respektive, si grekë me axhendë të fshehtë apo shqiptarë me axhendë të fshehtë. Por, ekzistojnë edhe iniciativa të tjera konkrete, që ia vlen të përmenden, siç janë mësimet e gjuhës arvanitase që jepen online në mënyrë shumë profesionale nga z. Spiros Sitogeorgopulos nga Kakosalesi i Atikës. Është viti i dytë që ndjek këto mësime dhe kam mësuar shumë për gjuhën, por sigurisht në formën që flitet në Atikë. Një iniciativë tjetër që ia vlen të përmendet, janë mësimet e arvanitishtes që zhvillohen në Shoqatën e Kulturës Arvanitase “Griza”, prej z. Spiros Brebos nga Hasea e Atikës, këngëtar i njohur i muzikës popullore. Duke qenë se që të dyja shtetet janë në Europë, ne më të rinjtë jemi të interesuar për marrëdhënie sa më miqësore.
Glosar/Fjalor

Comments
U kenaqa shume me intervisten
U kenaqa shume me intervisten! Nje njeri te mrekullueshem dhe sh simpatik na solle ketu, Eleana e dashur! Dhe sa i ri!! Sic e prisja dhe shpresoja, njerezit hapen, behen te lire. Kjo ndodh ne shumicen e mijera gjuheve e komuniteteve kur fundi i vecantise eshte i afert. Ka lajme nga disa burime shkenvore per tendenca si keto te Dhimitrit; jane sh pak, e ende sh te vecanta nder njerez idealiste e sh te rinj si Dhimitri. Por eshte nje ere e mbare. Eric Hamp ka kaluar sh kohe ne Mandrice dhe ka studiuar gjeresidht gjuhen.
Shume shkrim interesant
Shume shkrim interesant redaksia. Faleminderit ose fharisto :)
Add new comment