Kushtetuesja rikthen në detyrë Ballukun

Postuar në 12 Dhjetor, 2025 17:18

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar masën e pezullimit nga detyra për zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Mbledhja e gjyqtarëve, shumicë votash vendosi kalimin për shqyrtim të kërkesës së saj si edhe rrëzoi vendimet të GJKKO për pezullimin e Ballukut nga detyra.

Në datën 12.12.2025, Mbledhja e Gjyqtarëve e Gjykatës Kushtetuese mori në shqyrtim paraprak çështjen nr. 30 (K) 2025 të Regjistrit Themeltar, datë 21.11.2025, me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave. Shfuqizimi i vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Shfuqizimi i vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, për pjesën që ka disponuar për vazhdimin e zbatimit të masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Pezullimi i efekteve të vendimit deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese. Interpretimi i pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal.“.

Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi:

1. Me shumicë votash, kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik që ka kjo çështje dhe thirrjen në cilësinë e subjekteve të interesuara të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.

2. Me shumicë votash, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës. Vendimi i pezullimit do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.

3. Njëzëri, mospranimin e kërkesave të partisë “Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar” dhe organizatës jofitimprurëse “Lëvizja për Mbrojtjen e të Drejtave Universale” për t’u përfshirë si palë ndërhyrëse. Mbledhja e Gjyqtarëve arriti në përfundimin se këto dy subjekte nuk justifikojnë interesin kushtetues, pasi mosmarrëveshja kushtetuese në shqyrtim ka të bëjë me konflikt kompetencash dhe në të marrin pjesë vetëm subjektet që janë në konflikt, në kuptimin që janë pjesë e organeve të ushtrojnë kompetencën kushtetuese për të cilën ka lindur konflikti.

4. Njëzëri, në zbatim të nenit 27, pika 3, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilit në rast se pranohet kërkesa për pezullim, data e seancës plenare caktohet në datën më të afërt të mundshme, duke respektuar afatet procedurale të zbatueshme, caktimin e seancës plenare publike në datën 22.01.2026, ora 10:00.

 

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Nje thenie e vjeter thote: "Matematika nuk eshte opinion", qe pak a shume mund te perkthehet qe problemet matematike nuk zgjidhen me vote. Nje Kushttute rigoroze, nuk mund te kishte ne parim "Zgjidhje me vota", jo se kushtetuta eshte Matematike, pornje ndodhi, a nje fenomen, a nje vendim o eshte kushtetues, o nuk eshte kushtetues, pra keta zoterinjte Gjyqtare te GJK o duhet te kishin votuar te gjith pro, o te gjithe kundra, sepse i bie i gjithe shteti shqiptar nuk paska LIGJ THEMELOR qe nuk lejon ambiguitet, por nje Karte te shkruar qe formalisht quhet Kushtetute, por qe qenka ne duar te MALIQEVE Kushtetues.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.