Niko publicitari
Niko Peleshi ka vendosur të të kthejë Kuvendin e Shqipërisë në një soft power të pushtetit të Partisë Socialiste, që është në fakt pushtet i Krimit të Organizuar në Shqipëri. Një zëvendës perfekt për çdo punë, z. Peleshi, sot drejtues i Parlamentit, ka sjellë për drejtimin e seancës plenare një adoleshente që ka mbajtur një fjalë të shkurtër para deputetëve të cilëve u ka kujtuar se i ndjek nga ekrani dhe mandej u bën thirrje për përgjegjshmëri.
Shëllira propagandistike e Niko Peleshit, që është avatari mashkullor dhe njerëzor i Diellës dhe pararendës i saj, të krijon sikletin që buron nga fakti socialistët e sotshëm nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër veçse të imitojnë dekorin e Partisë së Punës, në të cilin pionerët si roje nderi dhe bulëza gëzimi në kongrese të zymta, ishin përherë në krye.
Nxënësja e përdorur sot nga Niko Peleshi, ka lexuar diçka të përgatitur, në mënyrë automatike ajo ka gjeneruar të dhënat e veta: kujdesi për të thënë se vjen nga shkolla publike “Naim Frashëri” e kështu me radhë. Zonjusha shfaqet që takon njëherë Niko Peleshin në zyrë, që qesh në mënyrë publicitare dhe mandej del në podiumin e Asamblesë Nacionale ku është mbledhur llumi i Shqpërisë. Po edhe si i tillë, asnjë aty nuk ia kalon shijes së keqe dhe shmëtisë së këtij inskenimi të Niko Peleshit që në faqen në Facebook të Kuvendit vendos këtë status përmbi videon e personit që sot ka dalë e ka folur në Parlament:
Një seancë e nisur ndryshe!
Zëri i fëmijëve është vendimtar dhe sot, një prej tyre, Sofia, na tregoi sa e rëndësishme është t’i mbajmë fëmijët në qendër të vëmendjes në çdo ligj që miratojmë, duke dëshmuar përgjegjësinë që kemi ndaj tyre
Ata që janë në atë sallë, një pjesë e tyre e madhe të paktën, nuk kanë nevojë për këtë shëllirën e Niko Peleshit, pasi njësoj si ai, janë kujdesur jo pak për të ardhmën e fëmijëve të tyre, të cilët i shkollojnë në shkollat shumë të mira jashtë vendit dhe i kanë të rregulluar në punë e me pasuri.
Për cilët fëmijë po flet ky Niko Peleshi që ka 13 vjet që nuk I ndahet zyrave të të ashtuquajturit shtet? Për fëmijët e tjerë? Ata që nuk e kanë babain apo nënën deputet, ministër, kryeministër, kryetar bashkie, pra hajdut dhe bandit? Për fëmijët e atyre që nuk u del emri në asnjë bisede të enkriptuar? Për ata mendojnë prindërit e vet, një pjesë e të cilëve kanë marrë arratinë dhe po e marrin, sepse e tillë është gjella në këtë vend. Ka patur e do ketë përherë si ky Peleshi, borizanë të absurdit dhe groteskut, të lumtur në suksesin e tyre, duke kënduar mbi kënetën e një neverie dhe mllefi të krijuar nga kjo hipokrizi dhe kjo dalldi që brashnjarët e hipur sipër kanë me sorollopin e vet. Me zakonet e reja të dukjes dhe soditjes së vetes dhe maninë e tyre maniakale dhe kriminale për të moralizuar.
s.zaimi

Comments
Eh!
Ky Peleshi na mallengjeu fare.....
Add new comment