Rroftë flamuri vëllezër biznesmenë!

Postuar në 19 Tetor, 2025 20:37

Një vendim i Gjykatës së Tiranës për sigurimin e padisë bërë nga 2A Group për çështjen e një huaje 100 milionë dollarë ka provokuar një zhurmë të re për sigurinë e investimeve të rëndësishme në Shqipëri. Në arsyetimin e vet pala kërkuese, teksa evidenton pretendimet e veta, nënvizon shkeljet e kompanisë së Paciollit që ndërton aeroportin e Vlorës me paditësin në kuadër të Vlora International Airport që nisin që nga mos respektimi i kontratës së kalimit të 47% të aksioneve, ndryshimin pa vendim asambleje të adresës së kompanisë, mospjesëmarrje në mbledhjen e asamblesës së kërkua nga aksioneri më i vogël, mandej ndryshim administratori, propozim i statutit të ri dhe në fund negocimi i një kontrate huaje prej 100 milionë eurosh që merrret nga Pacolli duke lënë si garanci aksionet që në finale për shkak të legjislacionit të Luksemburgut ku vepron entiteti kreditues e vendos palën shqiptare jashtë mundësive juridike për të kontrolluar më tej aksionet.

E thënë ndryshe: huaja pretendohet se krijon një regjim ekstaterritorialiteti juridik mbi aeroportin. Ky është pretendimi dhe në vendimin e gjykatës flitet me terma pastërtisht juridik.

Mirëpo disa qëndrimeve të Pacollit për këtë çështje, paditës, 2A Group ka reaguar me një foto status ku citohet se ata që janë pas kredisë, janë rusë që duan të blejnë flamurin e Shqipërisë dhe këtu Pacolli na luan një rol agjenti.

Lufta ime është me Compartment Berninën, jo si emër, por si simbol i asaj bote që kërkon të blejë flamurin tonë.

Ajo përfaqësohet nga Bart Turtelboom, njeriu që dikur përfaqësonte palën ruse në negociatat me Paris Club. Nuk është rastësi, është kujtesë. Një kujtesë se pas çdo formule financiare që duket e qetë, mund të fshihet një synim për të zhdukur rrënjët.

Unë nuk jam në luftë për para, sepse sistematikisht deri në Gusht, Pacollit mi ofruan ato. Jam në luftë për të mos humbur kuptimin e fjalës “SHQIPËRI”.

Sepse për mua, Vlora International Airport nuk është një investim, është një pjesë e shpirtit të një kombi që ngrihet për të fluturuar mbi hijet që duan ta mbajnë poshtë

thuhet në reagim.

Çfarë kuptimi ka vallë që konflikti i dy ortakëve të kalojë në këtë gjuhë? Kujt i drejtohet ky mesazh, pasi Gjykata nuk ka për të çmuar gjë nisur nga shqetësimi për flamurin. Është e vërtetë që konsiderata për sigurinë do të vijë në vështrim, por në kuptim të legjislacionit, jo të gravurave digjitale.

Në Shqipëri kanë ndodhur disa kalime në posedues të tjerë si p.sh Aeroporti i Tiranës te pala kineze, apo Bankers po te kinezët. Kina është një vend që qeveria e z. Rama nuk e sheh si partner, ndërkohë që në dosjen McGonigal, emra të ministrave të dikurshëm lidhen me Deripaskën. Po të jetë për çështje sigurie, ajo rregullohet me politika dhe institucione dhe jo dyshime, pasi ka shumë investitorë të njohur që kanë lidhje të vjetra në Austri, e ndoshta janë pagëzuar andej si biznesmenë që sot kontrollojnë shumëçka në Shqipëri dhe që përfliten me lidhje ruse apo serbe.

Do të ishte e udhës që lojëra të tilla të mbaheshin larg botës së transaksionit, ku vepron interesi dhe fitimi. Është gjykata ajo që do vendosë si do të veprohet, jo mitingu i patriotëve në Nartë pasi nëse do të flasim për rrënjët, aeroporti as duhej bërë me atë dëm mjedisor dhe afatgjatë që sjellë. Rroftë flamuri vëllezër biznesmenë! Fundja ai do mbetet edhe sepse nuk do mbetet më njeri ta besojë e çmojë si po përdoret!  

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.