Liria shpërdorohet!

Postuar në 16 Tetor, 2025 20:36

Në datën 17 shkurt në Tiranë është thirrur një protestë të cilës i kanë vënë shumë emra dhe etiketa. Protestohet për lirimin e tre ish-drejtuesve të UÇK-së që gjykohen në Hagën nga një gjykatë për të cilën elita politike e Kosovës ka rënë dakord. Si çdo gjë që mban erë të ndenjur, edhe kjo protestë ka sponorizues Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë, që e ka përshëndetur atë. Numri dy i qeverisë, Belinda Balluku ka njoftuar se kalimi në rrugën Durrës-Kukës do të jetë pa tarifë, sepse siç shprehet ajo: Liria ka emër.

Këtë devizë kanë zgjedhur organizatorët që janë një turshi organesh dhe organizatash që nga veteranët e UÇK-së, te shoqata “Tirana”, “Labëria”, “Çamëria”, “LANÇL” me një ish-prokuror, aktualisht drejtues i Inspektoriateve në Shqipëri, Shkëlqim Hajdari. Për rastësi, ky është i ati i një bamirësi me nam, Arbër Hajdarit, përfitues i një toke shtetërore në Brar për 1 euro. E gjitha kjo është shoqëruar me një përplasje mes z. Kurti në Prishtinë dhe z. Rama në Tiranë, teksa i pari akuzon të dytin se është investuar personalisht për krijimin e gjykatës së posaçme.

Siç është e dukshme, protesta ka humbur qëllimin e vet kryesor që është sensibilizimi për një pikëpamje për lirimin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve nga Haga, në një ballafaqim politik mes dy shteteve shqiptare. Opozita e Kosovës e ka përshëndetur protestën, të cilës i mvishen gjithfarë atributesh kombëtare, por nëse i besojmë replikë së sotme të z. Rama se akuzat nga Vetëvendosja lidhen me zgjedhjet lokale, edhe qëndrimet e PDK-së mund të lidhen me to.

E sigurtë është se protesta konfirmon rritjen e distancës dhe dallimeve mes dy shteteve, apo dy qeverive aktuale, që po kalojnë në antagonizëm edhe për çështje që qysh tani kanë hedhur farën e një debati të ardhshëm nëse UCK-ja dhe 1999 ishte Histori e Kosovës, apo edhe e Shqipërisë.

Askush nuk mund të diskutojë të drejtën e protetës, sa kohë ajo përmbush kërkesat e ligjit. Por si aktivitet që orientohet drejt një kauze, apo çështjeje, kjo protestë është tërësisht e pervertuar sepse ajo përfaqëson një formë të re dueli mes Edi Ramës dhe Albin Kurtit, sesa një meshë nacioanliste për emrat e Lirisë.

Jo më kot, edhe ndonjë gazetar që shkruan finokërisht përherë pro të vërtetës zyrtare deklaronte se do të dilte në protestë edhe që Albin Kurti të mos koritej.

Ne duhet të pranojmë se z. Rama di të krijojë tubime të gjithfarëllojshme, se me kalimin e kohës dhe në përmbushje të nevojave të ditës, betejave të pafundme për imazh, ai ka shndërruar të gjithë aktivitetin masiv politik në një formë të posaçme të tallavasë ku mjafton të aderosh dhe ekzistosh. Kjo që po ndodh tani është forma e vet origjinale e protestës së socialistëve pranë godinës së SPAK ditën e arrestimit të Erjon Veliajt, absurditeti i së cilës qëndron në faktin se kur vjen puna të drejtësia penale, asnjë protestë nuk mund të veprojë.

Në rastin e tanishëm absurdi është i dyfishtë pasi një protestë që supozohet se shkon kundër dënimit të drejtuesve të UÇK-së, por alienohet në një kauzë diskreditimi reciprok mes shqiptarësh, një pjesë e të cilëve duan që treshja në Hagë të lirohet menjëherë dhe për këtë kërkojnë mobilizim automatik të të gjithëve në drejtësinë e kauzës së tyre dhe të tjerëve që nuk janë për dënimin e tyre, por e pranojnë gjykimin.

Kjo nuk i shërben gjendjes juridike të Thaçit dhe të tjerëve, thjesht konfirmon se deri ku mund të shkojë politika shqiptare për nevojat e veta të ditës.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.