Gjykata Kushtetuese e Kosovës kërkon ripërsëritje për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar, pa zgjedhjen e nënkryetarit serb. Kushtetuesja po ashtu ka obliguar deputetët që të kryejnë edhe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga ky komunitet brenda 12 ditësh, sipas afatit nga aktgjykimi i shkuar.
…Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; III. TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi
thuhet në njoftim.
Më herët Gjykata kishte vendosur masë pezullimi për Kuvendin për një afat 30 ditor, që ka mbaruar sot duke bllokuar edhe zgjedhjen e qeverisë së re. Gjykata u vu në lëvizje nga Lista Serbe që ka kontestuar procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet, vendimin për zgjedhjen e nënkryetares nga grupi multietnik, Emilja Rexhepi, procedurën e tentimit të zgjedhjes së nënkryetarit serb dhe të gjitha vendimet e nxjerra në seancën konstituive të 26 e 28 gushtit.
Në ankesë, ky subjekt ka kërkuar që Gjykata të konstatojë se kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, i ka shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke e veçuar votimin për nënkryetarët nga komunitetet dhe duke e ftuar grupin multietnik para komunitetit serb që ta bëjë propozimin. Tjetër kërkesë e Listës Serbe është që të shpallet kundërkushtetuese zgjedhja e Emilja Rexhepit nënkryetare si dhe që Kushtetuesja ta urdhërojë Bashën ta përsërisë procedurën e votimit për nënkryetarët nga komunitetet.
Zgjedhja e nënkryetarit serb nuk është arritur, pasi Lista Serbe ka këmbëngulur që për këtë post deputetin Slavko Simiç, edhe pse ai nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e nevojshme as pas tri raundeve të votimit. Pasi kjo parti nuk ka pranuar që të propozojë një kandidat tjetër, kryeparlamentari Dimal Basha ka vendosur që kandidati të nxirret me short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb. Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post është propozuar edhe deputeti i partisë serbe “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, Nenad Rashiç, i cili aktualisht është ministër në detyrë në qeverinë e Kurtit. Por as Rashiç nuk ka marrë vota të mjaftueshme në tri raunde votimi.
Add new comment