Diversioni i dobët i Rusisë me Europën

SHBA është ndërruar me Europën. Rivali kryesor i momentit për Rusinë është Europa. Nëse i hedh një sy titujve të faqes kryesore të agjencisë ruse të lajmeve, “TASS”, Europa figuron si agjentja kryesore e luftës në Ukrainë, përkundër një statusi të ri të SHBA.
- Europa ka frikë se Trump do ta fajësojë për dështimin ushtarak të Kievit.
- Europa po përpiqet në mënyrë sekrete të dislokojë armë në kufi me Rusinë
- Europa do ndërprerjen e dialogut Rusi-SHBA
Këto janë disa tituj që vënë në dukje një taktikë diversioni të Kremlinit që luan këtu me psikologjinë e presidentit amerikan, Donald Trump që e ka një ndër pasionet e veta retorike të akuzojë Europën si një ndër shkaqet e dështimeve në skenën ndërkombëtare.
Paradoksi i kësaj qasjeje qëndron në faktin se Rusia e ka akuzuar përherë Europën se është një gur shahu në lojën e SHBA, çka aktualisht bie ndesh me qëndrimet e fundit. Një ndër arsyet e këtij ndryshimi është kriza aktuale ekonomike e Rusisë, stabilizimi i frontit në Ukrainë dhe fakti se mjetet e reja të goditjes në thellësi nga Ukraina po bëhen përherë e më efektive.
Në dritën e një intensiteti të tillë zhvillimesh operacionale dhe me vendimet e vendeve të BE-së për t’u armatosur, Rusia e sheh veten me një rival të ri gjeopolitik të cilin do ta ketë të vështirë ta kthejë në partner. Përdorimi i divergjencave SHBA-Europë është shenjë dobësie dhe jo force, por edhe mungesë vizioni në adresimin e një çështjeje emergjente siç është jo vetëm Paqja, por edhe problemi kufinjve dhe sigurisë në Europë. Problemi kryesor i një fuqie nuk është dobësia e saj, apo dështimet periodike, por mungesa e seriozitetit dhe mosbesueshmëria.
Add new comment