Grenell po lahet në Shqipëri - lajm strategjik

Në mesin e viteve ’90 në Shqipëri mbërriti në Vlorë, ish-presidenti i SHBA-së, George Bush, plaku. Pamjet e vizitës së tij gjatë së cilës shoqërohej nga Colin Powell, u transmetua asokohe nga RTSh, si shenjë e një mbështetjeje për qeverinë shqiptare dhe Partinë Demokratike në pushtet. Megjithatë një vizitë e tillë është e painjorueshme në çdo aspekt dhe këtë e di kushdo që ka punuar qoftë edhe dy orë praktikat në ndonjë gazetë.
Kush ka jetuar atë kohë me vëmendjen te politika, e kujton se pas saj u përfol shumëçka: se Berisha Bushit i çoi disa valixhe me dollarë, se aty premtua Sazani e kështu me radhë, përherë në tendencën e një propagande që synonte të relativizonte një akt që ishte pastërtisht dhe i pangatërrueshëm, akt i mbështetjes politike.
Rasti e solli djali i Bushi, George W Bush të vinte në Shqipëri në vitin 2007, prej nga ku ai do të deklaronte pavarësinë e Kosovës që erdhi një vit më pas. Në historinë politike të shqiptarëve vështirë se ka patur ndonjë moment më të rëndësishëm për integrimin në Perëndim, sesa ky dhe ai i luftës në Kosovë. Por këto do t’i shqyrtojë historia.
Nuk mund të mos vinte pas vizitës së Bush edhe propaganda e zakonshme e të majtës që vuante në atë kohë komplekset e një drejtuesi të izoluar dhe me deficite psikologjike. Siç e mbajmë mend, George Bushit në Fushë-Krujë i vodhën orën, të cilën ai e tregoi ditë më pas nga Shtëpia e Bardhë.
Shqipërinë në kohën e qeverisjes Berisha e vizitoi edhe Hillari Klinton, për të cilën nuk u tha asgjë në fakt për arsye të afiliacioneve mes PS-së dhe demokratëve apo një klani të tyre në politikë.
Historiku i kësaj qasjeje ndaj vizitave të rëndësishme, vjen në vështrim në kushtet kur mediat e qeverisë sot kanë qarkulluar një “lajm” me rëndësi: Richard Grenell po kalon pushimet në Shqipëri. Kjo me siguri që duhet të jetë vizita më e rëndësishme në vendin tonë e një amerikani të politikës pas asaj të Mike Pompeos vite më parë, nga e cila erdhën edhe TEC-et lundruese të Vlorës, të Bill Clinton që mbiu në Tiranë me një mesazh pro-qeverisë, Anthony Blinken që bëri qeverinë aktuale më të mirën që ka patur Shqipëria.
Grenell është i Dërguar Special i Presidentit amerikan Trump për Misione të Posaçme. Ne nuk e dimë se cili mund të jetë misioni i tij i posaçëm në Shqipëri, një panair kotësish me zarar, veç diskutimeve për Sazanin që është lëshimi i radhës ndaj një fuqie të huaj.
Ndonëse opozita nuk ka hedhur në qarkullim ndonjë “glasë propagandistike” si ato më sipër për vizitën e Grenell, duhet thënë se raporti publik në vend ndaj vizitave të tilla, edhe private qofshin ato, ka ndryshuar. Diçka po shitet, diçka po negociohet, larg syve të publikut dhe në formën e një pazari, që njoftohet në mediat e huaja dhe mandej mbrohen këtu brenda sa për sy e faqe.
Add new comment