Pix, sistemi inovativ brazilian i pagesës që po teston sistemet amerikane
Një sistem i ri pagese në Brazil, i quajtur Pix, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe ndonjë analisti të njohur si Paul Krugman. Në qershor të vitit 2025, sistemi kishte të regjistruar 159.9 milionë përdorues në Brazil. Pix i ngjan një sistemi tjetër në SHBA, Zelle, por në dallim nga ky i fundit, zotërohet dhe është krijuar nga Banka Qendrore e Brazilit dhe është në përdorim nga çdo kategori shoqërore dhe kompani në vend për thuajse të gjitha blerjet.
Kjo është gjëja më e mirë që qeveria ka bërë ndonjëherë për më të varfërit në Brazil deri më sot
citohet profesori i Universitetit Katolik Pontifikal të Rio de Janeiros, Márcio Garcia.
Për t’u bërë përdorues i sistemit të duhet një llogari bankare, një numër telefoni, një numër social dhe një e-mail. Në këtë mënyrë një sistem i thjeshtë ka mundësuar pjesëmarrjen në ekonomi të segmenteve më të varfra të vendit që janë bërë pjesë e sistemit bankar. Pix mori shtysë në vitin 2020, në mesin e pandemisë, kur një pjesë e madhe e popullsisë hapi llogari bankare për të përfituar ndihmën e qeverisë.
Ndikimi i këtij sistemi megjithatë ka kaluar kufinjtë e vendit. Për shkak të suksesit të tij, kompanitë amerikane dhe rrjeti i kartave të kreditit po humbet vlerë në bursë. Përpjekja e Facebook për të prezantuar në vitin 2020 sistme pagese me WhatsApp u bllokua nga autoritetet braziliane që e lejuan atë në vitin 2021, gjashtë muaj pasi në treg kishte hyrë Pix, duke pamundësuar suskesin. Zyra Amerikane e Përfaqësimit Tregtar deklaroi se do të hetonte Brazilin për praktika të pandershme tregtare. Njoftimi duket se është në sfond edhe të qëndrimit të fundit të Presidentit Donald Trump për të vendosur 50% tarifa ndaj Brazilit nën alibinë e ndaljes së gjyqit ndaj ish-presidentit Bolsonaro.
Për Paul Krugman, Pix përfaqëson të ardhmen e Parasë nisur nga fakti se procesi i pagesës merr vetëm 3 sekonda përkundër dy ditëve në krahasim me kartat e debitit dhe 28 ditëve te kartat e kreditit, ndërkohë që tarifimi për individët është thuajse zero dhe për subjektete tregtare komisioni shkon 0.33% krahasuar me 1.13% për kartat e debitit dhe 2.34% për ato të kreditit. Aktualisht Banka Qendrore e Brazilit po ecën edhe drejt krijimit të një monedhe digjitale të quajtur Drex që plotëson sistemin Pix dhe mbështet transaksione me pagesa të programuara.
Add new comment