Zhurma për pasurinë që po nis të preket

Nëse kërkon në inernetin shqip me fjalën SPAK, me gjasë do të dalin para një arsenal postimesh kundër prokurorisë së posaçme që është tashmë nën një sulm politik e mediatik të koordinuar.
Akuzat nisin nga ajo për organizatë kriminale të cilën e artikulon Sali Berisha e deri te hetimet me dy standarde në procedimin e njerëzve me pushtet. Sigurisht që në punën e një organi të tillë ka shumë probleme, madje ndoshta edhe faje.
Por sa justifikon kjo sulmin mbetet shumë e dyshimtë. Më e mira do të ishte që një institucion publik të kontrollohej dhe korrigjohej profesionalisht edhe publikisht, por kjo nuk ndodh qoftë sepse politika nuk ka vullnet, qoftë sepse media nuk ka kapacitet për ta bërë një gjë të tillë.
Sali Berisha po thotë se kur të jetë kryeministër – është shumë optimiste për Shqipërinë që ai sërish e do këtë detyrë – do ta rishikojë strukturën e SPAK me mendimin e Venecias. Harron që ka votuar vetë reformën në drejtësi, pavarësisht rezervave që pati. Harron që ka qenë një Shqipëri ku ai kontrollonte drejtësinë dhe nuk funksionoi.
Edi Rama thotë se do e ndryshojë reformën në drejtësi. Edhe ky me ndihmën e ShBA. Pse e do ndihmën e ShBA ky njeri që deklaroi se reformën e bëri ai, pra PS, kurse ShBA Noc Rrokun solli?
Nuk do shumë mend të kuptohet sikleti i këtyre zotërinjve. SPAK në formën e tanishme nuk ka qëllime fisnike, por është një aktor që ka prishur ekuilibrin. Atë ekuilibër që përcakton tranzicionin e përjetshëm të këtij vendi, që nëse do të ishte normal do të mjaftonin vetëm akuzat e këtyre të dyve për njëri-tjetrin që t’i fusje në burg përjetë.
Ka një akuzë se SPAK e kontrollon Edi Rama. Të jetë vallë kështu? Po pse po goditen njëri pas tjetrit njerëz të z. Rama, ikja e të cilëve është e qartë se e dobëson dhe delegjitimon edhe atë vetë? Mbi cilën llogari ? Është e ështirë ta shohësh SPAK sot në rolin e Aranit Çelës që pastron grupe armiqësore.
Mund ta shohim edhe ndryshe në metodë. Si fillim po goditen grupe të trafikut të drogës që janë problem edhe për vende të tjera, por sigurojnë paranë për ekonominë e ndërtimit dhe atë turistike përveç se janë baza territoriale e pushetit elektoral të dy partive kryesore.
Me goditjen e bazës sigurisht që ndërlikohet funksionimi i të giithë zinxhirit financiar trafik droge- zgjedhje – ndërtim – politikë. Goditja e niveleve të larta të zyrtarëve politikë po instrumentalizohet më shumë. Rasti Veliaj është më tipiku dhe ëshë interesante të shihet sesi thyerja e barrierës së paprekshmërisë po kanalizohet qysh tani në diskutim politik.
Pa vlerësuar se një hap është bërë: askush nuk e mbron dot shetasin Veliaj, veç sulmit ndaj SPAK që është intensifikuar sapo mbi duart e Veliajt po dridhen prangat. Por të presim…
SPAK nuk është kisha dhe as Delfi i drejtësisë. Por është një instrument kontrolli mbi një ekonomi që po e çon Shqipërinë në faliment. Këtu qëndron vlera e tij në imperfeksionin që bart.
Para disa ditësh Dumani u shpreh se verringun e kanë kaluar të korrupuar dhe se ndërtimi është ekonomia e drogës. Asnjë zë.
Le të kujtojmë se të gjithë ata që u ankuan për pasaktësitë dhe shkeljet e vettingut nuk ngritën asnjë shqetësim për burimin dhe lighshmërinë e pasurisë së atyre që u filtruan.
Nuk e bënë këtë as gazetarët e zhurmshëm që sot janë në ballë të luftës për njëanshmërinë e SPAK. Janë gazetarë me vila, me makina të shtrenjta dhe imunitet faktik të posaçëm. A duhen hetuar këta? Sigurisht. Shqipëria ka patur dhe ka Prokurori të Përgjithshme. Por ajo ekziston dhe vështirë të thuhet se funksionon.
Kur para disa vitesh u publikuan pagat e njerëzisë, spikati një pagë përmbi të gjitha. Duhet të ishte hetuar, verfikuar të paktën. Jo. Thjesht faji ishte i disa IT. Kjo leverdis shumë, por nuk quhet prokurori.
Ndaj dëmet për të cilat sot flitet se po bën SPAK janë minimale edhe në një raport vetëm: edhe sikur të jetë drejtësi me regji, nuk ka një rast kur të mund të themi: u arrestua një i pafajshëm.
Ata që sot venë e vinë në SPAK kanë mundësi për avokatë nga më të mirët. Ta provojnë pasigurinë e qytetarit të zakonshëm, ta prekin sesi edhe kryeministri nuk i mbron dot. Nuk është drejtësi kjo? Dakord. Nuk është, por në mungesë të barazisë para ligjit, që nuk e arrijmë dot sepse jemi të deformuar, atëherë frikë nga Ligji. Sidomos për pasurinë e krijuar.
s.zaimi

Add new comment