Festat diskrete që ndryshuan Lubjanën dhe gjithë Jugosllavinë

Postuar në 03 Janar, 2022 16:00

Në vitin 1984, K4 Club ishte një vend që nuk binte në sy, në një nga rrugët e betonizuara të Lubjanës. Por ndërsa lokali dukej i padëmshëm nëse e shihje nga rruga, muret e brendshme ishin plot me postera homoerotikë: burra që bënin seks oral, me veshje fetish dhe me mustaqe të stilit "Tom-of-Finland". Nëse ndiqje muzikën elektronike që kumbonte nga muret - vonë të shtunave në mbrëmje - do të gjendeshe në mes të festës famëkeqe Magnus Gay dhe një turmë homoseksualësh që kërcenin: disa me eufori, disa me hezitim.

“Lubjana fshihte shumë në thellësi”, thotë Brane Mozetič, poete queer dhe pjesëmarrëse e rregullt në festat e Magnus. Megjithëse klubi u bë strehë e shenjtë për shumë njerëz, Brane kujton një atmosferë të tensionuar jashtë katër mureve të tij. “Mbaj mend që njerëzit që takova në klub nuk ishin të njëjtë jashtë. Jashtë klubit bënin sikur nuk të njihnin dhe nuk të përshëndetnin. Duhet të kuptosh që Lubjana është një qytet i vogël.”

Themeluar nga Aldo Ivančić dhe Bogdan Lešnik në 1984, Magnus ishte - dhe është ende - dega queer e Shoqatës ŠKUC (Qendra Kulturore Studentore): një organizatë studentore jofitimprurëse, që prodhon dhe ruan kulturën alternative në Lubjanë. Qëllimi i Magnus dhe festave që organizonte ishte të promovonin "socializimin e homoseksualitetit përmes kulturës". Deri më sot, K4 Club mbetet një nga vendet e fundit alternative të mbijetuara në Lubjanë.

Përpara vitit 1984, meshkujt homoseksualë kishin mundur të takoheshin (për një kohë shumë të shkurtër) vetëm përmes shëtitjeve në këmbë ose makinë nëpër zona të caktuara për të takuar të tjerë për seks. Një pikë e tillë e nxehtë ishte një tualet famëkeq në Tromostovje, pranë urës që lidh lagjen mesjetare me qytetin e ri. Tualetet publike njiheshin zakonisht si "faltore" nga meshkujt homoseksualë në qytet, ndërsa "çuarja e Jezusit në shtrat" ​​ishte një eufemizëm për seksin. Metaforat fetare përdoreshin për t'i bërë bisedat të dukeshin më të pafajshme dhe për këtë arsye më pak të dyshimta. Të mbuluar nga errësira e natës, burrat endeshin rreth këtyre kishave, duke kërkuar intimitetin që shoqëria ua mohonte.

Me themelimin e Magnus, Lešnik donte t'u ofronte një lloj hapësire tjetër sllovenëve LGBTQ+, një hapësirë ​​që nxiste një ndjenjë të fortë komuniteti, jo vetëm seksi. Lešnik përdori lëvizjen queer të Berlinit Perëndimor si pikë referimi, duke përfituar nga jeta relativisht e relaksuar dhe liberale e natës në Lubjanë në atë kohë për të çuar të njëjtin vizion në Jugosllavi. Komuniteti queer i Sllovenisë krijoi hapësirën e tij të parë të sigurt përmes festave të Magnus, të cilat do të vepronin si një pikënisje për krijimin e një lëvizjeje.

Por nëse Magnus do të kishte sukses si lëvizje, ajo duhej të provonte se ishte më shumë se një parti - kështu që në vitin 1984 lindi Festivali Magnus. Festivali ngriti galeri, organizoi leksione, lexime poezish, krijoi ekspozita mbi "botimet e homoseksualëve në mbarë botën" dhe shfaqi filma gay dhe lezbike. Festivali mirëpriti folës të ftuar ndërkombëtarë, të cilët ishin ekspertë të teorisë queer, si Frank Arnal dhe Guy Hocquenghem. Të pranishmëve iu dorëzuan kopje të Viks: një revistë mbi homoseksualitetin që u bashkua me lëvizjet e majta kundër-kulturore në Slloveni dhe Evropën Perëndimore.

Revista Viks është vetëm një shembull se si Ljubljana po fillonte të drejtonte mendimin kritik në Jugosllavi gjatë asaj periudhe. Shembuj të artikujve të Viksit përfshinin "Dashuria Rozë nën Yjet e Kuq", një përmbledhje historike e homoseksualitetit në Bashkimin Sovjetik. Ai argumentoi se lëvizja LGBTQ+ nuk ia doli të kapërcejë abuzimin e epokës së Stalinit, kur komuniteti queer i ekspozuar u dënuan si spiunë dhe tradhtarë dhe u dërguan në kampet e gulagëve. Pavarësisht papajtueshmërisë historike midis komunizmit dhe homoseksualitetit, Viks e paraqiti Republikën Demokratike Gjermane (RDGJ) si një shembull se si ata mund të bashkëjetojnë dhe se si mund të zhvillohet një "dialog midis qeverisë dhe grupeve homoseksuale dhe lezbike".

Dalëngadalë, Magnus u përhap në zona të tjera, duke reaguar ndaj çështjeve të tilla si kriza e SIDA-s. Në një kohë kur si HIV, ashtu edhe SIDA u keqkuptuan gjerësisht, Magnus nisi fushatën e informacionit publik, duke përkthyer kërkime shkencore nga Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara dhe duke i shtypur ato në broshura. Më e rëndësishmja, nuk u shmang nga tema e seksit të sigurt: nga "masturbimi i ndërsjellë" te "gëlltitja e urinës", fletëpalosjet mbulonin seksin homoseksual në tërësi dhe faktorët e tij të rrezikut për infeksion. Në këtë proces, Magnus importoi informacione të rëndësishme nga Perëndimi dhe ia shpërndau një auditori jugosllav neglizhues.

Ndërsa Magnus hodhi hapa në akademi, shtyp, art dhe kulturë, dhe klube, edhe reputacioni i Lubjanës si qendër përparimi brenda Jugosllavisë lulëzoi. “Magnus hapi një hapësirë ​​brenda këtyre lëvizjeve shoqërore; ngriti pyetje dhe solli në vëmendje tema të një niveli të caktuar”, thotë Dr Roman Kuhar, profesor dhe dekan në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Lubjanës. Këto bënë që festat Magnus të fitonin famë në të gjithë Lubjanën dhe në rajon më gjerë. Komuniteti filloi të shihej si pjesë e shoqërisë, hapi vende pune dhe në këto festa shpenzoheshin para.

Por ndërsa Magnus fitoi vëmendje, u rritën edhe reagimet. Shfaqja e të shtunës mbrëma në klubin K4 u zëvendësua nga një listë më pak tërheqëse të së dielën mbrëma.

"Kjo përçoi një mesazh të qartë simbolik pasi komuniteti u shty në margjinat e "javës së festës", thotë Dr. Kuhar. “Për një homoseksual si unë, i rritur në një zonë rurale të Sllovenisë veriore, fjalët ‘Roza nedelja’ ose ‘E diela rozë’ u bënë një lloj referimi gjithëpërfshirës për homoseksualitetin. Ishte një shenjues aq i forte, saqë termi përdorej edhe për tallje.”

Megjithatë, pavarësisht nga armiqësia në rritje, Ljubljana konsiderohej ende progresive në krahasim me shtetet e tjera jugosllave. Aq shumë, sa Ivançiç me origjinë kroate, e përdori Ljubljanën dhe ŠKUC-në si bazë për Borghesia: një grup homoerotik, post-punk, New-Wave, i cili e përdori kulturën queer dhe atë alternative si një mjet për ndryshime shoqërore.

Borghesia ia doli ta nxirrte në sipërfaqe kulturën e fshehtë queer, duke e bërë pjesë të skenës së muzikës alternative popullore të Lubjanës. Një nga këngët e tyre, "Night Walks" (Noćne Šetnje), u publikua në vitin 1984. Ajo rrëfente jetën e "homoseksualëve të fshehur", të cilët dilnin hsëtitje natën vonë në vende të çuditshme, në kërkim të partnerëve seksualë:

Duke e përdorur Lubjanën si pikënisje, Borghesia u përpoq ta çonte në tërë Jugosllavinë lëvizjen queer liberale që kishte lindur në të. Vokalisti Dario Seraval madje performoi "Night Walks" live në një tv jugosllav, para një audience të mahnitur. I veshur me të zeza nga koka te këmbët, Seraval pinte duhan gjatë gjithë performancës, me fytyrën e zbehtë, mbi të cilën tiparet theksoheshin me buzëkuq dhe rimel. Në këtë proces, ai e çimentoi Lubjanën në mendjet e miliona njerëzve si një nga enklavat më përparimtare të Jugosllavisë.

Megjithatë, reagimi publik ndaj Magnus dhe Borghesia-s në të gjithë Jugosllavinë ishte relativisht i qetë. Komuniteti LGBTQ+ në përgjithësi konsiderohej një grup pakicë në skajet e shoqërisë, që nuk përbënte ndonjë kërcënim. Deri në shpërbërjen e afërt të Jugosllavisë, homofobia u shfaq me forcë të plotë, e ushqyer nga keqkuptimet dhe frika nga kriza e SIDA-s. Fatmirësisht, lëvizja Magnus ndihmoi të ankorohej Lubjana si një qytet përparimtar, i tillë që do t’i përballonte stuhitë nacionaliste të viteve 1990.

Përpara vitit 1984, komuniteti LGBTQ+ i Ljubjlanës ishte çmobilizuar dhe ekzistonte kryesisht në hije. Në pak vite, Magnus bashkoi individë të komunitetit queer, biseda, ide dhe kreativitet - duke i ngulitur ato në jetën e natës dhe hapësirat krijuese të Ljubjlanës. “Pati shumë risi pozitive nga këto fillime radikale nga artistë dhe aktivistë. Ato ndihmuan në ndërtimin e një shoqërie pluraliste dhe demokratike dhe krijuan një skenë të re kulturore” thotë Jernej Skof, koordinator aktual i Magnus.

Me kalimin e viteve, iniciativat e themeluara nga lëvizja queer e viteve 1980 janë institucionalizuar në Pride Ljubljana, një komunitet queer në lagjen Metelkova të qytetit, një shtëpi botuese LGBTQ+ dhe programe për njerëzit që jetojnë me HIV. Shfaqjet e filmave të Festivalit Magnus u bënë Festivali i Filmit LGBTQ+ në Ljubljanë — festivali më i vjetër i filmit queer në Evropë. Organizuar nga Mozetič, ky event i përvitshëm ende shfaq publikime queer nga e gjithë bota, për një audiencë sllovene.

Në ditët e sotme, një brez i ri kreativ queer ka zënë këto hapësira dhe platforma. "Lëvizja queer e viteve 1980 më frymëzoi të jem i guximshëm dhe i fortë në artin dhe opinionet e mia", thotë Amar Muratovic me origjinë boshnjake, i cili interpreton alter-egon e tij, Amii Queen. “Ljubljana në atë kohë ishte revolucionare, ikonike, e guximshme; ata ndërtuan një hapësirë ​​të sigurt për ne.” Magnus themeloi Club Tiffany në lagjen Metelkova të qytetit, ku Muratovic është interpretues i rregullt.

Vendi është qendër autonome e artit kulturor, e cila i kushton vëmendje të veçantë edukimit të të rinjve. “Ne përpiqemi të bëjmë të mundur që sa më shumë persona LGBTQ+ të bëhen operatorë kulturorë, artistë, interpretues, shkrimtarë apo poetë”, thotë Skof. "Përveç aktivizmit kulturor, aktivizmi i lidhur me HIV dhe aktivizmi social luajnë një rol integral në punën tonë."

Megjithatë, ndërsa trashëgimia e Magnus ka rrënjë të thella, e ardhmja e tij mbetet e pasigurt. Në vitin 2020, kryeministri slloven, Janez Jansha shpalli "luftë kundër kulturës", e parë gjerësisht si përpjekje për të kontrolluar institucionet kryesore kulturore dhe për t'i drejtuar ato drejt idealeve më konservatore dhe nacionaliste. Muajt ​​në vijim u pasuan me zhvillime. Kuratorët dhe drejtuesit kryesorë në muzetë e Sllovenisë u larguan nga postet e tyre mes akuzave për presion politik, ndërkohë që shumë OJQ  migrante ose me prirje të majtë u gjetën para përfundimit të kontratave të qirasë nga ana e pronarëve. Për fat të mirë, Club Tiffany është ende në funksion, por ndërsa situata politike përkeqësohet, mbyllja mbetet një mundësi e afërt.

Pothuajse katër dekada nga viti 1984, Sllovenia është sërish në një udhëkryq ideologjik. “Ne kemi parë një rritje të homofobisë së hapur në parlament dhe, natyrisht, në mediat sociale. Gjuha e urrejtjes ka arritur lartësi të reja”, thotë Skof. Shumë kanë frikë se me politikanë anti-LGBTQ+ që po fitojnë mbështetje në të gjithë Evropën Lindore, Sllovenia mund të jetë e para që do të ndjekë shembullin. “Ne kemi zgjedhje në pranverën r vitit 2022,” thotë Skof. “Do të duhet të presim dhe të shohim.”

The Calvert Journal 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.