Analiza/ Nafta në vend është rritur me 18% në raport me fillimin e vitit. Bie ndjeshëm në bursa, tregtohet në nivele rekord në Shqipëri

Postuar në 31 Korrik, 2015 01:08

Çmimet e naftës në bursat ndërkombëtare kanë rënë gjatë kësaj jave në nivelin më të ulët që nga shkurti i këtij viti, duke zbritur deri në 52.28 dollarë, raporton “Monitor”. Në raport me fillimin e këtij viti, nafta në vend është rritur me 18%. Nëse ajo do të shtrenjtohet sërish në bursat ndërkombëtare, atëhere karburanti në tregun vendas duket se do të shkojë drejt një ekuilibri dhe rekordi të ri, mbi 200 lekë/litër.

Sipas analizës së bërë nga “Monitor”, në tregun shqiptar nafta ka pasur një sjellje mes dy esktremeve. Në janar ajo ra nën 160 lekë për litër, pasi në tregjet ndërkombëtare ajo zbrit nën 50 USD/fuçi, ndërkohë që presioni në media ishte i lartë, por dhe Autoriteti i Konkurrencës hapi një hetim për abuzim me pozitën dominuese. Llogaritjet e atëhershme tregonin se çmimi i naftës në tregun vendas luhatej pranë niveleve minimale, me marzhe të ulëta fitimi, çka bënë që dhe Autoriteti i Konkurrencës të mbyllte hetimin. Në shkurt, nafta filloi të rritej tek ne (tre herë nga 5 lekë për litër), duke reflektuar tregjet ndërkombëtare, por dhe forcimin e dollarit, që u rrit nga 117 lekë në fillim të janarit, në 125 lekë në shkurt.

Në mars, ndonëse nafta ra në bursa, kjo nuk u reflektua në tregun e brendshëm, teksa dollari kishte arritur në rekordin e 133 lekëve. Në prill, kur nafta shkoi në bursa në 67 USD/fuçi, ajo u rrit sërish në tregun e brendshëm (me 3 lekë për litër), teksa dollari mbeti në nivelet e marsit. Në maj dhe qershor, nafta u rrit sërish 2-3 lekë, gjithsej me 10 lekë për litër, ku sërish si argumenta ishin dollari i fortë dhe rritja e naftës në tregjet ndërkombëtare (grafikët e mëposhtëm tregojnë se si dollari tek ne ashtu dhe nafta në bursa ishin në nivele, që ishin reflektuar një herë).

Aktualisht nafta në tregun e brendshëm tregtohet në nivelin e 180-188 lekë për litër, me një mesatare prej rreth 185 lekë për litër, afër niveleve rekord të arritura në janar 2014, kur nafta në bursa ishte afër 120 dollarëve për fuçi. Në raport me atë periudhë, dy faktorë të brendshëm, që ndikojnë në shtrenjtimin e naftës, janë taksa e qarkullimit prej 10 lekë për litër nga 1 janari 2015 dhe dollari më i shtrenjtë (në janar 2014 ishte 103 lekë, sot është rreth 127 lekë), ndërsa në kahun tjetër, nafta në bursa është gjysma e asaj që ishte në janar 2014.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.