Një vizitë që duhet kapitalizuar dhe jo vetëm festuar

Postuar në 07 Korrik, 2015 21:32

Angela Merkel, kancelarja e Gjermanisë, do të jetë sot në Tiranë. Vizita është paraprirë nga shumë komente, vështrime dhe përcaktime me natyrë politike, që e vendosim atë në një kuadër të thellimit të marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve. Por thuasje si në çdo rast të ngjashëm, emocioni pozitiv i pritjes së një miku kaq të rëndësishëm, i ka hapur rrugën edhe shfaqjeve të panevojshme, si ndërhyrja në katin e parë të godinës së kryeministrisë, apo pompimi i vizitës si pjesë e suksesit politik të kryeministrit të Shqipërisë. Analogjikisht të njëjtën lojë bëri dikur me vizitën e Bushit edhe Sali Berisha.
Nëse do t’i vëmë një metër objektiv diskutimit, na duhet të pranojmë se bujtje të këtij niveli në Shqipëri, më shumë motivohen nga arsye gjeopolitike rajonale. Në këtë kuptim, nuk ka një politikë gjermane për Shqipërinë, jashtë fokusit të Ballkanit Perëndimor. Kjo është bërë e qartë edhe nga Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili do ta përkufizonte kështu domethënien e vizitës: “Gjermania është vendi me peshën kryesore në BE, dhe besoj se ka kuptuar më së miri rëndësinë gjeopolitike dhe gjeoekonomike që ka Ballkani Perëndimor në raport me Europën, me atë që konsiderohet BE. Kriza në Ukrainë, në Lindjen e Mesme, fenomenet e terrorizmit, fenomenet që kanë ndërtuar apo që kanë vënë në pikëpyetje arkitekturën e sigurisë europiane, kriza greke e cila po shpërfaqet në të gjithë dimensionet e saj, besoj se e kanë bërë Gjermaninë më të vëmendshme për t’u angazhuar së bashku me vende të tjera të BE-së, me institucionet e BE-së dhe me institucionet e tjera financiare ndërkombëtare, dhe pse jo me partnerë në botën e tregut privat, për të mbështetur një angazhim më të struktuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për ta transformuar Ballkanin Perëndimor në një rajon të vërtetë në kuptimin politik, në kuptimin ekonomik të fjalës, çka nuk është i tillë”(http://www.zeriamerikes.com/content/article/2849644.html). Me të njëjtën optikë e trajtonte sot vizitën edhe agjencia gjermane “Deutsche Welle”, që vinte theksin sidomos te Serbia dhe Bosnje-Hercegocina në këtë tur ballkanik të kancelares, të cilit i mungon si destinacion Shkupi. Berlini zyrtar është investuar shumë në uljen e tensioneve në marrëdhëniet serbo-shqiptare, ka moderuar me anë të presionit qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës dhe monitoron vazhdimisht dialogun Beograd – Prishtinë. Prezenca e Merkelit e konfirmon këtë politikë, e cila ka rëndësi për sigurinë në përgjithësi dhe i bën të tingëllojnë si adoleshenteske deklaratat me theks nacionalist të Edi Ramës. “Vëzhguesit thonë se Kancelarja Merkel në Tiranë do ta ketë më lehtë se në Sarajevë apo Beograd. Nga këndvështrimi i Perëndimit, Shqipëria "është një faktor stabiliteti në Ballkan", thotë Dushan Reljiq. Ai pret që Merkel të kërkojë në mënyrë diskrete nga Kryeministri Edi Rama që të mos deklarohet më për Shqipërinë e Madhe dhe projektet e ngjashme nacionaliste, të cilat përfshijnë Shqipërinë, Kosovën dhe disa pjesë të Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë”, shkruan “DW”.

Përveç kontekstit gjeopolitik, është edhe ai ekonomik e social. Në këtë të dytin, do të ishte e udhës që diplomatët apo politikanët të sqaronin më mirë opinionin shqiptar. Pasi suksesi në këtë fushë, provon edhe se si klasifikohet Shqipëria dhe sa e aftë është ajo të thithë investimet kaq shumë të nevojshme për gjallërimin e ekonomisë.
Është paralajmëruar që Merkel mund të flasë në konferencën e përbashkët për shtyp për çështjen e emigracionit, për të përsëritur edhe njëherë se Gjermania nuk ofron azil. Nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë emigrimi i shqiptarëve të Shqipërisë drejt Gjermanisë konfirmohet si një problem serioz nga Berlini, i cili nuk mund të shihet si pasojë vetëm e një keqkuptimi siç na thotë kryeministri.
Në planin ekonomik, Shqipëria vjen në takim me kancelaren me një paradhënie prej 118 milionë euro, të destinuara kryesisht për sektorin energjetik dhe biznesin, nënshkruar në formën e 6 marrëveshjeve tri ditë më parë. Po kështu Tirana zyrtare u kujdes që të amplifikonte inaugurimin e Tirana Buisness Park, një investim nisur që në kohën e Berishës dhe nisjen e aktivitetit në Shqipëri të kompanisë gjermane “Forschner”, “një emër i mirënjohur në sektorin automotiv”, siç e cilësoi Kryeministri Edi Rama. Mirëpo siç mund ta dimë të gjithë Merkel nuk është Erdogan, që deklaron publikisht se nëse largoni shkollat dhe investimet e Gulen, Turqia mund t’ua zëvendësojë. Berlini po përsërit përherë e më shumë së fundmi, kërkesën për forcimin e shtetit ligjor, meqenëse investimet kushtëzohen pikërisht nga kjo gjë. Gjyqësori është një pikë kritike, por nëse i besojmë raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, nuk është vetëm ky sistem, pasi “korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes”. Me Gjermaninë duket se nuk funksionon dot as truku publicitar që kryeministri zhvillon në shëtitjet në Itali, ku me një mikrofon në dorë, u thotë italianëve: “Ejani në Shqipëri. Nuk ka sindikata, ka taksa shumë të ulëta dhe shqiptarët janë italianë që nuk veshin Versaçe”.
Po kështu nuk është e qartë akoma, nëse kjo gjermanofili e fundit, është qasje e qëndrueshme për një partner të besueshëm dhe të preferuar, pragmatizëm për Integrimin, apo përpjekje e dëshpëruar për ca lekë më shumë. Ish-ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Bashkim Zeneli, nënvizonte në një intervistë për gazetën “Shekulli” sot se: “Unë dua të theksoj se mbështetjes së jashtëzakonshme politike që Gjermania na ka dhënë ndër vite, nuk i jemi përgjigjur me “hapje të portave” tona për investime e sipërmarrje të ndryshme. Ndaj ne duhet të punojmë bindshëm që Gjermania ta shohë realisht, pa asnjë rezervë, Shqipërinë, si mundësi investimesh të mëdha, e të shtimit të shkëmbimeve ekonomike e tregtare. Për vitin 2014, midis Shqipërisë dhe Gjermanisë rezulton një volum shkëmbimesh prej 300 milionë euro. Kjo është fare pak dhe do të thosha është e papranueshme. Dhe në këtë shifër rreth 240 milionë euro janë importe gjermane dhe 60 milionë euro janë eksportet tona drejt Gjermanisë”(http://www.shekulli.com.al/p.php?id=281644). Për krahasim, Maqedonia fqinje, në vitin 2013, kishte një bilanc tregtar me Gjermaninë në vlerën e 1.7 miliardë eurove(http://www.auswaertiges-amt.de/EN/Aussenpolitik/Laender/Laen...). (http://www.auswaertiges-amt.de/EN/Aussenpolitik/Laender/Laen...). Të vihet re se Maqedonia nga vëllimi 1.7 mld euro, zë peshën kryesore me eksporte që shkojnë në 1.154 mld euro. Të krahasohen këto shifra me bilancet tregtare të Shqipërisë me Gjermaninë, e cila është partneri i gjashtë i Shqipërisë, por edhe me partnerë të tjerë kryesorë. Shifrat janë me të vërtetë shifra me “shtetësi shqiptare”.
Pra edhe nëse Edi Rama po dëshmon se është për porta të hapura me Gjermaninë, mbetet për t’u parë sa kjo dëshirë që po shitet në media si miqësi e madhe, do të formulojë një politikë të vërtetë në thithjen e investimeve gjermane. Dhe sa qeveria shqiptare do të jetë në gjendje që kushtëzimeve të mëdha të partnerëve, të cilat në rastin e gjyqësorit na shërbejnë të gjithëve, t’u përgjigjet me kushtëzime që do të bëjnë kthesë në praktikën e deritanishme, ku investimet nisin t’u ngjanë domeneve të falura, që më vonë përfundojnë në gjyqe ndërkombëtare. Shembulli i Rapiscan, është më flagranti, qoftë për mënyrën e operimit nga qeveritë shqiptare, qoftë edhe për nga pasojat. Sikurse na mëson se të gjithë që bujtin me veshët ngrehur nga ofertat e çuditshme shqiptare udhëhiqen nga interesi. Në çdo rast dhe nga çdo këndvështrim, vizita e Merkel është padyshim shumë e rëndësishme, për vendin tonë, por edhe për biznesin gjerman që synon të rrisë prezencën. Për këto arsye, pa i faturuar kryeministrit dhe qeverisë, përgjegjësi dhe gabime që nuk i kanë, por me të cilat kanë të bëjnë, është mirë që kjo vizitë, përpara se të cilësohet si arritje e politikës së Jashtme, të shihet për atë që është: shans gjeopolitik. Dhe përpara se të festohet me gëzim, është e udhës që ajo të kapitalizohet siç duhet. Që edhe Shqipëria të dilte njëherë e fituar.

s.z

Comments

Submitted by Eshte Thirrja e... (not verified) on

Nese u mashtruam nga Berjosha,
nuk do na falet nese shpresojme serish nga Ramushka.
Berisha kerkoi ndjese per Ligjin e Tokes, 7501,
Rama vazhon te ndaj Tapi per Ndwrtime pa Leje ne toka e troje pronaresh te mbetur ish-pronare!
Kujt do tja hidhni ju kuqo te Tiranes se tiranive te pafundme, Merkelit?!

Submitted by Grand Concourse (not verified) on

<p>Shume e mire analiza, pergezime. Te tille nuk e gjen ne asnje faqe tjeter.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.