PS: Çdo ditë borxhi publik rritet me 2.8 milion dollarë

Postuar në 08 Maj, 2013 15:28

 

Partia Socialiste ka akuzuar kryeministrin Berisha se po rrit në mënyrë të vazhdueshme borxhin publik. Sipas Ilir Beqjas, në tre muajt e parë të këtij viti, borxhi publik është rritur me 300 milionë dollarë.

“Edhe 46 ditë i kanë mbetur qeverisë së Saliut që të vijojë t’i bëjë dëme ekonomisë së vendit dhe buxheteve familjare. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave pranojnë se borxhi publik është rritur edhe rreth 300 milionë dollarë më shumë në 3 muajt e parë të vitit. Shtohet me 2,8 milionë dollarë çdo ditë. Shtohet me 140 mijë dollarë çdo orë që Saliu drejton qeverinë dhe Ridvani financat publike.

Në 31 mars 2013, borxhi publik arriti 8,6 miliardë dollarë. Borxhi rritet, por ekonomia ka ndalur. Borxhi rritet, por të ardhurat nga turizmi bien. Borxhi rritet, por papunësia nuk ulet. Borxhi rritet, por varfëria nuk zbutet.

Borxhi rritet, por edhe analfabetizmi funksional rritet. Borxhi rritet, por sistemi shëndetësor rrënohet. Modeli ekonomik ekzistues me rritje borxhi që nuk sjell mirëqenie është i shteruar”, ka thënë Beqja gjatë një konference shtypi.

Sipas tij, modeli ekonomik i kësaj mazhorance ka dështuar, ndaj duhet një model tjetër ekonomik.

“Prandaj duhet një model i ri ekonomik. Prandaj duhet rilindje edhe për ekonominë, edhe për administrimin e financave publike.

Ne jemi gati ta bëjmë realitet. Me programin tonë “Për një Rilindje Shqiptare”! Me skuadrën fituese të kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste dhe të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane! Me Edi Ramën kryeministër”,përfundoi Beqja./b.l

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.