Streha e ish-liderëve në telashe

Postuar në 26 Mars, 2024 13:31

Ish-presidenti i ekstremit të djathtë të Brazilit, Jair Bolsonaro, është strehuar në ambasadën e Hungarisë në Brasilia, kur policia federale i konfiskoi pasaportën dhe i arrestoi dy ish-ndihmës. Ngjarja ka ndodhur muajin e kaluar por është pranuar së fundmi nga avokati i Bolsonaros.

Qëndrimi i Bolsonaro në ambasadën hungareze në 12-14 shkurt u raportua fillimisht nga New York Times bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë nga brenda ambasadës.

Kjo ngre pyetje në lidhje me planet e ish-presidentit pasi ai përballet me disa hetime penale në Brazil.

Avokati i Bolsonaros, Fabio Wajngarten, tha në mediat sociale se ish-presidenti kaloi dy ditë në ambasadën hungareze "për të mbajtur kontakte me zyrtarët e vendit mik" dhe për "të marrë përditësime mbi peizazhin politik të të dy vendeve".

Çdo interpretim tjetër që shkon përtej informacionit të dhënë këtu është qartësisht i trilluar, i palidhur me realitetin e fakteve dhe është, në praktikë, vetëm një tjetër lajm i rremë”, citohet Wajngarten nga Euractive.

Të hënën në mbrëmje, Ministria e Jashtme e Brazilit thirri ambasadorin e Hungarisë për të sqaruar arsyet e qëndrimit të Bolsonaros në ambasadë.

Bolsonaro ka marrëdhënie të mira me liderin e ekstremit të djathtë, kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orbán. Bolsonaro e quajti Orbanin "vëllain" e tij gjatë një vizite në 2022 në Hungari dhe të dy u takuan këtë vit në Buenos Aires gjatë inaugurimit të Presidentit të ri të krahut të djathtë të Argjentinës, Javier Milei.

Policia sekuestroi pasaportën e Bolsonaros më 8 shkurt dhe e akuzoi atë për hartimin e një draft-dekreti për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2022, duke ushtruar presion ndaj shefave ushtarakë për t'u bashkuar me një përpjekje për grusht shteti.

Me vendim gjykate, Bolsonaro nuk ka të drejtë të mbajë poste politike deri në vitin 2030 për përhapjen e dezinformatave elektorale gjatë zgjedhjeve të 2022.

Por më shumë sesa akuzat që e çuan Bolsonaron në dyert e ambasadës hungareze, rëndësi ka pse ai zgjodhi pikërisht atë.  

Pak vite më parë, Hungaria e Orbanit i hapi dyert një politikan tjetër në telashe– ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski.

Gruevskit iu dha azil në Hungari në nëntor 2018 për shkak të pretendimeve se ishte persekutuar nga qeveria e kryeministrit të atëhershëm, Zoran Zaev.

Gruevski ishte kryeministër dhe lider i partisë VMRO-DPMNE nga viti 2006 deri në janar 2016, kur dha dorëheqjen. Në maj të atij viti, ai u dënua me dy vjet burg për akuzën e korrupsionit, por në vend që të paraqitej për të vuajtur dënimin, u arratis. Ai njihet për qëndrimin e tij pro-serb, pro-rus dhe anti-BE, dhe kundër traktatit të miqësisë të vitit 2017 të nënshkruar me Bullgarinë dhe marrëveshjes së Prespës të nënshkruar me Greqinë në 2018.

Comments

Submitted by Lexues i Rregullt (not verified) on

U be Hungaria si tryeza e mbreterve te Volterit ne Venecia

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.