Kritika demokratike për zgjedhjet ruse

Postuar në 18 Mars, 2024 18:25
Skerdilajd Zaimi

 

Ka një lloj histerie përzierë me hipokrizi në qëndrimet që po mbahen ndaj zgjedhjeve të fundit në Rusi. Një histeri që nuk dihet se cilin segment të njerëzimit ka për objektiv. Të thuash sot se Vladimir Putini vodhi zgjedhjet, apo i manipuloi, është si të thuash se pas vitit 2024 vjen viti 2025.

Kjo sepse në fakt pohimi në fjalë ka të vërteta dhe të pavërteta. Putini ka mundësinë t’i manipulojë zgjedhjet. Dhe pa kosto. Por Putin ama i fiton zgjedhjet edhe pa manipuluar. Dhe kjo pranohet edhe nga ata që e sulmojnë. Ndaj cili është qëllimi i kësaj që lexohet ngado: të ripërsërisim se presidenti i Rusisë është dikush që nuk ka lidhje me demokracinë perëndimore? Me lirinë dhe dinjitetin njerëzor?

Ky gjyq global që i bëhet një lideri si Putin ka defiçite të mëdha edhe në aspektin propagandistik. Që nga viti 2007, presidenti rus ka shpallur publikisht se Rusia e sotme distancohet dhe nuk e gjen veten në të njëjtin kuadër vlerash me Perëndimin. Në emër të këtij qëndrimi të ri politik, Kremlini ka sugjeruar konsensus për sigurinë në Europë nën formulën e bashkëjetesës së të ndryshmeve. Sigurisht që asnjë njeri me një minimum morali dhe qytetarie nuk do pranonte që të quante normal një vend dhe nje drejtues shteti që urdhëron vrasjen e kundërshtarëve, por le të mos bëjmë sikur nuk jetojmë në këtë botë dhe nuk kujtojmë mënyrën sesi SHBA, kampione e kësaj lloj demokracie që gjykon këdo sot, urdhëroi vrasjen me dron të Kasem Soleimanit apo edhe ekzekutimin e Bin Laden.

Çfarë dallimi bën këtu njëra vrasje nga tjetra?

Por nëse nuk na pëlqen kjo analogji, atëherë ne mund të shohim aspekte të brendshme të jetës politike perëndimore. Sot demokracia liberale është nën sulm frontal – të paktën kështu paraqitet – nga ekstremizmi i djathtë. Në SHBA, Donald Trump përfaqëson diçka më keq sesa ekstremizmi: ai është manifestimi i oportunizmit ekstrem me mundësitë e teknologjisë në sinergji të jashtëzakonshme me të gjithë brengën amerikane ndaj sistemit në fuqi. Sistem i cili sot shihet nga shumë drejtime se i takon vetëm një elite, në një raport që ushqen gjithfarë teorish konspiracioni.

Në Portugali, Itali, Hollandë po ashtu dhe Gjermani, e djathta ekstreme premton rritje thelbësore elektorale ndërkohë që paralel me këtë dukuri, përsëritet përherë e më shpesh si mësim historie se:

Edhe Hitleri erdhi me votë

I njëjti Perëndim po minon çdo kredibilitet kur mbështet liderë të korruptuar në rajone si Ballkani, apo që përpiqet për marrëveshje ekstraterritoriale për migracionin. Ku qëndron dallim moral mes mbështetjes që Kina apo Rusia i jep Serbisë me mbështetjen apo tolerimin që Perëndimi i bën këtij vendi?

Askund, veç faktit se Perëndimi ka dëshirën të etiketojë karakterin e shtetit në raport me demokracinë, për të cilën tashmë vetëm flet. Asgjë më shumë. Dhe më ironikja: e bën këtë ndërkohë që njerëzit më të kualifikuar të tij pranojnë se ekstremizmi i djathtë është dukuri endemike e demokracive perëndimore, me rrënjë në histori.

Ajo që përfaqëson sot një situatë atipike është pajtimi që i bëhet një regjimi kërcënues për sigurinë e Europës dhe Perëndimit si Rusia me ekstremizmin e djathtë, ndërkohë që nga përvoja historike do të duhej të kuptohej qartë se Kremlini vetëm ekstremin e djathtë nuk duhet të mbështeste. Qoftë edhe pse në Ukrainë ai formalisht po lufon me “neonazistët e Kievit”, pra me derivate ekstremiste të djthata të politikës perëndimore. Ndodh kjo pasi ekstremizmi i djathtë në Perëndim është sot diçka më e keqe sesa nazizmi i dikurshëm: ai është një ekstremizëm që performon si i tillë për të arritur pushtetin,  që mandej konformohet “me rregullat e sistemit”, duke krijuar kështu perversionin e demokracisë të cilës i asgjëson kuptimin dhe përmbajtjen e instrumenteve të veta më legjitime. Pa e përmbysur atë, thjesht duke e alienuar përmbajtjen e saj. Më keq sesa Përmbysja.

Çfarë vlere ka sot votimi krahasuar me vetem 10 vjet më parë? Mjafton të shohim se kush garon për të kuptuar se diçka nuk shkon mirë?

Çfarë vlere kanë referendumet pas manipulimit masiv që iu bë një çështjeje shumë të rëndësishme si BREXIt, pikërisht me referendum?

Çfarë vlere kanë sot të drejtat, kur i gjithë korpusi ligjor mbi të cilin ndërtohet ngrehina demokratike perëndimore është në krizë të thellë nga i gjithë ligjërimi kundër imigracionit? I cili mandej shpallet si i domosdoshëm për ekonominë!!!

Është një rreth vicioz i krijuar nga inercia e institucioneve demokratike që ndoshta siç e ka thënë studiuesi Jurgen Habermas, nuk i përgjigjen më realiteteve të reja pasi përkufizimet e tyre nacionale, janë shndërruar në kufizime efektive dhe gati në prerogativa për dogmat e reja të një konservatorizmi që mëton se mbron vlera, por në të vërtetë shpall ankthin e vet.

E gjithë kjo anarki e qetë vepron si paralizues politik, i veprimit real politik, pa të cilin Perëndimi është transformuar nga një katalizues ndryshimesh në një kritik global. Kritikë po i bëhet edhe zgjedhjeve në Rusi, në përpjekje për të izoluar një sukses që druhet se është ngjitës, por ne mund të pyesim: çfarë duhet të presim nga zgjedhjet e nëntorit në SHBA? Sidomos pas asaj që deklaroi Trump se do të bënte nëse do të humbiste? Dhe si mund të kritikosh pa pranuar Kritikë? Modeli perëndimor nuk arrin dot të tresë më botën që jetojmë. Atij i duhet të mbijetojë duke pranua bashkëjetesën. Atë bashkëjetesë për të cilën me aq mençuri foli pesë dekada më parë Bertrand Russell, por që sot po duan ta minojnë që në gjenezë ata që shpresojnë ende te dominimi. Supremacia, forca, apo ekspansioni i ideve, pa kuptuar se tashmë njerëzimi e ka humbur ëndrrën e lirisë që pati në shekullin që lamë pas. Ka humbur edhe imagjinatën për të thyer kufijtë e vetes dhe ka zbritur te stomaku. Kjo është politika sot, aty nis dhe mbaron legjitimiteti.

Comments

Submitted by Lexues i Rregullt (not verified) on

1)- Vrasja e Bin Ladenit apo Soleimanit nuk krahasohet me vrasjen e Navalnit ne asnje format apo kategori.
2)- Hitleri nuk mori shumicen e votave
3)-Neonazistet e Ukraines nuk jane derivat ekstremist i politikes se djathte perendimore ne asnje drejtim, forme apo mjet.

Zgjidhi argumentet.

Ndryshimi mes Autokracive dhe Perendimit ne gjithe kete optike eshte shume i thjeshte: Perendimoret mund ta thone lirisht cfare shkon mire ne Rusi, e anasjellta vihet shume ne dyshim. Relativizimi i ketyre vlerave mund te na gjeje serish duke prishur objekte kulti dhe duke paguar qira per apartamentet Sa per politiken....Perendimi eshte shume me teper se politika qe shohim apo lexojme

Submitted by redaksia on

Demokracia nuk eshte ushtrim retorik. Por pranoj se mund ta kem gabim. Le ta provoje koha.

Vrasja eshte vrasje kur ekzekutohet jashte shqyrtimit te te drejtave. Dhe te trija keto vrasje i bashkon nevoja politike per spektaklin e sigurise. 

Hitleri erdhi me zgjedhje ne pushtet, jo me puc.

Neonazistet e Kievit jane te tille sipa Rusise, nuk kam bere percaktim. 

Nuk po them se autokracia ruse wshtw me mire se demokracia perendimore. Po them qe demokracia tashme eshte e tille vetem si inerci, jo si kuptim real i veprimit politik. Dhe bashke me pabarazine po prodhon te kunderten e asaj qe pretendon: me elementet e vet te degradimit dhe dobesise po veteofrohet si alibi per regjime si ai i Putin. Qe nga ana e vet sherben tek ekstremi i djathte si alternativa e veprimit perballe demokracise burokratike. 

Submitted by robert thomanikaj (not verified) on

Komentuesi i pare thote: 'Perendimoret mund ta thone lirisht cfare shkon mire ne Rusi, e anasjellta vihet shume ne dyshim.'
Provoheni dhe kritikikoheni nje here perendimin dhe prekeni ne palce, e do ta shihni sa lirisht do te vazhdoni te flisni! Vertet, ka ende njerez guximtare qe i nxjerrin pislleqet perendimit, por ia dalin vetem njehere a dy here te flasin lirshem, pastaj u mbyllet cdo mundesi shprehje lirshem, per t'mos thene se pas pak muajsh pesojne atak kardiak!
Ne lidhje me Rusine, vertet pas hyrjes ne Ukrahine, Rusia e Putinit po shkon drej nje fashizmi autoritar, por jane perendimoret qe mbyllen te paret (disa dite para nisjes se luftes) kanalin TM (apo TK, se nuk me kujtohet me tani) ne internet, qe tregonte shume fakte te papelqyeshme ne perendim!
Vete kam qene nje nga ata idiote e te cmendur qe flisnin lirshem ne kohe te xhaxhit e me pas, nje nga ata idiote e te cmendur kam mbetur deri me sot, por me duket se me lirshem flisja asaj kohe, se sa sot ne demokracine perendimore!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.