Murin e Europës e rrëzojnë njerëzit dhe jo politika

Postuar në 02 Mars, 2024 17:14

Ditët e fundit në Tiranë u zhvillua një samit për Ballkanin Perëndimor. Si zakonisht u fol me deklarata premtuese për të ardhmen europiane të rajonit dhe përkatësië e tij në BE. Ky është ndër ato takime që shërben për të dhënë serumin e radhës në një rajon që mban një perspektivë nga Perëndimi, por duke u definuar në vijimësi jashtë tij. Periferi, një Europë Hibride në histori, identitet, psikologji. Ballkani i shërben identitetit europian vetëm me arkeologjinë e tij, me dyndjet e popujve dhe gjeografinë. Por jo politikën. 

Problemi historik i integrimit të rajonit që ndahet “fatalisht” nga Europa me një det, është politik. Institucional. Pasi muret në Europë i ka ndërtuar politika, që ka përpunuar vija dhe antropologji fiktive në funksion të sigurimit të një identiteti perëndimor që i korrespondon atij që Le Goff e quajti Perëndimi Mesjetar. 

Linja e Teodosit, vija Jireçek janë vetëm dy aplikime akademiko-politike që sa për lehtësi studimore, aq edhe për program politik ngjizën përfytyrime të caktuara praktike. 

Vijat ushtarake mandej erdhën e trazuan më shumë një hapësirë që po injoronte kështu një histori të ndërlikuar shumëshekullore që u thjeshtua me pedagogjinë e marshimit nacionalist, deri kur konflikti, pra vdekja në shkallë industriale dhe emigracioni masiv dhanë "mësimin Zero" për ndërgjegjen e përbashkët europiane. 

Kjo përvojë u riafirmua me dy episode të reja në kohët e fundit: rrëzimi i Murit të Berlinit më 1989, një mur i ndërtuar nga Politika dhe i militarizuar për të ezauruar edhe Armagedonin dhe eksodi i 1990 i shqiptarëve, arratisur nga një vend që së fundmi po përpiqen t’ia ekzotizojnë historinë kur e quajnë Korea e Veriut e Europës.

Është pra e qartë se politika ndërton muret sa herë njofton rrëzimin e tyre, zgjat krizat sa herë propagandon plane paqeje aq sa p.ah vendimi i Donald Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, përfaqëson në këtë kontekst një akt politik tërësisht atipik për politikën e lëngatës që udhëhiqet nga konferencierët e përjëtshëm të paqes. 

Ironikja dhe për rrjedhojë dramatikja e kësaj situate është sot fakti se askush nuk di të shpjegojë në BE se pse Shqipëria, Serbia, apo Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, nuk mund të jenë anëtarë të BE-së. Miliona ballkanas punojnë në BE dhe miliona europianë bëjnë turizëm në Ballkan. Por edhe janë zhvendosur. Atë që nuk do ta bëjë politika po e bëjnë njerëzit dhe këtu meriton një vërejtje fakti se copëza e Murit të Berlinit, e vendosur në selinë e PE-së për të invokuar bashkimin, na kujton edhe njëherë se njerëzit bëjnë atë që politika e burokratëve nuk është në gjendje as të imagjinojë. 

Një azilkërkues shqiptar, një student e kështu me radhë janë shumë më tepër agjentë të Europës në Ballkan dhe në BE sesa çdo samit, çdo takim dhe çdo premtim. Te kjo lëvizje ngjizet historia e re, bien kufijtë imagjinarë dhe me shpresë shpërbëhet edhe ajo burokraci që shfaqet konservatore edhe në raport me interesin e vet, të cilin po e refuzon për shkak të ankthit fiziologjik që kanë organizmat e sëmurë. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.