Ballkani i sotshëm, pasojë e ristrukturimit me forcë të hapësirës jugosllave

Postuar në 01 Mars, 2024 20:01

Më poshtë një intervistë e ambasadori të Federatës Ruse në Shqipëri, Mikhail Afanasiev, dhënë për MCN Tv:

 

Zoti ambasador Mikail Afanasiev që nga shkurti i vitit 2022 lajmet që lexojmë për Rusinë në thuajse të gjitha mediat ndërkombëtare lidhen me Ukrainën. Pushtim, apo operacion special ushtarak, çfarë është tashmë kjo që nisi dy vjet më parë? 

 Para së gjithash, dua të vërej se kriza në Ukrainë nuk lindi në shkurt 2022, por 10 vjet më parë, kur me mbështetjen aktive të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, në Kiev u krye një grusht shteti i armatosur dhe në pushtet erdhën forcat radikale nacionaliste. E gjithë kjo pati pasoja shkatërruese për vendin. Në fillim popullsia e Keivit, e cila refuzoi të njihte diktatin e puçistëve, votoi për shkëputjen e gadishullit nga Ukraina dhe për ribashkimin me Rusinë.

Fill pas kësaj, shpërtheu konflikti në Donbas, ku njerëzit kërkuan prej autoriteteve ukrainase respektimin e të drejtave të tyre legjitime, përfshirë të drejtën për të folur dhe për të shkruar në gjuhën amtare, për të mësuar fëmijët në këtë gjuhë. 

Si përgjigje, Kievi i akuzoi të gjithë banorët e rajonit jug-lindor për “tradhti shtetërore” dhe “terrorizëm”, dërgoi ushtrinë e rregullt dhe batalionet neonaziste ndëshkuese për të shtypur protestat. 
Ndaj banorëve të Donbasit u vendos një bllokadë çnjerëzore sociale, ekonomike dhe e transportit. Nisën bombardimet e përditshme dhe goditjet me raketa, si rezultat i të cilave humbën jetën më shumë se 14 mijë civilë, përfshirë 130 fëmijë.  Pra, lufta në Ukrainë u nis që në vitin 2014, nga vetë Kievi kundër popullit të vet.  Rusia në mënyrë të përsëritur, dhe këtë e dinë mirë të gjithë, ka propozuar të gjendet një zgjidhje e problemeve në Ukrainë me mjete paqësore. 

Plani realist i rivendosjes së paqes dhe tërësisë territoriale të Ukrainës u përfshi në të ashtuquajturin “Kompleksi i masave për përmbushjen e Marrëveshjeve të Minskut”, të nënshkruar në shkurt 2015. 

Asnjë prej pikave të këtij dokumenti nuk u zbatua nga pala ukrainase.  Për më tepër, udhëheqja e Ukrainës dhe ish-zyrtarët e lartë nga Gjermania dhe Franca, të cilët morën pjesë në hartimin e kompleksit të masave, më vonë deklaruan hapur se nuk kishin ndërmend të përmbushnin Marrëveshjet e Minskut dhe thjesht po tërhiqnin Donbasin dhe Rusinë për hunde për një arsye: për të fituar kohë për përgatitjen e Ukrainës për operacione ushtarake në shkallë të gjerë, përfshirë edhe në territorin e Rusisë, me qëllim kthimin me forcë të Krimesë. 

Në plan ishin edhe territoret e Kubanit, të cilat pretendoheshin të ishin gjithashtu “ukrainase”. Në fund të vitit 2021 Kievi deklaroi hapur se refuzonte Marrëveshjet e Minskut dhe nisi realizimin e skenarit ushtarak të “kthimit” të Donbasit në përbërje të Ukrainës. 

E gjithë kjo nuk mund të injorohej më. Më 21 shkurt 2022, Rusia njohu pavarësinë e Republikës Popullore të Donetskut (DPR) dhe Republikës Popullore të Luganskut (LPR), ndërsa më 24 shkurt u mor vendimi për të filluar operacionin special ushtarak për mbrojtjen e Donbasit dhe të popullsisë ruse, për demilitarizimin dhe denazifikimin e Ukrainës, si edhe për eliminimin e kërcënimeve ndaj sigurisë së Rusisë, që vinin nga territori ukrainas. 

Nënvizoj se gjatë operacionit special ushtarak, Rusia kërkon vetëm të përfundojë atë luftë, të nisur nga Kievi në 2014 me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Perëndimit. 
Përveç kësaj, gjatë përmbushjes së detyrave në kuadër të operacionit special ushtarak, Forcat e Armatosura të Rusisë, në dallim nga forcat e armatosura të Ukrainës, nuk shkatërrojnë me qëllim infrastrukturën civile dhe nuk godasin zonat e banuara nga sistemet e raketave lëshuese të shumëfishta, por bëjnë gjithçka e mundshme për të ruajtur objektet sociale dhe jetët njerëzore. 

Ka diskutime të shumta mbi ecurinë e luftimeve në terren, mbi operacionet sulmuese dhe armatimin përherë e më të madh që po dislokohet në Ukrainë. Në Perëndim thonë se kjo do jetë një luftë e gjatë. Dhe çfarë mendojnë për këtë në Rusi? 

Në dallim nga regjimi i Volodymyr Zelensky, i cili ndërpreu, dhe më pas i ndaloi vetes në nivel legjislativ të zhvillonte çdo bisedim me Rusinë, Moska mbetet e hapur për një zgjidhje diplomatike të krizës. Këtë qëndrim e konfirmoi së fundmi presidenti Vladimir Putin në intervistën e tij për gazetarin amerikan, Tucker Carlson, më 6 shkurt të këtij viti.   

Më lejoni t’iu kujtoj se bisedimet e para për rivendosjen e paqes në Ukrainë u zhvilluan në Stamboll, në mars 2022, gjatë të cilave u arrit një fazë mjaft e lartë dakordësimi për qëndrimet midis palëve. Marrëveshjet e Stambollit madje u nënshkruan paraprakisht nga pala ukrainase. Megjithatë, pasi ne tërhoqëm forcat tona nga Kievi, si një gjest “i vullnetit të mirë”, Ukraina “shkeli me këmbë” të gjitha këto marrëveshje dhe ndoqi direktivat e vendeve perëndimore, para së gjithash të Britanisë dhe të SHBA-së, për të luftuar kundër Rusisë deri në “fundin fitimtar” dhe deri në “ukrainasin e fundit”. Ukrainasit në Londër dhe Uashington nuk merren në konsideratë: do të vdesin qindra mijëra më shumë apo më pak, nuk ka rëndësi. 

Këtë e pranoi në fund të muajit nëntor 2023, David Arahamia, kreu i grupit parlamentar i partisë qeverisëse “Shërbëtori i popullit”, i cili deklaroi se veprimet ushtarake në Ukrainë mund të kishin përfunduar pranverën e vitit 2022, por pas bisedimeve ruso-ukrainase në Stamboll, kryeministri britanik i atëhershëm, Boris Johnson mbërriti me nxitim në Kiev dhe i bëri thirrje Volodymyr Zelenskyt të mos nënshkruante asgjë me Rusinë dhe “vetëm të luftonte”.  Në parim, konflikti ukrainas edhe tani mund të përfundojë brenda disa javësh. Për këtë duhet që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore të ndalojnë së furnizuari regjimin kriminal të Zelenskyt në Kiev me armë dhe ta detyrojnë atë të ulet në tryezën e bisedimeve.

Kuptohet, në këto negociata, Rusia do të marrë parasysh realitetet e reja, tashmë të formuara, dhe do të ndjekë qëllimet që i ka vendosur vetes, demilitarizimin dhe denazifikimin e Ukrainës, por vetëm në rrugë diplomatike, paqësore. Këtë duhet ta kuptojnë mirë në Kiev dhe në kryeqytetet e tjera evropiane, të cilat dëshirojnë t’i shkaktojnë Rusisë një “disfatë strategjike”. Në të kundërt, dhe për këtë kanë folur në mënyrë të përsëritur muajin e fundit presidenti Vladimir Putin dhe ministri Sergei Lavrov, me Kievin nuk kemi çfarë flasim më. 

A është i mundur një përshkallëzim i krizës ukrainase dhe çfarë po thonë në Moskë për stërvitjet ushtarake të NATO-s në Evropë? 

Nga të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, në mbështetje të Ukrainës në një mënyrë apo një tjetër, janë përfshirë 54 vende, domethënë, i gjithë blloku i NATO-s dhe një numër vendesh të tjera properëndimore. 

Vendet e NATO-s në synimin e tyre për të shkatërruar me çdo kusht Rusinë, nëpërmjet ukrainasve, në fushën e betejës, për t’i shkaktuar asaj një “disfatë strategjike”, për të cilën ka deklaruar shpesh kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrel, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, por edhe politikanë të tjerë amerikanë dhe evropianë, vetëm sa kontribuojnë në destabilizimin e sistemit global dhe rajonal të sigurisë, në lindjen e pikave të reja të tensionit në të gjithë botën, duke e shtyrë planetin drejt një Lufte të Tretë Botërore, si rezultat i së cilës në Tokë mund të mos mbetet askush dhe asgjë. 

Në kontekstin e thirrjeve të vazhdueshme të Rusisë për depërshkallëzimin e situatës në Ukrainë, vendimi i bllokut të Atlantikut të Veriut për të zhvilluar stërvitjet më të mëdha të koalicionit që nga Lufta e Ftohtë, “Steadfast Defender 2024”, ngre shumë pikëpyetje. Manovrat mbartin një karakter të hapur provokativ. Ato janë një demonstrim i qartë i forcës dhe nuk kanë aspak një natyrë paqësore apo humanitare. Për disa muaj, pranë kufijve rusë, në territorin nga Norvegjia në Rumani, do të veprojë aktivisht një grup prej 90.000 trupash nga 31 vende anëtare të NATO-s dhe Suedia. 

Ky hap synon qëllimisht të përkeqësojë situatën në kontinentin evropian dhe, natyrisht, rrit rreziqet e incidenteve të mundshme ushtarake. Në fund të fundit, e gjithë kjo mund të çojë në pasoja tragjike për Evropën. 

Në bllokun e Atlantikut Verior nuk e fshehin faktin se gjatë stërvitjeve do të përmbushin detyra për “zmbrapsjen e kërcënimit rus”. Që aleanca po përgatitet për një konflikt me Rusinë, këtë e deklaroi Kryetari i Komitetit Ushtarak të saj, admirali Robert Bauer. Komente të tilla janë dëgjuar vazhdimisht edhe nga udhëheqja e vendeve të NATO-s.

Para pak ditësh presidenti i Francës, Emmanuel Macron madje bëri thirrje për të dërguar në Ukrainë trupa nga vendet e Bashkimit Evropian për të marrë pjesë drejtpërdrejt në veprimet ushtarake kundër Rusisë. Ide të tilla dëshmojnë se disa politikanë perëndimorë kanë humbur tashmë ndjenjën e realitetit dhe janë gati të “groposin” Evropën.  Në këtë kontekst edhe Ukraina vepron sikur dëshiron që “kriza ukrainase” të kapërcejë kufijtë e saj, për të tërhequr NATO-n, pa ndonjë “retushim” ligjor, në një konflikt të armatosur me Rusinë. Unë nuk mendoj se popujt e Evropës, veçanërisht ata që përjetuan dhe kujtojnë Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, që nuk “u ngritën” ekonomikisht falë tyre, si Shtetet e Bashkuara që sot kryesojnë NATO-n, kanë nevojë për perspektivën e urisë, të shkatërrimit dhe të vuajtjeve. Siguria duhet të jetë unike dhe e pandashme për të gjithë.  

Nuk flas tashmë për rrezikun gjithnjë e në rritje të një konflikti bërthamor global, i cili ka vetëm një fund, zhdukjen e të gjithë njerëzimit. 

Zoti ambasador, gjatë kësaj jave në Tiranë u organizua Samiti i Ukrainës, madje për herë të parë, Presidenti Volodymyr Zelensky vizitoi Shqipërinë. Si e pate ju këtë organizim ndërkombëtar si dhe mesazhet që u dhanë për konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë?

Siç e dini, ky nuk është udhëtimi i parë i Volodymyr Zelenskyt në vendet e botës. Ballkani, me sa duket, ishte vendi i fundit ku ai nuk kishte qenë. Asgjë të re për veten tonë nuk dëgjuam.  Nga podiumet në Tiranë u shprehën sërish akuza të pabaza në adresë të vendit tonë për “agresion të paligjshëm dhe të paprovokuar kundër Ukrainës”, u promovua teza e rëndomtë se është e domosdoshme që Rusisë t’i shkaktohet “një humbje strategjike në fushën e betejës”, si edhe kërkesa për furnizimin e Kievit me armë moderne perëndimore. 

Regjimi i Kievit e përdori këtë platformë për të promovuar të ashtuquajturën “Formula e paqes” e Zelenskyt, e cila, në fakt, është një grup dëshirash ultimative të tij dhe, në thelb, kërkon kapitullimin e Rusisë, tërheqjen e trupave ruse nga territori i Donbasit, Krimesë, rajonet e Zaporizhia-s dhe Khersonit, pagesën e dëmshpërblimeve, dorëzimin në gjykatat ndërkombëtare, etj.  Kjo “formulë” është absolutisht një rrugë pa krye. Ne kemi folur për këtë vazhdimisht. 

Por nëse nuk kanë me se të merren, nëse kanë nevojë të demonstrojnë disa gjeste në mënyrë që Ukraina të mos harrohet, përfshirë në Ballkanin Perëndimor, atëherë veprimet e ukrainasve janë mjaft të kuptueshme.

Ne jemi të bindur se një zgjidhje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme dhe e drejtë është e mundur vetëm, nëse regjimi i Kievit do tё pёrfundojё luftimet dhe sulmet terroriste, ndёrsa sponsorët e tij perëndimorë, pompimin e Forcave tё Armatosura të Ukrainës me armë. 

Për më tepër, duhet të konfirmohen themelet origjinale të sovranitetit të Ukrainës, statusi i saj neutral, jashtё blloqeve dhe jo-bërthamor. 

Duhet të njihen realitetet e reja territoriale të krijuara si rezultat i pёrdorimit nga banorët e rajoneve të reja ruse të së drejtës për vetëvendosje të sanksionuar në Kartën e OKB-së, duhet të sigurohen çmilitarizimi dhe denazifikimi i Ukrainës, të drejtat e qytetarëve të saj rusishtfolës dhe pakicave kombëtare. Zbatimi i këtyre elementeve pёrputhet plotësisht me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, për të cilat po lufton Rusia.

Si ndikoi bashkimi i Shqipërisë sanksioneve anti-ruse në marrëdhëniet me Rusinë? 

Duhet të konstatojmë se kontaktet diplomatike-politike dhe marrëdhëniet tregtare-ekonomike midis vendeve tona janë praktikisht në nivelin zero. Dhe ky proces nuk filloi dje, dhe jo për fajin tonë. 
Në politikën e tyre të jashtme, autoritetet shqiptare solidarizohen plotësisht me qëndrimet dhe qasjet e udhëheqjes së NATO-s dhe Bashkimit Evropian, përfshirë krizën ukrainase, pa dashur as të dëgjojnë madje se çfarë thotë Rusia. 

Për fat të keq, Shqipëria qëndron në ballë të mbështetjes së sanksioneve paligjshme anti-ruse, të vendosura nga Perëndimi, është e angazhuar politikisht për të mbështetur nisma dhe iniciativa të ndryshme pro-ukrainase në kuadër të OKB-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare, ofron përkrahje për të ashtuquajturat “Platforma e Krimesë” dhe “Formula e paqes së Zelenskyt”, por edhe për forume të tjera anti-ruse. 

Dje në Tiranë, në kuadër të të ashtuquajturit “Forumi Ndërkombëtar për Ukrainën”, ndodhej për një vizitë Volodymyr Zelensky. Nuk mendoj se populli shqiptar, i cili luftoi në territorin e vet kundër pushtuesve fashistë gjatë Luftës ë Dytë Botërore dhe që dha 28 mijë jetë për liri, simpatizon ideologjinë neonaziste që ka përpirë regjimin e Kievit, dhe t’i ofrojë atij mbështetje. 

Në kontakte me shqiptarë të thjeshtë që nuk kanë lidhje me politikën, ne dëgjojmë vazhdimisht fjalë përkrahjeje në adresën tonë dhe kritika ndaj luftënxitësve amerikanë. Nuk besoj se propaganda perëndimore do të mund të “mashtrojë” shqiptarët që mendojnë.

A ka shpresë për një rikthim të normalitetit në marrëdhëniet ruso-shqiptare?

Mendoj se po. Rusia nuk inicioi ftohjen e marrëdhënieve me Shqipërinë. Kjo nuk është zgjedhja jonë. Rusia i ofroi Shqipërisë zhvillimin e dialogut dhe ndërveprimit konstruktiv brenda Këshillit të Sigurimit të OKB-së në periudhën 2022-2023, kur ajo ishte anëtare jo e përhershme e tij, për fat të keq, më kot.

Sidoqoftë, diplomacia ruse zgjidh të njëjtën detyrë për të gjithë, të zhvillojë, dhe jo të “varrosë” marrëdhëniet me një shtet ose një tjetër.

Vendi ynë ka çfarë t’u ofrojë partnerëve të huaj, përfshirë Shqipërinë, në rast të marrëdhënieve normale dhe jo armiqësore. Sot, Rusia është një vend i teknologjive të larta, i cili ndërton makineri, automobila dhe robotë për shpërndarje, aeroplanë dhe raketa hapësinore, anije dhe nëndetëse, zbulon mënyra të reja për të trajtuar sëmundjet dhe krijon preparate mjekësore përparimtare, zhvillon industrinë globale të IT. 

Më lejoni t’ju kujtoj se Rusia ishte një nga vendet e para në botë që i ofroi Shqipërisë vaksinën e saj “Sputnik” gjatë pandemisë së koronavirusit.

Vjeshta e vitit 2024 shënon 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Rusisë dhe Shqipërisë. Ne kemi shumë për të kujtuar, duke përfshirë shumë gjëra të mira. Koha kalon, por brezi i vjetër ende kujton dhe është mirënjohës për ndihmën në ndërtimin e vendit që populli sovjetik i dha Shqipërisë mike në vitet 1945-1961. Kjo mirënjohje na transmetohet ndër breza shqiptarësh edhe sot e kësaj dite. Ne e vlerësojmë këtë dhe besojmë se do të vijë dita kur marrëdhëniet midis vendeve tona do të përmirësohen. 

Në aspektin moral dhe shpirtëror, popujt rus dhe shqiptar janë të afërt dhe kanë të përbashkëta shumë vlera, të cilat nuk do të mund t’i gjeni më në Perëndim. Kjo është një platformë e mirë për të parë me optimizëm të ardhmen e marrëdhënieve ruso-shqiptare.

Me pak fjalë, Moska është e gatshme të rivendosë me Tiranën një bashkëpunim të gjithanshëm dhe me dobi të ndërsjellë, në rast se dhe në kohën kur këtë do ta dëshirojë vetë pala shqiptare. Fatkeqësisht, ndonjë lëvizje pozitive ne nuk po shohim ende.

Disa politikanë shqiptarë akuzojnë Moskën për financimin e partive politike në Shqipëri. Më herët ka patur akuza se nga Rusia ka financime edhe për media shqiptare. Cili është komenti juaj për këto akuza? A i keni diskutuar këto çështje me autoritetet shqiptare?

Disa politikanë shqiptarë dhe publicistë lokalë të angazhuar në politikën e brendshme, por edhe të jashtme gjithashtu, përdorin çdo mundësi, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore, për të fajësuar Rusinë, Kremlinin, Vladimir Putinin, rublën ruse për të gjitha problemet e vendit dhe gabimet e udhëheqjes së tij, si dhe për të gjetur “gjurmë ruse” atje, ku nuk ka.  Vendi ynë akuzohet jo vetëm për financimin e mediave të huaja dhe partive politike, por edhe për përpjekjet për të ndikuar në proceset zgjedhore. Flitet shumë për synimin e Moskës për të destabilizuar situatën në Ballkan, për të hapur, gjoja, këtu një “front të dytë”, me qëllim largimin e vëmendjes së NATO-s nga konflikti në Ukrainë. 

Periodikisht, shfaqen materiale për “spiunë rusë në zemër të Evropës”, etj. Kjo është tabloja e përgjithshme për të gjithë Evropën e sotme, që punon në një vrull të përbashkët për promovimin e prapagandës anti-ruse. 

Skenarët shkruhen pas oqeanit, në Shtetet e Bashkuara, të cilat zotërojnë shumicën dërrmuese të mediave botërore. Nga andej edhe lëshohen komanda për ekzekutimin e urdhrave. Rusia ka mohuar vazhdimisht akuza të tilla. 

Të gjitha këto deklarata janë një sërë klishesh propagandistike që nuk i qëndrojnë asnjë kritike. Unë do të doja të theksoja se deri më tani nuk është paraqitur asnjë provë reale që do të mbështeste disi spekulime të tilla. 

Gjithçka është në nivelin e “highly likely”... të hodhën baltë, pastrohu vetë. Këto çështje me politikanët shqiptarë ne nuk i kemi diskutuar. Është një gjë të hedhësh akuza të pabaza kundër nesh nga media ose nga tribunat e forumeve të ndryshme, është një gjë tjetër të veprosh me fakte dhe informacione që meritojnë vëmendje. Ne përpiqemi t’i përgjigjemi të gjitha spekulimeve dhe shpifjeve më të urryera në adresë të Rusisë dhe udhëheqjes së saj përmes faqeve tona në rrjetet sociale. Po përhapim këtu informacionin tonë, alternativ ndaj atij perëndimor, të cilin, megjithatë, tashmë e kanë quajtur “propagandë ruse” dhe po përpiqen të mbrojnë prej tij me çdo mjet ata njerëz që janë të interesuar dhe që mendojnë ndryshe.

A ndan Rusia mendimin e aktorëve perëndimorë se situata e sigurisë në Ballkanin Perëndimor mbetet e brishtë? Si e sheh Rusia vendin e Shqipërisë në aspektin e sigurisë? Më konkretisht, vendin dhe rolin e faktorit shqiptar në rajon?

Shkurtimisht, Rusia ndan plotësisht shqetësimet për brishtësinë e situatës në Ballkan. Ne i shohim shkaqet e këtij tensioni në një mënyrë tjetër. 

Nga këndvështrimi ynë, situata në Ballkan është pasojë e drejtpërdrejtë e ristrukturimit me forcë nga Perëndimi të hapësirës jugosllave në vitet 1990 dhe në fillimin e viteve 2000. Perëndimi prej kohësh ka zhvilluar sistematikisht aktivitetin e tij subversiv kundër Serbisë. Beogradi po detyrohet të hyjë në radhët e ndjekësve të kursit për “anulimin” e Rusisë, të braktisë interesat kombëtare, vendin dhe rolin e tij në çështjet ndërkombëtare.

Një tjetër objektiv i aventurave të Perëndimit është Bosnja dhe Hercegovina, në të cilën pushteti suprem faktikisht i përket të ashtuquajturit Përfaqësues i Lartë, ose thjesht një të vetëshpalluri, shtetasit gjerman Karl Schmidt, i cili është një zyrtar i huaj i pazgjedhur nga askush, i emëruar me anashkalimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe pa marrë parasysh mendimin e vetë qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës. 

Veprimet dhe rregulloret e Përfaqësuesit të Lartë nuk mund të kundërshtohen në asnjë gjykatë, përfshirë atë ndërkombëtare. Rusia i ka bërë thirrje vazhdimisht Perëndimit për të siguruar një punë konstruktive për mbylljen sa më shpejt të aparatit të Përfaqësuesit të Lartë, i cili, në thelb, është një instrument ndërhyrjeje nga SHBA-ja dhe BE-ja në punët e brendshme të Bosnje dhe Hercegovinës sovrane. 

Problemi i Kosovës është veçanërisht i mprehtë. Gjatë viteve të procesit të negociatave me pjesëmarrjen e Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe SHBA-ja, Uashingtoni dhe Brukseli kanë ndjekur të njëjtin qëllim, të nxjerrin zgjidhjen e çështjes përtej kornizave të vetme legjitime, rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të detyruar Serbinë të njohë pavarësinë e Kosovës, për të shkëputur lidhjet historike vëllazërore të popujve serbë dhe rusë. 

Perëndimi po i bën presion Beogradit, duke spekuluar mbi temën e perspektivës evropiane, por zgjidhjet e imponuara janë jetëshkurtra. Është e pamundur të arrihet diçka e tillë për njërën palë në kurriz të interesave të palës tjetër. 

Këto nuk janë zgjidhje që do të shërbejnë për të krijuar një siguri të besueshme rajonale në Ballkan. Këtu ka shumë histori, besime fetare dhe kontradikta etnike. 

Probleme të tilla nuk zgjidhen në mënyrë e kaubojsave, duhet të mendojmë, të kërkojmë ekuilibra. 

Ka ende mjaft probleme në Ballkan, shumë prej tyre janë qindravjeçarë. Sidoqoftë, zgjidhjet paqësore afatgjata nuk mund të diktohen me forcë dhe në favor të vetëm njërës palë. 
Me kalimin e kohës, zgjidhje të tilla shkaktojnë krisje. Nevojiten marrëveshje të pranueshme reciprokisht midis fqinjëve, dhe veçanërisht në Ballkan, ku praktikisht nuk ka shtete monoetnike. 

Pritshmëria se të gjitha problemet dhe tensionet ndëretnike do të zhduken brenda natës në hapësirën e përbashkët të BE-së dhe NATO-s, ne besojmë, nuk i përgjigjet realitetit. Shembuj për këtë ka mjaft.

Nga i njëjti këndvështrim duhet të konsiderohet edhe i ashtuquajturi faktor shqiptar. Ne nisemi nga fakti se përpjekjet e përbashkëta të shqiptarëve në rajon i shërbejnë forcimit të paqes, sigurisë dhe prosperitetit të të gjitha shteteve të vendosura këtu, bazuar në bashkëpunim të barabartë dhe në dobi të ndërsjellë, dhe jo përshkallëzimit të konflikteve dhe problemeve ndëretnike me fqinjët.

Zoti ambasador, si e komentoni vdekjen e liderit të opozitës së Rusisë në burg, Alexei Navalny? Perëndimi akuzon Kremlinin për vrasje të qëllimshme, ndërsa Moska ka deklaruar të kundërtën.

Vdekja e çdo njeriu është gjithmonë tragjedi.

Vdekja e këtij njeriu, për fat të keq, po përdoret si një element i presionit politik ndaj Rusisë. Ky rast vdekjeje, e cila ndodhi për shkaqe natyrore, po paraqitet si një krim i “regjimit të Putinit”, i Shërbimit Federal të Sigurisë dhe keqbërësve të tjerë, të cilët me anë të këtij akti, gjoja privuan Rusinë nga “lideri” i opozitës. Më lejoni t’ju kujtoj se Alexei Navalny ndodhej në burg si rezultat i një vendimi gjyqësor për akuza penale për mashtrim, korrupsion dhe përvetësim të fondeve publike.

Vdekja e tij ndodhi në mënyrë të papritur, për shkaqe natyrore, si pasojë e një tromboze gjaku të shkëputur. Trupi i Alexei Navalny-t i është dhënë familjes së tij. Varrimi do të zhvillohet sot.
Përveç kësaj, reagimi i njëkohshëm i shumicës së vendeve të NATO-s për vdekjen e Alexei Navalny-t na bën të mendojmë se kjo ngjarje po pritej në Perëndim, ndaj të gjithë ishin të përgatitur mirë.

Gjithmonë drejtohet një pyetje, kush përfiton nga kjo? Qeveria e Rusisë nuk përfiton aspak.  Nëse dikush përfiton nga kjo, mendoj që dallgët politike rreth kësaj ngjarjeje do të valëzojnë për një kohë të gjatë. E gjithë kjo flet vetëm për cilësitë e ulëta morale të atyre që shfrytëzojnë kujtimin për këtë apo atë njeri për të arritur qëllime politike dhe përfitime të drejtpërdrejta financiare.  Në veçanti, udhëheqja e të ashtuquajturit “Fond kundër korrupsionit”, i cili kryesohej asokohe nga Alexei Navalny, planifikon të transmetojë nesër një video të varrimit të tij në Moskë. Por, kostoja e lidhjes kushton 15 euro.  

Zoti ambasador, faleminderit shumë për këtë intervistë!

Faleminderit që erdhët, që dëgjuat argumentet e mia. Besoj se biseda jonë sot do të jetë e dobishme për publikun shqiptar për të kuptuar më mirë politikën dhe këndvështrimin e vendit tim.

Comments

Submitted by Doktor Mortja (not verified) on

Nuk e pyetet ambasadorin e rusiçkes kur mbaron operacioni special ne Kaukaz, Siberi, vendet e detit te Zi e dhjetera vende te tjera ne Europe e gjetke te pushtuar nga terrorizmi rus!

Submitted by Andreas (not verified) on

Propaganden e perendimit ne keto dy-tre vitet e fundit, nuk ma kane zene syte e veshet ne 35 vjet komunizem ne shqiperi. Mendoja se propaganda ne te cilen u rritem, ishte maksimumi i gjithçkaje qe nje regjim mund te shpikte per interesat e tij. Po sot mund te them me plot gojen, qe propaganda e shqiperise komuniste, i ha mutin nate e dite propagandes perendimore qe po jetojme sot!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.