Predikimi i fundit për pavarësinë..nga Perëndimi

Postuar në 20 Shkurt, 2024 21:59
Skerdilajd Zaimi

 

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, ka nisur së fundmi të theksojë përherë e më shumë se qëndrimi I Serbisë në arenën ndërkombëtare, jo vetëm për çështjen e Kosovës, udhëhiqet nga parimi i pavarësisë në vendimmarrje. Neutraliteti ushtarak është një formulim gati doktrinar i kësaj politike që duhet thënë se po i krijon probleme Beogradit zyrtar. Zoti Vuçic bën çmos për ta emfatizuar këtë si shpëtimin e Serbisë nga humbja faktike e pavarësisë së saj vendimmarrës, që në kohën e sotme nuk nënkupton humbje të sovraniteti formal. P.sh vitin e kaluar, me rastin e vdekjes së ish-kryeministrit Milan Milutinoviç, Vuiçiç komentoi:

A ka detyrë më të lartë në botë sesa pozicioni që mbajti Milutinoviç? Serbët dhe liderët e tyre – Nemanjiçët, Karagjorgjeviçët, Obrenoviçët – nuk e kanë patur kurrë të lehtë. Megjithatë ne mund të shohim dilemat e tyre dhe shembujt përmes lenteve të kohës dhe nga një distancë e sigurtë historike

Është në referim që kumton se problemet historike të Serbisë janë të njëjtat, ndaj edhe orientimi në përballimin e tyre duhet të mos cedojë në asnjë çast nga zgjidhja e bërë nga paraardhësit.

Sot, në një intervistë për agjencinë ruse, “Tass”, Vuçiç ka përsëritur sërish se ndaj vendit të tij po luhet politika e nënshtrimit. 

Kemi qenë në gjendje ta ruajmë politikën e pavarur, duke mos iu bashkuar sanksioneve anti-ruse, për dy vjet. Nuk e di nëse do të jemi në gjendje të vazhdojmë, por shpresoj që po. Ne e dimë nga përvoja jonë sesa e dhimbshme është kur të vënë sanksione. Ne kemi një komb mik dhe do të kishte qenë e pandershme t’ia bënim këtë popullit rus…Sanksionet janë çështja kryesore në çdo takim ndërkombëtar ku marr pjesë

është shprehur ai.

E gjithë kjo linjë qëndrimesh reflekton rrënjët e mendimit politik serb që e ka pavarësinë në politikën e jashtme bërthamë qendrore, pasi interpretimi kryesor i historisë së tyre lidhet me tragjedinë e humbjes së pavarësisë në Mesjetë. E megjithatë, ideologët e nacionalizmit serb nuk e panë Perëndimin si shkak apo kërcënim të pavarësisë së tyre, duke u sjellë si aleatë historikë në konfliktet kryesor globale. Konflikte prej të cilave Serbia përfitoi jo pak.

Ajo që ka ndryshuar gradualisht, fillimisht me luftërat në ish-Jugosllavi dhe aktualisht me konfliktin në Ukrainë, është perceptimi se kërcënimet ekzistenciale që vijnë nga Perëndimi. Edhe sot, presidenti bjellours, Lukashenko, deklaroi sethuajse të gjithë liderët europianë janë shndërruar në subjekte të SHBA-ve…Bosnja, Moldavia, Gjeorgjia dhe Serbia do të përthithen në NATO. Dhe kjo do të bëhet sipas skenarit ukrainas”.

Është një paralajmërim skenik nëse konsiderojmë se kush është Lukashenko. Por stigma e Perëndimit në botën sllave ka gjetur si ngjitës të mirë në shoqëri asimetrinë historike të gjeneruar nga dobësia sistemike sllave e pas Luftës së Ftohtë, me sugjestionimin se pas kësaj dobësie fillestare vepron një skenar perëndimor për asgjësimin e nocionit politik sllav. Mënyra sesi Perëndimi u soll në disa raste, duke kapitalizuar përkundrejt Rusisë armiqësitë e vjetra ndaj saj në Europën Qendrore, kanë analogjinë e tyre edhe në Ballkan, ku viktimë e këtyre realiteteve ishte edhe Serbia. Këtu duhet të theksojmë faktin se përkufizimi i shtetësisë në vende si Serbia, ku historia e tematizuar politikisht ka mbipeshë të dukshme ndaj forcës aktuale të saj, priret të jetë konservator dhe të lidhet ngushtë me identitetin.

Është përpunimi i këtij ankthi që kanalizoi analizën e shkaqeve të dobësisë dhe pafuqisë nga pasojat e Diktaturës, komunizmit apo luftërave, te subversioni permanent që sot ka kapur kulmin me zyrtarizimin e perceptimit se pavarësia kërcënohet nga Perëndimi.

Nuk është e lehtë të vlerësohet nëse kjo është pjesë e propagandës malinje siç quhet nga Perëndimi narrativa ruse, vetësugjestionim, apo objektivisht kemi të bëjmë me këtë realitet. Presioni iracional për sanksionet ndaj Rusisë te një vend me specifikë në marrëdhëniet me të siç është Serbia, është arrogant dhe bën apelin e gabuar. Dorëzimi ndaj tij do të shënonte fundin politik të Aleksander Vuçiçit në Serbinë e sotme, sikundër po dëshmohet se asnjë narrativë, sado e suksesshme të qëndrojnë ajo në një zonë të caktuar, nuk mund të zhbëjë historinë.

Te predikimi i pavarësisë që ndjek sot Vuçiç nuk ka vetëm frikë nga “ekstremistët”, as vetëm nostalgji mesjetare. Ka edhe një refleks të kulturës politike që vjen nga Jugosllavia e Titos, e “mosangazhimit” që ishte gjetje edhe për të subjektivizuar pavarësinë faktike nga të Mëdhenjtë e kësaj bote. Dhe ky nuk është strikt nacionalizëm. Nuk është strikt nacionalizëm as në rastin e Kurtit të cilit në të vërtetë i kontestohet pavarësia e mendimeve dhe vendimeve, po nga ai Perëndim që është mësuar dhe po do të mësojë se politika është tregti dhe koncesion, pasi ka pranuar parimin e Vetëvendosjes. Që sot stigmatizohet si sovranizëm provincial.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Kjo e drejta e vetevendosjes me kujton nje shprehje te Sali Berishes i cili kur do te behej ligji per median tha: Ta mbyllim me nje fjali Shtypi eshte i lire.
Atij i mjaftonte kjo se pastaj e rregullonte interpretimon e lirise (qe sigurisht nuk mund te jete e pakufizuar) me ligje te tjera, ne menyre qe rrjeta te kapte vetem ata qe donte ai.
Ceshte e drejta e vetevendosjes? A kane te drejte serbet e Mitrovices te "vetevendosin" se cilit shtet do ti perkasin? Sigurisht qe po.
Por keshtu perfundojme ne kutine e pandores.
Te drejtat e njeriut kane perparesi ndaj kufijve.
Nese populli i Kosoves nuk do ishte shtypur nga regjimi serb as qe do ta mendonte krijimin e nje shteti te pavarur.
Ne kuptimin e lirive te njeriut e shoh edhe perdorimin e dinarit. Megjithe antipatine qe kam per Kurtin tek monedha zyrtare ai ka te drejte.Praktikisht Kurti thote le ta perdorin mes tyre dinarin sa te duan, por mos me detyrojne mua apo popullin e Kosoves ta perdore. Une dua ta unifikoj monedhen zyrtare si cdo shtet tjeter. Dhe serbet nuk humbasin asgje. Le ti shkembejne me kursin e tregut, ose me mire, meqe i dhimsen beogradit kaq shume ne vend te copave te letrave (dinarit) tju dergoje atyre euro dhe keshtu jetojne te gjithe te lumtur e te gezuar

Submitted by redaksia on

Eshte parim i instauruar prej kohesh. Tjeter pune nese ky parim solli perparim ne rendin nderkombetar. Ndoshta duhen eksperte qe te flasin. Por ne rastin e ketushem, por edhe historia e shekullit te 20-te ne Europen Lindore dhe Ballkan, lidhet me vetevendosjen faktike te shteteve te njohura tashme, jo cfaredo lloj popullsie qe ngre pretendime. Edhe pse nuk besoj te kete ndonje argument bindes qe le kurdet pa te drejta politike shtetformimi. 

Problemi themelor eshte se rendi vuan nga kontradikta e legalizimit te sovranitetit qe minohet kryesisht nga ata qe pretendojne se jane pergjegjes per te  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.