Danubi i Lotëve/Në Beograd po flasin për plan ndërkombëtar spastrimi të serbëve

Postuar në 06 Korrik, 2023 16:14

Situata është tashmë absurde deri në kufijtë e ballkanizimit. Nëse lexon mediat shqip të përplaset në fytyrë presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës, së cilës po I vendosin sanksione nga Perëndimi. Një javë më parë BE-ja, tani Gjermania, ndërkohë që NATO-ja, përmes një zyrtari të vet, Thomas Goffus, ka bërë të qartë se lëndimi i trupave të KFOR nuk mund të ndodhë më. Sipas tij kjo i është bërë e qartë edhe palës serbe, e cila megjithatë është ftuar në Sinai në kuadër të Partneritetit për Paqe në një stërvitje të përbashkët.

Nëse lexon mediat serbe, hapet një kapitull ndryshe. Flitet për tortura në Kosovë, për pastrim etnik të serbëve dhe për një projekt të mirëmenduar largimi. Presidenti i vendit Aleksander Vuçiç, po aktron në një rol që nuk i shkon. Ta zëmë dy ditë më parë u shfaq me një foto gjysëm profili duke hedhur ca shënime për ish-kryeministrin Milan Milutinoviç që u nda së fundmi nga jeta. Është domethënëse për stimulimin e gjendjes psikologjike ku do ta fusë vendin e vet Vuçiç mesazhi i tij:

A ka detyrë më të lartë në botë sesa pozicioni që mbajti Milutinoviç? Serbët dhe liderët e tyre – Nemanjiçët, Karagjorgjeviçët, Obrenoviçët – nuk e kanë patur kurrë të lehtë. Megjithatë ne mund të shohim dilemat e tyre dhe shembujt përmes lenteve të kohës dhe nga një distancë e sigurtë historike

Është groteske të shohësh një president të neutralitetit të shkëlqyer, të krahasojë veten me Nemanjiçët dhe Karagjorgjeviçët. Është groteste sepse jo vetëm tradhëton një vizion të ngurtësuar historik – i cili patjetër duhet respektuar – por edhe një delir personal që merr kuptim të mania e persekutimit dhe triumfit mbi persekutim.

Zoti Vuçiç duket se po do të krijojë për të vetët një botë virtuale që as ekziston dhe as është. Inkoherenca e tij është e pakuptueshme, veçse nëse zbërthehet me informacione që do bëhen publike në të ardhmen. Sot ai iu drejtua kombit dhe ka folur për një plan me mbështetje ndërkombëtare ndaj Kurtit për spastrimin e serbëve. Sipas tij, janë vendet e QUINT-it ato që e mbështesin kryeministrin e Kosovës, ndërkohë që krejt papritur për logjikën:

KFOR sillet në mënyrë profesionale

Si t’i bashkosh këto të dyja? Dhe si t’i bashkosh me faktin se ambasadori serb në SHBA, Gjuriç, ka deklaruar se po lobohet shumë që Serbia dhe SHBA të nisin Dialogun Strategjik? Pra të ndryshojnë paradigmën e marrëdhënies së tyre. Është e qartë se z. Vuçiç ka hallin brenda vendit, ndaj edhe luan emocionalisht duke errësuar realitetin që është ndryshe. Ai ka shkuar edhe më tej kur ka folur për përgatitje për një aggresion ndaj Serbisë. Për ta plotësuar Danubin e Lotëve, ka dalë me një deklaratë edhe Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, që ka njoftuar se ka informacione konfidenciale se qeveria e Albin Kurtit do të ndërmarrë disa veprime për të diskredituar Kishën Orthodokse Serbe, në dritën e akuzave që ka bërë së fundmi ndaj saj, kryetarja Komitetit për Punët e Jashtme në Britani, Alicia Cairns.

Nga e gjithë kjo dalldi psiko-politike, bie në sy se as Vuçiç dhe as Kisha nuk kanë përmendur Rusinë si adresë të ndihmës së tyre, duke sinjalizuar se orientimi i Beogradit është kthyer nga Perëndimi, të paktën në këtë moment.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.