Të mos flasim për Partneritet, por për Protektorat

Postuar në 13 Shkurt, 2024 20:59
Skerdilajd Zaimi

 

Çështja e dinarit serb në Kosovë është ndërkombëtarizuar. Në lojë kanë hyrë zyrtarë amerikanë që mendohet se ushtrojnë ndikim në Prishtinë më shumë sesa emisarët e diskredituar europianë. Përveç të Dërguarit Special, Escobar, edhe ky një figurë e konsumuar tashmë, për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës ka folur edhe ndihmës-sekretari James O’Brien. Në një intervistë për “Zëri i Amerikës”, ai ndër të tjera citohet të jetë shprehur se: 

Kjo është çështje partneriteti dhe aftësie në qeverisje. Të gjitha problemet që janë hasur që kur u shpall ky vendim, u identifikuan që në 5-10 minutat e para, pasi mësuam për të. Megjithatë qeveria vazhdoi me zbatimin e tij pa paralajmërim dhe ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qeranë dhe energjinë elektrike, të cilën disa prej tyre sapo kanë filluar ta paguajnë. Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin

Është një koment me një dozë të lartë hipokrizie dhe pse jo, edhe paaftësie për të ndryshuar politikën. Diçka ka bindur zyrtarët në ShBA se politika korrekte me Serbinë është tolerimi i saj, madje edhe i vrasjeve që organizohen nga territori i saj. Që këtej vijon prej muajsh një politikë e perëndimit në Ballkan që nuk kuptohet se çfarë po sjell në aspektin praktik të saj. Flitet për paqe, por asgjë nuk po qetëson kënd.

Brenda kësaj suaze, kërkesa e fundit ndaj Kosovës përfaqëson tipikisht një shembull invazioni diplomatik dhe ndërhyrjeje që më së paku do të kërkonte seriozitetin e zyrtarit amerikan në terminologji. 

Së pari është disi qesharake që një përfaqësues si z. O’Brien replikon në kredencialet e veta me një Bankë të një vendi tjetër. Duke hyrë në diskrecionin e çështjeve praktike si qeraja, apo faturat e energjisë. Sa seriozisht duhet ta marrim një qëndrim të tillë? 

Së dyti, nuk ka asnjë shembull në Europën e sotme që të mund të sillet për mirë siç pretendon zotëria. Franca dhe Gjermania sot janë modele të moskuptimit dhe jo bashkëpunimit ndërkohë që vetë Bashkimi Europian mbetet në vazhdimësi në krizën e vetëpërkufizimit. 

treti këtu nuk kemi të bëjmë me partneritet, por me proteksionizëm dhe madje Protektorat. Është e udhës që z.O’Brien të flasë hapur për këtë aspekt, sepse është groteske të shohësh sesi partneriteti shpërdoron figura kaq përfaqësuese si O’Brien që flet nga SHBA për monedhën me të cilën paguajnë serbët e Kosovës kosin dhe lakrat, apo si sekretari i Shtetit, Blinken që para disa muajsh sqaronte komunitetin ndërkombëtar se cila ishte pikëpamja amerikane për godinën nga duhet të ushtronte funksionet kryekomunari i Leposaviçit. 

Dikush mund të thotë se pas këtyre akteve të Kosovës ka implikime sigurie të një niveli tjetër. Ndoshta, por nuk është partneritet të kërkosh vazhdimisht që faturën e  një gjeopolitike dinamike ta paguajë Partneri. Përse vallë do të duhej ky partneritet atëherë?

Në Gaza ShBA kërkoi ndalim luftimesh kur Izraeli nuk arriti objektivat shpejt dhe ndërkohë që po afrojnë zgjedhjet presidenciale, por në asnjë rast nuk dëgjuam diçka që të kuptohej se komuniteti ndërkombëtar, bota përparimtare, është aty për zgjidhje. Persona si z. O’Brien do të duhet të kuptonin dikur se qëndrime të tilla minojnë stabilitetin politik në Kosovë dhe nuk sjellin ndonjë rezultat nga pala serbe. Në kryqëzimin në të cilin sot gjendet Kosova dhe Serbia, ShBA nuk po di të bëjë as arbitrin, por po ngatërron më shumë gjithçka siç bëri në Ukrainë. 

Është gabim të analizosh politikën e jashtme me lupën e pagabueshmërisë. Koha jonë është provë për këtë, sikurse ShBA e sotme është premisa e pasigurisë ndërkombëtare të së ardhmes. Pikërisht se në karrige janë njerëz që ndoshta e mendojnë botën si puzzle për të afirmuar inteligjencën personale. Përndryshe nuk ka sesi të shpjegohet paradoksi sesa më shumë i jepet të drejtë Kosovës, aq më shumë i kërkohet të bëjë të kundërtën, nën alibi dhe arsyetime që nuk kanë asnjë bazë logjike për një Partner. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.