Republika e Shqipërisë si formulë e shpopullimit

Postuar në 27 Nëntor, 2023 08:52
Erjus Mezini

 

Që kur Taulant Balla u vendos nga eprori i tij (ndoshta pa u pyetur fare) në rolin e Ministrit të Brendshëm, vërehet një breshëri komunikatash dhe deklaratash për masat dhe për sukseset e reja. Ajo që ministri i ri dhe stafi i tij duket se duan të theksojnë është rreptësia e Policisë së Shtetit ndaj shkelësve dhe lufta kundra krimit në përgjithësi.

Ndonëse komunikatat e përfaqësuesve të Republikës së Shqipërisë duhen marrë gjithmonë me rezervime (një vizitë, fjala bie, në portalet e ministrive të bind që këto komunikata nuk redaktohen si duhet, shumë herë nuk përditësohen me korrektësi, përmbajnë numra telefonash dhe adresa e-mailesh të paqena dhe shkruhen me ton propagandistik, të stilit “shikoni sa të prapambetura ishin administratat e shkuara dhe sa e avancuar është administrata jonë”), shifrat e Taulant Ballës, përveç pasqyrimit të punës gjigande me të cilën Policia e Shtetit duhet të përballet çdo ditë dhe çdo orë, shpalosin po ashtu edhe problemin gjigand që ka Republika e Shqipërisë me shkeljen e ligjit. 

Sot, për shembull, zoti Balla u prononcua se Policia e Shtetit paska arrestuar nëntëmbëdhjetë qytetarë për trafikim drogash. Përpara tre ditësh (26/11/2023) ministri i brendshëm, duke folur në emisionin Opinion të Blendi Fevziut, deklaroi që Policia e Shtetit ka në kërkim, vetëm në qytetin e Tiranës, mbi një mijë persona. Javën e kaluar diku e dëgjova të thoshte që u arrestuan njëmbëdhjetë të tjerë, dhe ma do mendja se që nga data13 korrik 2023, kur Taulant Balla u ëmërua ministër nga eprori i tij, mundësia është e madhe që shifra e të arrestuarve nga Policia e Shtetit të ketë dy zero nga mbrapa (të flitet për qindra njerëz). 

Siç u theksua më lart, shifrat e Taulant Ballës nuk është nevoja të merren seriozisht. Shifrat e vërteta mund të jenë më të mëdha ose më të vogla, mund të përmbajnë persona që akuzohen për disa krime (pra shfaqen në listën e kërkimit mbi dy herë), mund të përmbajnë persona që lirohen dhe arrestohen sërish, njerëz me dy a tri emra dhe kështu me radhë. Duhet theksuar, po ashtu, që llogaritjet e Ballës nuk flasin për rritje ose ulje të krimit. Përse Ministria e Brendshme e vendosi tani të na bombardojë me kësi komunikatash nuk do të thotë patjetër që tani po bëhet kërdija, kurse më përpara gjasme paskemi qenë vend me më pak kriminalitet. Pronocimet e Taulant Ballës mund të jenë edhe një farë antagonizmi brenda-partiak, ku ministri aktual ka vendosur të duket më i vendosur se ministrat e tjerë. Sidoqoftë fakti që nuk ndryshon është se këto lajme, nëse janë të vërteta, flasin për një trend të frikshëm: kriminalitetin e dukshëm të burrave shqiptarë.

Ndonëse vetë ministri nuk e shikon të nevojshme që të na dëftejë gjininë e të kërkuarve nga Policia e Shtetit, cilido lexues që ka nerva për të ndjekur lajmet me vrasje dhe burgosje shqiptarësh (brenda apo jashtë shtetit) do të vërejë që në 97% të rasteve bëhet fjalë për meshkuj (përpjesëtim i konfirmuar pak a shumë edhe nga të dhënat që publikon Drejtoria e Burgjeve). Shto këtu edhe listën e meshkujve që vriten aksidentalisht në rrugët e Shqipërisë, listën e atyre që aksidentohen në punë, por edhe listën e atyre që kanë ikur nga një Shqipëri e cila në çdo gallop dhe sontazh paraqitet si një vend ku meshkujt duan të emigrojnë afro 14% më shumë se femrat (psh. Ilir Gëdeshi dhe Russell King, 2018) dhe ata numra apo raporte që paraqiten si arritje të Policisë së Shtetit dhe si luftë e egër kundra krimit ngjajnë më tepër me lajme ogurkeqe për familjet dhe fëmijët e Shqipërisë. Kjo sepse sa më i madh numri i burrave kryefamiljarë dhe në moshë pune të cilët vriten, aksidentohen, burgosen dhe arratisen, aq më i madh numri i familjeve të shkatërruara.

Taulant Balla mund të mbajë fjalime të bukura me vartësit e tij brenda vendit dhe me homologët jashtë vendit, mirëpo qeveria dhe ideologjia që ai përfaqëson duket se nuk ia kanë arritur të ulin kriminalitetin dhe shpopullimin e Shqipërisë. Ministri Balla mund të dekorojë drejtorët e policisë, mund t’u rritë rrogat dhe madje mund të shpresojë që edhe vetë të rritet brenda strukturave të Partisë Socialiste, por ato gjëra që nga ai dhe shokët e tij konsiderohen si punë e mirë, sukses dhe arritje, nga një këndvështrim tjetër mund të konsiderohen si gjërat që e rrënojnë një komb.

Përderisa unë dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk duam të jetojmë në një vend ku kriminelët lëvizin dhe veprojnë lirshëm, cilitdo ministri të brendshëm dhe cilitdo polici të shtetit nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’u urojmë sa më shumë suksese dhe punë të pareshtur. Por nëse Taulant Balla ka oreks për t’u pronocuar edhe si përfaqësues i një republike, si përfaqësues i një partie, por edhe si mik i ngushtë i një kryeministri, atëherë unë dhe shumë qytetarë të tjerë kemi një pyetje për Ballën dhe eprorin e tij. Pyetja me shumë rëndësi për ne është kjo:

Si është e mundur, zotërinj, që në dhjetë vitet e qeverisjes suaj socialiste, Republika e Shqipërisë vazhdon të prodhojë më shumë emigrantë dhe më shumë të burgosur (për çdo 100.000 banorë) se çdo republikë tjetër në Ballkan?

Për sa kohë që kësaj pyetjeje asnjë socialist nuk guxon t’i përgjigjet, për aq kohë ne të tjerët nuk e dimë se cilën notë apo cilin përcaktim duhet t’i vëmë qeverisë dhe mentalitetit të përqafuar nga socialistët shqiptarë. Ajo që të gjithë (edhe ne qytetarët pa flamuj, por edhe socialistët) me siguri e dimë është se sa më i lartë kriminaliteti në një vend, aq më afër rrënimi dhe shpopullimi i atij vendi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.