BE penalizon dëmin mjedisor "të krahasueshëm me ekocidin"

Postuar në 19 Nëntor, 2023 11:19

Bashkimi Evropian bëhet organi i parë ndërkombëtar që kriminalizon dëmtimin mjedisor në shkallë të gjerë “të krahasueshëm me ekocidin”. Deputetët e PE ranë dakord këtë javë për përditësimin e direktivës së bllokut për krimin mjedisor për ndëshkime më të ashpra të rasteve më serioze të shkatërrimit të ekosistemit, duke përfshirë humbjen e habitatit dhe prerjet e paligjshme.

Direktiva e krimit mjedisor do të miratohet zyrtarisht në pranverë dhe shtetet anëtare do të kenë dy vjet kohë për ta implementuar në ligjet e tyre kombëtare.

Edhe pse teksti i rënë dakord nuk përfshin vetë fjalën "ekocid", në preambul thuhet se ligji synon të kriminalizojë "rastet e krahasueshme me ekocidin". Këto janë veprime që shkaktojnë dëme masive, thelbësore dhe të pakthyeshme ose afatgjatë në ekosisteme të mëdha ose të rëndësishme, habitate ose cilësinë e ajrit, tokës ose ujit.

Ligji i rishikuar i BE-së specifikon se cilat lloje të aktiviteteve mjedisore do të ndëshkohen më ashpër me ligjin e ri. Këto përfshijnë nxjerrjen e ujit, ndotjen nga anijet, përhapjen e specieve aliene pushtuese dhe shkatërrimin e ozonit. Por në ligj nuk thuhet asgjë për peshkimin, eksportin e mbetjeve toksike në vendet në zhvillim apo mashtrimet që lidhen me karbonin.

Dënimet nisin që nga ato me burg te individët deri te përjashtimi nga aksesi në fondet publike për kompanitë. Është lënë në dorë të shteteve anëtare të zgjedhin nëse gjobat që do t’u vihen kompanive do të jenë në bazë të qarkullimit vjetor (deri në 5% në varësi të krimit) ose shuma fikse deri në 40 milion €.

Virginijus Sinkevičius, komisioneri i BE-së për mjedisin, oqeanet dhe peshkimin, tha se krimet mjedisore janë serioze, fitimprurëse dhe në rritje. Të ardhurat vjetore nga tregu i paligjshëm i mbetjeve në BE, për shembull, variojnë nga 4 deri në 15 miliardë euro.

"BE ra dakord për një ligj të ri që njeh gravitetin e tyre, veçanërisht kur ekosistemet e mëdha shkatërrohen," tha Sinkevičius. "Shëndeti ynë varet nga gjendja e mjedisit në të cilin jetojmë, kështu që ne duhet të parandalojmë kriminelët që janë të gatshëm të shkatërrojnë ekosistemet për përfitim."

Marrëveshja pasoi disa muaj negociatash midis Këshillit Evropian, komisionit dhe parlamentit, si dhe OJQ-ve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.