Femër apo mashkull, deri 16 vjeç vendosin prindërit

Postuar në 22 Tetor, 2023 13:45

Parlamenti vendor i provincës Saskatchewan ka miratuar një projektligj, sipas të cilit, nxënësit nën 16 vjeç nuk mund të ndryshojnë referencën gjinore pa lejen e prindërve.

Fjala është për gjininë e përemrave.  Sipas ligjit të ri, nxënësit transgjinorë nuk mund të deklarojnë identitet tjetër gjinor nga ai natyral, pa marrë paraprakisht miratimin e prindërve.

Jeremy Cockrill, ministri i arsimit i Saskatchewan, tha se ligji i ri i detyron mësuesit "të vazhdojnë t'u referohen fëmijëve me emrin e tyre", përveçse në rastet kur prindërit japin leje për ndryshim.

Ne duam që fëmijët t'i bëjnë ato biseda me prindërit e tyre. Ky është qëllimi”, tha ai.

Saskatchewan ndjek shembullin e New Brunswick, një tjetër provincë kanadeze, e cila vendosi të dëgjonte pikëpamjet e prindërve mbi qasjet e shkollave për diskutimin rreth gjinisë dhe seksualitetit, pas debatit të nxehtë mbi këtë çështje në SHBA.

Për të anashkaluar disa seksione të Kartës Kanadeze të të Drejtave të Njeriut, qeveria rajonale  përdori një klauzolë të veçantë.

Projektligji është përballur me kritika nga ligjvënësit e opozitës dhe ekspertët ligjorë, përfshirë komisionerin për të drejtat e njeriut në Saskatchewan.

Projektligji përfshin edhe dispozita të tjera, sipas të cilave prindërit duhet të informohen për çështje të tjera që kanë të bëjnë me fëmijët e tyre, duke përfshirë frekuentimin, performancën akademike dhe sjelljen.

Po debati më i madh u shkaktua për dispozitën që kërkon pëlqimin e prindërve që një student nën 16 vjeç të përdorë një "emër të ri ose identitet gjinor" në klasë.

Shoqatat vendase LGBTQ+ e kanë ankimuar ligjin në gjykatë, me pretendimin se shkel të drejtat e njeriut.

Kryeministri i provincës, Scott Moe, thotë se me këtë ligj, prindërve u është dhënë “e drejta - jo mundësia - për të mbështetur fëmijët e tyre në vitet e formimit të jetës së tyre”.

Ndërkohë, Heather Kuttai, komisionerja e provincës për të drejtat e njeriut, e cila ka vetë një fëmijë transgjinor, dha dorëheqjen pas miratimit të ligjit, duke u shprehur e zhgënjyer nga qeveria që ajo përfaqësoi për nëntë vjet.

Ajo e cilësoi ligjin "një sulm ndaj të drejtave të fëmijëve trans, jobinarë dhe me identitet të ndryshëm gjinor".

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.