"Mbyllja e qeverisë", karakteristika dhe shpjegime

Postuar në 21 Tetor, 2023 17:20
Dr. Ernest Nasto*

 

Një aspekt karakteristik i politikës amerikane, tepër i pranishëm prej gati një muaji, ështe dukuria e njohur me emrin "mbyllje e qeverisë" (government shutdown) që në thelb do të thotë ndërprerje e funksionimit të shërbimeve qeveritare në disa fusha të caktuara. Një ndërprerje e tillë ka ndodhur dhjetë herë gjatë 40 viteve të fundit në një kohë që në vende të tjera, qeveritë vazhdojnë të funksionojnë edhe në situata luftrash apo krizash kushtetuese. Përse pra vazhdon të ndodhë kjo dukuri specifikisht amerikane?

Fakti është që për shumicën e vendeve pezullimi i shërbimeve të ofruara nga qeveria është një ngjarje e rrallë, pothuaj katastrofike, që mund të mendohet vetëm në raste revolucionesh, pushtimesh ose fatkeqësish të mëdha natyrore. Për këtë arsye është disi e pakuptueshme që ky lloj pezullimi të provokohet me dëshirë nga drejtuesit politikë të superfuqisë botërore në kohë paqeje. Në rastin më të fundit, atë të muajit të kaluar, një marrëveshje në çastin e fundit bëri të mundur që Kongresi ta shmangë mbylljen duke miratuar një projekt-ligj afatshkurtër për vazhdimin e funksioneve edhe për 45 ditë të tjera. Kjo do të thotë se politikanët do të duhet të kthehen në tryezën e negociatave në mes të nëntorit dhe vendi mund të përballet sërish me një pezullim tjetër, sapo të mbarojë financimi i përkohshëm.

Një dukuri e tillë vazhdon të ndodhë sepse sistemi federal i qeverisjes në Shtetet e Bashkuara lejon mundësinë që degët e ndryshme të pushtetit, që i shpjeguam në një artikull të kaluar (1), të jenë nën kontrollin e partive të ndryshme. Kjo ishte një strukturë e krijuar nga etërit themelues me qëllim të inkurajimit të diskutimit të lirë e të kompromiseve, por e cila për fat të keq ka pasur efektin e kundërt në 40 vitet e fundit.

Efekti në fjalë u mundësua nga ana ligjore bazuar në një interpretim të ngushtë nga Prokurori i Përgjithshëm më 1980, në kohën e administratës së Jimmy Carter, të një Ligji për shpenzimet të miratuar në shekullin XIX i cili e ndalonte qeverinë të lidhte kontrata pa miratimin e kongresit. Ndërkaq gjatë gati një shekulli qeveria kishte lejuar vazhdimin e shpenzimeve të nevojshme edhe nëse ato nuk mbuloheshin. Kjo ndryshoi me interpretimin e ri: shpenzimet s’do të lejoheshin më nëse s’ishin parashikuar në buxhet apo nëse fondet ishin mbaruar.

Mbyllja e parë ndodhi pak më vonë, më 1981, kur Presidenti Ronald Reagan vuri veton ndaj një projektligji financimi, dhe zgjati për disa ditë. Që atëherë, ka pasur një numër syresh që janë pasuar me ndalimin e disa shërbimeve dhe kanë zgjatur prej gjysëm dite deri në më shumë se një muaj, ndërsa më e gjata ka qenë ajo e periudhës dhjetor 2018 - janar 2019 nën presidencën Trump. Disa shërbime thelbësore vazhduan të funksiononin, si p.sh. ushtria apo sigurimet shoqërore, në një kohë që u pezullua pagesa e disa qindra mijëra punonjësve të administratës federale. Sipas vlerësimeve të Shtëpise së Bardhë mbyllja cënoi negativisht rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) me 0.1 përqind për çdo javë të pezullimit të pagave.

Duhet theksuar se mbyllje të tilla janë praktikisht të pamundura në vende të tjera. Sistemi parlamentar i përdorur nga shumica e demokracive evropiane siguron që ekzekutivi dhe legjislativi të kontrollohen nga e njëjta parti ose koalicion. Në mënyrë të natyrshme mund të ndodhë që parlamenti të refuzojë një buxhet të propozuar nga kryeministri, por ai veprim ka të ngjarë të shkaktojë rënien e qeverisë, shoqëruar me zgjedhje të reja, por jo me ndalesa të shërbimeve si parqet kombëtare, rimbursimet e taksave apo programet e ndihmave ushqimore.

Një rast i tillë p.sh. ishte pikërisht ajo që ndodhi në Kanada në vitin 2011, kur partitë opozitare hodhën poshtë buxhetin e propozuar nga Partia Konservatore e kryeministrit të atëhershëm Stephen Harper. Ai drejtonte asokohe një qeveri të pakicës, në kuptimin që konservatorët s'kishin shumicën e vendeve në parlament, megjithatë qeverisnin me mbështetjen e partive të vogla. Por në rastin konkret partitë në fjalë refuzuan mbështetjen për buxhetin, gjë që çoi në një mocion mosbesimi nga Dhoma e Komuneve (dhoma e ulët e parlamentit kanadez), në dorëheqjen e kryeministrit dhe në zgjedhje të parakohshme. Gjatë tërë kësaj kohe shërbimet qeveritare vazhduan pa asnjë ndërprerje.

Një shembull tjetër kuptimplote është ai i Belgjikës, e cila për 589 ditë me rradhë ndërmjet viteve 2010-2011 nuk drejtohej nga një qeveri e zgjedhur me procedurë të plotë, e megjithatë të gjitha shërbimet qeveritare vazhduan te kryhen pa asnjë problem.

Edhe Irlanda në vitet 2016-2020 drejtohej nga një qeveri e pakicës e cila mbështetej në parlament nga nga një numër partish jashtë koalicionit, dhe përsëri të gjitha shërbimet qeveritare vazhduan normalisht në saje të marrëveshjeve të posaçme ndërmjet partive.

Ndërkaq, interpretimi i ngushtë që përmendëm më lart ka bërë që SHBA të dallohen jo vetëm nga demokracitë parlamentare, por edhe nga ato me sistem të ngjashëm presidencial, në të cilat presidenti është njëkohësisht edhe kryetar i qeverisë. Kështu p.sh. në Brazil dega egzekutive e pushtetit (presidenti dhe administrata), ka kompetenca të gjera që mundësojnë vazhdimin e funksioneve qeverisëse edhe në mungesë të një buxheti të miratuar nga legjislatura.

Si përfundim mund të themi se një bashkëpunimi i frytshëm ndërmjet partive është bërë gjithnjë e më i rrallë në Shtetet e Bashkuara, dhe për fat të keq partitë kundërshtare duken shumë të gatshme të përdorin funksionimin e përditshëm të qeverisë si një mjet presioni ndaj palës tjetër vetëm për interesa të ngushta. Kërcënimi për mbyllje tash së fundi ishte kësisoj rezultat i presionit të një pakice kongresmenësh republikanë të vijës së ashpër që kërkojnë shkurtime të thella të shpenzimeve të cilat nuk mbështeten as nga kolegët e tyre centristë e as nga demokratët. Viktimë e këtyre grindjeve ra më në fund edhe Kryetari Dhomës (Speaker), Kevin McCarthy, i cili u shkarkua në fillim të tetorit dhe Dhoma e Përfaqësuesve është ende pa kryetar.

Ligji i financimit afatshkurtër u miratua ndërkaq pa fonde shtesë për luftën në Ukrainë, mirëpo me kohën që po kalon dhe me afrimin e 15 nëntorit, mbetet për t'u parë se çfarë lloj marrëveshjeje do të arrihet në kushtet e reja të krijuara nga rindezja e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe nga negociatat e stërzgjatura për zgjedhjen e kryetarit të dhomes. E gjithë kjo s'mund të thuhet se ndihmon në forcimin e besimit tek Shtetet e Bashkuara për të cilën bota e sotme ka aq shumë nevojë si faktor stabiliteti.

* Ekspert i politikës amerikane

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.