Politizimi i biçikletës

Postuar në 17 Tetor, 2023 17:38

Trendi i biçikletave në rrugët e Europës nuk është më ai i pari. Dhe arsyet për këtë “shfryrje të gomave” janë para së gjithash politike. Në kontinentin e vjetër nuk është e vogël pakënaqësia me përpjekjet për të ulur përdorimin e makinave dhe shumë politikanë kanë filluar të rreshtohen në krahun e atyre që mbështesin shoferët e klasës punëtore.

Qeveria konservatore e Berlinit është një prej tyre. Koalicioni që udhëhiqet nga CDU ka hequr dorë nga një mori masash miqësore me biçikletat, të dakorduara nga paraardhësja e majtë. Atje janë pezulluar të gjitha projektet e infrastrukturës së biçikletave që cenojnë korsitë ekzistuese të makinave ose hapësirat e parkimit. Po ashtu, projektet për shtimin e ndërtimin e korsive të reja të biçikletave janë pezulluar.

Shembulli më konkret është rruga ikonike Friedrichstraße, ku makinave u është lejuar sërish lëvizja, pas ankesave të bizneseve për rënien e xhiros.

Ajo që ndodh në kryeqytetin gjerman dërgon sinjale shqetësues në qytetet e tjera miqësore me biçikletat dhe reflekton pakënaqësinë në rritje të drejtuesve të mjeteve motorike.

Pedonale qe nga 2020-s, Friedrichstraße është një nga bulevardet ikonë të kryeqytetit gjerman. Është një rrugë e gjatë 3 km, në të cilën gjenden dyqane dhe restorante elegante, krah Checkpoint Charlie, pika kufitare që dikur ndante Berlinin Lindor nga ai Perëndimor.

Pronarët e biznesve të kësaj rruge nisën të hidhin në gjyq bashkinë, me pretendimin se mbyllja e lëvizjes së mjeteve u ka ulur fitimet dhe ka shkaktuar trafik në disa pika të zonës.

Gjykata Administrative e Berlinit u dha atyre të drejtë dhe bashkia zhbllokoi qarkullimin. Por vetëm pak muaj më vonë u vendos që bulevardi të kthehej përgjithmonë në pedonale.

Duke parë pakënaqësinë e shkaktuar nga ky vendim, në vigjilje të zgjedhjeve të reja, CDU e bëri këtë një nga kauzat e veta dhe u prezantua te votuesit si mbrojtëse e të drejtave të klasës punëtore berlineze që përdorin makinat private për të shkuar në punë. Strategjia funksionoi dhe CDU arriti një qeveri koalicioni me socialdemokratët.

Por kjo nuk po ndodh vetëm në Berlin. Fitorja e konservatorëve në Britani ka rritur zemërimin ndaj vendimit të kryebashkiakut të Londrës, Sadiq Khan, për të reduktuar ndotjen nga makinat.

Kryeministri konservator Rishi Sunak ka mbledhur pas vetes votues duke pretenduar se Britania është një "vend shoferësh", me premtimin se do të bëjë gjithçka që ka në dorë për t’i mbrojtur drejtuesit e mjeteve nga kufizimi i shpejtësisë dhe zonat e reja me emetim të ulët.

Në Bruksel, një plan rajonal për të ulur trafikun e makinave me 24 për qind deri në vitin 2030 ka nxitur herë pas here protesta të dhunshme në disa bashki, duke i detyruar autoritetet të ndalojnë ose anulojnë planet për disa zona.

Partitë e djathta e kanë kuptuar se mund të fitojnë vota duke bërë fushatë kundër çështjeve si opsionet e transportit pa ndotje, sepse këto janë tema emocionale.

Me shkurtime nga Politico.eu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.