Memushaj: Arsimi shqiptar është në ditët më të këqija  

Postuar në 04 Tetor, 2023 23:02

Profesori i gjuhësisë, Rami Memushaj, thotë se niveli në rënie i rektoratit e ka dëmtuar Universitetin e Tiranës. Në studion e lajmeve të MCN TV, Memushaj tha se pas viteve ’90, përzgjedhja e profesorëve në një masë  të madhe është bërë mbi kritere që nuk kanë të bëjnë me formimin shkencor.  

Niveli i profesoratit nuk është i kënaqshëm. Pas ‘90 nuk janë tërhequr studentët më të mirë. Ka pasur përzgjedhje me baza partiake, interesi, korrupsioni etj.

Mendoj se jemi në ditët më të këqija të arsimit shqiptar dhe do të vazhdojmë nëse nuk vihet dorë.

Universitetin e Tiranës e ngritën dhe e mbajtën profesorë të shkolluar në Perëndim ose në Lindje. Në Shqipëri nuk mund të krijojmë shkolla teorike, do marrim gjithnjë nga Perëndimi. Por që ta bësh këtë duhet të shkosh atje. Në këtë pikë, shteti shqiptar nuk ka bërë asgjë. Pas viteve ‘60, kur Shqipëria u mbyll, disa u dërguan disa në Itali, disa në Francë.

Memushaj tha se deformimi i gjuhës shqipe, sidomos vitet e fundit, vjen si rezultat i mungesës së kujdesit që duhet të tregojë shteti, por edhe vetë media.  

Ne jemi identifikuar me gjuhën. Dikur jemi thirrur arbëreshë. Mbi bazën e gjuhës ne jemi shqiptarë. Rënia është rezultat i mungesës së kujdesit. Në radhë të parë e kujdesit të shtetit. Na mungon një ligj i gjuhës, disa dispozita që do të rregullonin ligjërimin publik. Pronarët e televizioneve nuk kanë asnjë kujdes për përgatitjen gjuhësore të gazetarëve televizivë. Ata nuk kualifikohen, duhet të ketë një njohje bazë të gjuhës. Mund të organizojnë kurse kualifikimi, në mënyrë që të rritet niveli gjuhësor i folësve televizivë.

Lidhur me gabimet që hasen shpesh në tekstet shkollore, Memushaj tha ato vijnë kryesisht për shkak të referimit te modelet e huaja dhe të mungesës së redaktorëve profesionistë në shtëpitë që botojnë librin shkollor.

Unë e shoh te gjuha defektin e teksteve. Bëhen duke parë modele të huaja dhe kanë edhe defektin e përkthimit. P.sh. në matematikë, nëse kërkesa nuk është e saktë, nuk e zgjidh dot problemin.

Tekstet duan redaktim. Tani është ndryshe. Redaktimi i teksteve është shumë i vështirë. Unë vetë p.sh. kam marrë pjesë në redaktimin e një teksti. Kërkon kujdes të jashtëzakonshëm redaktimi i një teksti.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.