Weller: Lajçak mban anën e Serbisë, Kosovës i falet humbja e besimit te BE-ja   

Postuar në 15 Qershor, 2023 22:24

Prof. dr Marc Weller, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe i Studimeve Kushtetuese Ndërkombëtare në Universitetin e Kembrixhit, analizon arsyet e bllokimit të negociatave të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Weller kritikon rolin e Mirosllav Lajçak, si lehtësues i dialogut në emër të Bashkimit Europian. Sipas tij, në cilësinë e udhëheqësit të dialogut, Lajçak (të cilit gjatë analizës i referohet si Lehtësuesi) ka qenë i pabalancuar dhe kjo rrezikon vazhdimin e procesit, pasi po humbet besimi te BE si faktor ndërmjetësues në dialog. Weller del në konkluzionin se procesi është fokusuar vetëm në çështjet që Serbia ngul këmbë të diskutohen dhe të cilat kërkojnë sakrifica vetëm nga Republika e Kosovës. Sipas tij, Republikës së Kosovës mund t’i falet pse e ka humbur besimin në të gjithë procesin e negociatave të udhëhequr nga lehtësuesi aktual.

I gjithë procesi, përfshirë edhe nismën gjermano-franceze për një marrëveshje bazë, duket se është transformuar në një makineri për t’i bërë trysni Kosovës që t’i pranojë kërkesat e Serbisë duke e injoruar plotësisht balancën e pretenduar të Marrëveshjes Bazë të Brukselit”, shkruan Weller.

Disa nga klonkluzionet e analizës së Weller

  • Për shembull, Aneksi i Marrëveshjes Bazë pësoi ndryshime fondamentale në dëm të Kosovës vetëm disa orë para se të nisnin negociatat e Ohrit në mars, në një përpjekje evidente që të akomodohej Serbia. Me gjithë këto lëshime të mëdha, Serbia e prishi procesin, duke refuzuar të nënshkruajë çfarëdo dokumenti, pavarësisht përmbajtjes. Sidoqoftë, madje edhe atëherë, BE-ja vendosi të vazhdonte tutje thuajse marrëveshja ishte nënshkruar nga palët.
  • Ndërsa insistonte se Marrëveshja Bazë ishte e detyrueshme për të dyja palët, pavarësisht të gjithave, Lehtësuesi njëmend ka vepruar në pajtim me pretendimin e Beogradit që të mund të zgjedhë se cilat detyrime që dalin nga Marrëveshja, nëse ka ndonjë, do t’i zbatojë ose jo. Kjo është antiteza e një raporti kontraktual që kërkon zbatim të barabartë të të gjitha dispozitave në bazë të një balance interesash mes palësh.
  • Procesi tani fokusohet ekskluzivisht në adresimin e çështjes së zbatimit të nenit 7 të Marrëveshjes Bazë që ka të bëjë me bashkëpunimin e komunave me shumicë serbe në vetëmenaxhimin e ofrimit të shërbimeve. Kjo është çështja që i intereson Serbisë dhe çështja për të cilën Kosovës i kërkohet t’i japë të gjitha, njëanshëm dhe në avancë.
  • Në fakt, formati i propozuar për këto bisedime e adreson vetëm njërin aspekt të nenit 7 dhe e injoron atë që është me interes për Kosovën, e që ka të bëjë me përkrahjen e strukturave paralele të qeverisjes nga Serbia. Gjithashtu e injoron kornizimin e çështjes në nenin 7.
  • Lehtësuesi është tërhequr nga garancitë e veta të fuqishme, të thëna zyrtarisht dhe disa herë të përsëritura nga BE-ja, për kriteret për mekanizmin për ta zbatuar nenin 7. Në një kontekst tjetër, kjo do të ishte shkelje e besimit.
  • Lehtësuesi pretendon se i ka fuqitë absolute për ta formësuar rezultatin e këtyre bisedimeve, pavarësisht nëse Kosova pajtohet në fund ose jo. Kjo është e papranueshme për një çështje që është juridiksion sovran i Kosovës.
  • Nuk ka plan të fortë të zbatimit, për t’i balancuar lëshimet që priten nga pala kosovare me koncesione kundërbalancuese nga ana e palës tjetër negociuese. Kërkohet që vetëm Kosova të përmbushë obligime. Shkeljet fillestare të Marrëveshjes Bazë nga Serbia janë lënë të patrajtuara nga Lehtësuesi .

Dialogu Prishtinë-Beograd, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, është në ngërç të plotë që prej shkurtit të këtij viti, kur Serbia refuzoi nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit. Që atëherë, tensionet në veri të Kosovës e kanë bërë çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe temën kryesore të ditës dhe fokusin e vëmendjes ndërkombëtare.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.