Një nivel i ri marrëdhëniesh me Poloninë

Postuar në 11 Qershor, 2023 21:40

Ambasadorja polake në Shqipëri, Monika Pazdan, ka pohuar në një intervistë për MCN, se marrëdhëniet mes dy vendeve, po shkojnë drejt një niveli edhe më të ngushtë, sidomos në aspektin ekonomik. Ndër të tjera, ambasadorja rrëfeu për herë të parë, se Polonia ka në plan që të hapë një stacion ballkanik në Universitetin e Tiranës, si hap i rëndësishëm në fushën e arsimit.

Zonja ambasadore, së pari një pyetje për vizitën e presidentit Andrzej Duda në Tiranë. Çfarë përfaqëson për marrëdhëniet dypalëshe kjo vizitë? 

Së pari dëshiroj t’iu falenderoj për ftesën në programin tuaj dhe mundësinë për tu shprehur për ngjarjet e ndodhura së fundmi. Po e nis nga vizita e zotit President. Dëshiroj të theksoj se është hera e pare, që prej 20 vitesh, që kreu i shtetit polak viziton zyrtarisht Shqipërinë. Ky është një sinjal i qartë nga ana jonë lidhur me mbështetjen  tonë të forte ndaj aspiratave europiane të Shqipërisë. Për Poloninë është e qartë, se vendi i Shqipërisë, aleatit dhe partnerit tone në NATO, është në Bashkimin Europian. Polonia ndodhet tani shumë pranë frontit të luftës në Ukrainë dhe qëndrimi i vendosur i Shqipërisë përkrah viktimës së agresionit rus, është shumë i rëndësishëm për ne. Prandaj kjo vizitë ishte në rradhë të pare një shprehje falenderimi ndaj palës shqiptare. Gjithsesi, vizita e kreut të shtetit është kurorëzim në tërësi i marrëdhënieve dypalëshe. Me përjashtim të periudhës së pandemisë, kur jeta politike ‘’ngriu’’ përkohësisht, gjendja e marrëdhënieve polako-shqiptare është shumë e mire. Janë intensifikuar vizitat e ndërsjellat në të gjitha nivelet. Mund të përmend këtu vizitën e Ministrit tone të Jashtëm, zotit Rau, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, vitin e kaluar. Ndërsa këtë vit kemi patur vizitën e Ministrit të Sporteve, si dhe të Ministrit të Sipërmarrjes, i cili kryesoi punimet e Komisionit të Shtatë të çështjeve ekonomike polako-shqiptare. 

Polonia asiston Shqipërinë në procesin e integrimit dhe është mbështetëse e hapur e anëtarësimit tonë në BE, proces ky që është formalizuar edhe me një memorandum dypalësh. Por përtej kësaj në aspektin ekonomik si janë marrëdhëniet tona? 

Pikërisht, sapo e përmenda vizitën e Ministrit, Zotit Piechowiak, i cili kryesoi punimet e Komisionit të Shtatë të çështjeve ekonomike polako-shqiptare. Këto takime janë tepër të rëndësishme, sepse aty takohen ekspertë të fushave nga më të ndryshmet, që nga veterinaria e deri tek siguria kibernetike. Gjatë takimeve të fundit u arrit të identifikohen edhe sektorë të rinj të bashkëpunimit polako-shqiptar. Shpreh besimin se ky vit dhe ai në vazhdim do të hapin një kapitull të ri në kontaktet tona ekonomike, ato do të jenë shumë më të shpeshta. Nëse shohim statistikat, bie në sy rritja prej 60% e volumit të shkëmbimeve tregtare polako-shqiptare dhe kjo na gëzon, por mendojmë se ka shumë potencial për rritje të mëtejshme, që duhet shfrytëzuar duke bashkëpunuar më intensivisht. Ne mendojmë se Shqipëria është një treg interesant europian, me potencial jashtëzakonisht të lartë dhe do të donim të shihnim këtu sa më shumë kompani polake, që të bashkëpunonin me kompani shqiptare, ose të realizonin projektet investimi direkte në Shqipëri. 

Me vizitën e z. Duda u zhvillua edhe një tryezë e bizneseve. Cilat janë fushat kryesore ku ju shihni mundësi investinesh? 

Sigurisht, përbërësi ekonomik i vizitës së Presidentit, në vlerësimin tonë do të krijojë një impuls të ri. Rikujtoj që Forimin Ekonomik e kryesuan bashkarisht të dy Presidentët, Z. Begaj dhe Z. Duda, të cilët bënë thirrje për intensifikim të marrdhënieve dypalëshe ekonomike, ndërsa Z. President Duda shprehu inkurajimin në drejtim të bizneseve shqiptare për të shqyrtuar mundësitë e investimeve në Poloni. Mendojmë se tregu shqiptar është me interes për kompanitë e huaja, por ka ardhur koha që edhe bizneset shqiptare të hedhin vështrimin me guxim drejt Polonisë dhe vendeve të tjera europiane. Kur bëjmë fjalë për investimet mundësitë janë shumë të gjera. Ju rikujtoj që edhe Polonia ka ndjekur një rrugë të ngjashme me atë që po ndjek tani Shqipëria dhe nuk mund ta fshehim, se shpesh duhet të ndërmerren reforma te dhimbshme, por të domosdoshme që të stimulohen investimet dhe rritja ekonomike. Z. President Duda i bëri shumë përshtypje boom-i ekonomik dhe veçanërisht ai i ndërtimeve në Shqipëri. Ai ka qenë për herë të fundit këtu në vitin 2019, si i ftuar special në Samitin e Brdo-Brijonit dhe tani pas 4 viteve vuri re ndryshime të dukshme. Në hapësirën e këtyre 4 viteve, boom-i i ndërtimeve paraqet një shans të mirë për kompanitë e këtij sektori, si dhe ato të aderimeve, apo të elektroshtëpiakeve. Polonia mund të ndajë gjithashtu me Shqipërinë përvoja interesante në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, si dhe lidhur me burimet e energjisë së rinovueshme. 

Vitet e fundit ka një prani të autorëve polakë në shqip përmes përkthimeve të autorëve të njohur si Ceslav Milosz, Kapuscinski, Gombrowicz, Szymborska, Stanislav Lec apo edhe Olga Tokarczuk. Dhe duhet thënë se janë autorë që lënë shumë mbresa, zbulojnë një botë të re për lexuesin shqiptar. Në fushën kulturore, kinemasë apo të arsimit çfarë mund të bëhet më shumë? 

Me kënaqësi konstatojmë që letërsia polake, e përfaqësuar nga autorët e hershëm që ju përmendët e deri tek Nobelistja Tokarçuk, gëzon popullaritet në Shqipëri. Aktualisht numërojmë rreth 70 vepra polake të përkthyera në shqip. Kjo sigurisht na gëzon, por nga ana tjetër do të donim që edhe letërsia shqiptare të ishte më tepër prezente në Poloni. Nuk e di nëse jeni në dijeni që në vitet 2012-2016 ishte ambasador në Tiranë Z. Marek Jezhioranjski. Javën e kaluar në tregun polak u hodh në qarkullim, i përkthyer prej tij, romani ‘’Kronikë në gur” i Ismail Kadaresë. Mendojmë se letërsia shqiptare është po aq interesante sa ajo polake. Ndërsa kur bëhet fjalë për kinematografinë, filmat shqiptarë janë prezent rregullisht prej vitesh në Festivalin e Filmit në Varshavë, po ashtu edhe filmat polakë në festivalet e filmit që zhvillohen në Shqipëri. Doja të shtoja diçka edhe për shkëmbimet studentore, sepse është pikërisht formimi i brezit të ri që do të ndikojë në zhvillimin e ardhshëm të vendit. Aktualisht në Poloni studiojnë rreth 70 studentë shqiptarë, bazuar në të dhënat e vitit të kaluar. Ata përfitojnë mbështetje në formën e bursave të qeverisë polake, ose nga programi Erasmus. Dëshiroj tju jap dhe një lajm të veçantë, për herë të parë po e përmend në TV tuaj. Universiteti i Varshavës po i rikthehet idesë së para-pandemisë dhe planifikon të krijojë një Stacion Ballkanik pranë Universitetit të Tiranës. Së shpejti do të mirëpresim këtu profesor Malickin, shpresojmë që të nënshkruajë kontratën dhe studentët shqiptarë të nisin mësimin e gjuhës polake, që mendojmë se do të ketë interes, duke patur parasysh numrin e turistëve polakë në Shqipëri, vitin e kaluar ishin këtu rreth 200 mijë vizitorë nga Polonia. Gjithsesi, gjuha polake mund të jetë me interes edhe në aspekte të tjera.
 

Zonja ambasadore do të doja të flisnim edhe për krizën në Ukrainë. Polonia është një ndër vendet më aktive të NATO-s kundër invazionit rus. Pse ky qëndrim?

Kemi të bëjmë me agresion në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës, që ka për qëllim likuidimin e këtij shteti dhe shkatërrimin e kësaj zone të sigurisë në Europë. Ky konflikt ka natyrë sistemike, dhe në vlerësimin tonë do të zgjasë për aq kohë sa në Moskë të jetë në fuqi regjimi i Putinit. Për ne është e qartë se në Rusi prej vitesh u zgjuan demonët e totalitarizmit dhe nacionalizmit. Polonia e ka ngritur zërin me kohë për këtë, por nuk u dëgjua sa duhet në Europë. Ju rikujtoj se Leh Kaçinjski deklaroi kohë përpara, se Rusia nuk do të ndalet vetëm me Gjeorgjinë, por zëri i tij nuk u dëgjua, Europa nuk donte të dëgjonte dyshimet tona. Ne nuk pretendojmë të kemi monopolin e njohurive mbi Rusinë, por ndodhemi në një pjesë të kontinentit që ka përvoja të shumta të ballafaqimit me totalitarizmin dhe nacjonalizmin rus. Në këtë kontekst, na gëzojnë deklarimet e Presidentit Makron në Samitin e fundit në Sllovaki, ku theksoi se Europa Perëndimore nuk e dëgjoi Europën Lindore, nuk ia lejoi vetes të kuptonte çfarë po ndodhte. Në vazhdim të kësaj deklarate, shpresoj të mos kemi më ndarazi Europë Perëndimore apo Lindore, por një Europë të vetme, e cila flet me një zë të përbashkët.
 

Jeni vend fqinj i Bjellorusisë, presidenti i së cilës jo rrallë ka lënë të kuptohet se një konfrontim me Poloninë nuk përjashtohet. Sa real është ky rrezik? 

Shkaqet e situatës aktuale në Bjellorusi duhen kërkuar në vitin 2020, kur atje ndodhi falsifikimi i rezultatit të zgjedhjeve presidenciale dhe nisi një persekutim të paprecedentë, në shkallë të gjerë të qytetarëve të vet. Gjithashtu, bashkëpjesëmarrja e Bjellorusisë në agresionin rus në Ukrainë e përforcoi më tej frymën antiperëndimore të rregjimit të Lukashenkos dhe kërkimin e armiqve të jashtëm dhe të brendshëm. Ai kërkon të ngjallë frikë me kursin anti-NATO, me persekutimet që përmenda më lart, si dhe me kundërvënien ndaj çdo gjëje që është polake apo lituaneze, duke hequr për shembull këto gjuhë nga mësimi të pakicave kombëtare në shkolla. Përderisa të mos ketë ndryshime demokratike në Bjellorusi, rregjimi i Lukashenkos do të vazhdojë të krijojë kërcënime me kursin e tij anti-perëndimor. 

Nga pikëpamja e sigurisë dhe për të përballur atë që quhet rreziku rus çfarë sugjeron Polonia si vend që është në dyert e krizës? 

Situata në Ukrainë tregoi se ndryshoi në mënyrë thelbësore sistemi kolektiv i sigurisë. Pas deklaratave të fundit të Presidentit Putin mbi Vendosjen e armëve bërthamore në territorin e Bjellorusisë, ajo që duhet të bëjmë është padyshim forcimi i krahut lindor të NATO-s. Kjo është detyrë themelore. E përshëndetëm me kënaqësi pranimin e Finlandës në NATO dhe tani presim hyrjen e Suedisë në këtë organizatë. Këto zhvillime, padyshim e forcojnë Aleancën dhe mund të shërbejnë si dekurajim për Rusinë. 

Presidenti rus në vijimësi ka bërë thirrje kundër atyre që i quan përpjekje revizioniste të së vërtetës së Luftës së Dytë Botërore dhe një ndër vendet që ka akuzuar më shumë në këtë drejtim është Polonia. Sa qëndron ky pretendim dhe sipas pikëpamje polake çfarë duhet rishkruar për LIIB? 

Me keqardhje konstatoj, se nga këndvështrimi i Kremlinit historia nuk është një disiplinë shkencore, por thjesht një instrument politik. Putini nuk ka për qëllim ta revokojë realisht historinë, ai thjesht e menaxhon atë për qëllimet e veta. Prandaj akuzon vendet europiane për revizionim e shtrembërime historike, sipas tij i vetmi version i duhur historik për Luftën e Dytë Botërore është ai rus. Le të shohim psh. mitin mediatik të çlirimtarit. Se si janë sjellë çlirimtarët rusë atëherë me njerëzit e di shumë mirë gati gjysma e Europës, ndërsa tani e dëshmojnë krimet ruse në Buça apo Irpin, ata janë gjoja çlirimtarë. Miti i dytë mediatik ka të bëje me bashkëpërgjegjësinë e Rusisë për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Kushdo që përmend pjesën e fajit të Rusisë në atë kohë, etiketohet menjëherë si fashist apo rusofob. Nga këndvështrimi i Polonisë, i vendit që ka ndier më shumë dhimbje prej çmendurisë ideologjike, si të Hitlerit, ashtu edhe të Stalinit, e vërteta historike është shumë e rëndësishme. Jo vetëm Europa, por e gjithë bota duhet të mbajnë parasysh faktin, se gjysma e Europës u çlirua me një kosto shumë të lartë, atë të robërimit të gjysmës tjetër, kjo nuk duhet harruar asnjëherë.

Sa e ka ndryshuar Europën dhe rendin ndërkombëtar kjo luftë?

Data 24 shkurt e vitit 2021 shënoi një ngjarje, të cilën Europa nuk besonte se mund të ndodhte. Mbizotëronte mendimi, se liria e Europës ishte e garantuar një herë e përgjithmonë dhe nuk do duhej më kurrë të luftohej për të, derisa erdhi ky moment kur u kuptua që duhet luftuar. Pas një viti lufte, janë disa aspekte që kanë ndryshuar për Europën dhe gjithë botën. Patëm të bëjmë me krizën më të madhe të emigracionit që nga Lufta e Dytë Botërore. Rreth 7 milionë ukrainas u detyruan të largohen nga vendi i tyre, ndërsa rreth 8 milonë emigruan brenda territorit. Njerëzve iu desh të largoheshin nga ato vendbanime ku binin bombat, duke shkatërruar ndërtesat e marrë jetë, në drejtim të kufirit perëndimor, ku jeta është disi më e sigurt. Patëm të bëjmë gjithashtu, si në Poloni dhe në Shqipëri, me mungesa furnizimi me produkte të ndryshme, kryesisht ushqimore që vinin prej Ukrainës. Kjo kërkon të mendohemi seriozisht, se si mund të zgjidhet kriza ushqimore. U shfaqën gjithashtu shenjat e krizës energjitike, Rusia ishte një nga eksportuesit më të mëdhenj të naftës dhe gazit natyror. Fatmirësisht, BE mori vendimin për tu shkëputur nga varësia e furnizimit me karburante ruse dhe kjo mund të ketë si pasojë pozitive fokusimin tek energjitë e rinovueshme dhe mund të përshpejtojë arritjen e objektivave klimatike. Pasojë tjetër ishte zgjerimi i mëtejshëm i NATO-s. Suedia dhe Finlanda ndoqën për shumë vite politikën e neutralitetit, por lufta në Ukrainë ndryshoi ndjeshmërinë qytetare dhe autoritetet e këtyre vendeve vendosën të paraqesin kërkesat për anëtarësim. Dhe së fundi diçka mjaft e prekshme për shumë qytetarë të zakonshëm, rritja e çmimeve dhe inflacioni. Kjo po ndodh jo vetëm në Europë, por në të gjithë botën. Do të duhet të merremi për shumë kohë me këtë fenomen. 

Si i komentoni protestat e fundit në Poloni?

Data 4 qershor është Dita e Lirisë dhe Demokracisë në Poloni, që prej vitit 1989. Atëherë në Poloni u zhvilluan zgjedhjet e para, pjesërsisht të lira parlamentare, pas Tryezës së Rrumbullakët dhe lëvizja Solidarnost mori pushtetin prej komunistëve. Komuniteti ndërkombëtar i paraqet demonstratat e fundit si antiqeveritare, por unë e shoh këtë në dy këndvështrime. Së pari, në këtë marshim paqësor me shumë flamuj të Polonisë dhe BE-së, pjesëmarrësit i kujtuan gjithë Europës rëndësinë e vitit 1989 për Poloninë. Së dyti, u vërtetua se jetojmë në një vend ku e drejta e demonstrimit ushtrohet lirshëm, ndryshe nga sa pohojnë disa, madje edhe me parulla antiqeveritare, pra demokracia në Poloni vazhdon të funksionojë.
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.