Perëndimit mund t'i duhet të mësojë se si të jetojë me Erdoganin

Postuar në 18 Maj, 2023 19:46
Nathalie Tocci*

 

Pjesëmarrja në nivelin 89 për qind, në një vend me popullsi rreth 90 milionë banorë, është një rezultat zgjedhor që i turpëron shumicën e demokracive liberale.

Turqia, natyrisht, nuk është një demokraci liberale. Shkeljet e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, një shtet ligjor i gërryer dhe një ndarje e shkatërruar e pushteteve nuk lënë vend për dyshime.

Megjithatë, në mënyrë paradoksale, kjo është pikërisht ajo që e bën raundin e parë elektoral të Turqisë kaq të jashtëzakonshëm: në një sistem politik ku të drejtat dhe sistemi check and balance janë shfuqizuar, zgjedhjet nuk mund të jenë të duhurat. Megjithatë, asnjë kandidat nuk mori shumicën absolute, çka e çon Turqinë në një raund të dytë votimi më 28 maj.

Sidoqoftë, është e vështirë të imagjinohet një raund i dytë zgjedhjesh në Rusinë e Vladimir Putinit, Kinën e Xi Jinping ose Egjiptin e Abdel Fattah el-Sisi. Sistemi politik turk nuk është demokratik, por shoqëria turke ka demonstruar një qëndrueshmëri demokratike për t'u admiruar në mbarë botën. Dhe pavarësisht nga rezultati i raundit të dytë, kjo kërkon reflektim.

Duke u mburrur me 49.5 për qind të votave në raundin e parë të garës presidenciale të Turqisë, presidentit Recep Tayyip Erdoğan tani i fryn era në vela. Dhe nëse një pjesë, nëse jo e gjitha, e 5 përqindëshit të votave të kandidatit nacionalist të raundit të parë Sinan Oğan përfundon te lideri aktual – në varësi të marrëveshjeve të arritura gjatë dy javëve të ardhshme – do të kemi një fitore të qartë të Erdoganit kundër kandidatit të opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu.

Është e vërtetë që këto rezultate janë shumë larg pritshmërive të opozitës. Ndërsa anketuesit e kanë nënvlerësuar më parë fuqinë e Erdoganit për të qëndruar në pushtet, shumë menduan se këtë herë do të ishte ndryshe. Inflacioni i rritur, ekonomia në stanjacion dhe një tërmet që u mori jetën 500 mijë njerëzve dhe që u keqmenaxhua në mënyrë spektakolare, ishin arsye të forta për të pritur një kthesë radikale. Jo ashtu. Në vend të kësaj, raundi i parë i Turqisë tregon për një vend gjithnjë e më të ndarë gjeografikisht, nacionalizëm në rritje, një luftë kulturore të rrënjosur thellë dhe tërheqjen e qëndrueshme të autoritarizmit populist.

Siç e pati parashikuar POLITICO, rizgjedhja e Erdoganit do të ishte një rezultat i përshtatshëm për Evropën. Bashkimi Evropian do të mund të flasë për vlerat, duke goditur autoritarizmin e Turqisë – mbi të cilin ajo nuk ka ndikim – ndërsa në mënyrë cinike do të ecë në rrugën e një marrëdhënieje thjesht transaksionale me një udhëheqës transaksional që nuk ka turp.

Mishërim i kësaj është vazhdimi i marrëveshjes së migracionit të vitit 2016. Dhe, në një farë mase, qëndrimi i Turqisë lidhur me pushtimin rus të Ukrainës ka sjellë gjithashtu disa përfitime – siç është marrëveshja e grurit. Por ndërsa nuk ka asnjë garanci se e para do të vazhdojë, duke pasur parasysh padurimin në rritje të shoqërisë turke me refugjatët – të cilit edhe Erdogani do të duhet t’i përgjigjet – ajo që është e sigurt është se Kılıçdaroğlu do të largohej nga një marrëdhënie e tillë transaksionale. Dhe ndërsa ai do ta kthente demokracinë e Turqisë në rrugën e duhur nga njëra anë, nga ana tjetër, ai përfundimisht do të shkonte të trokiste në derën e BE-së për anëtarësim.

Prandaj, fitorja e opozitës do ta detyronte BE-në të shikonte veten në pasqyrë, duke ekspozuar kontradiktat e saj të shumta. Dhe për sa i përket Turqisë, ky reflektim nuk do të ishte i bukur.

A do të thotë kjo se BE-ja tani mund të ulet, të qetësohet dhe të supozojë se gjithçka mbetet njësoj? Jo.

Zgjedhjet turke flasin për qëndrueshmërinë demokratike të një shoqërie që meriton vëmendje dhe mbështetje. Edhe nëse Erdogan do të hyjë në dekadën e tij të tretë në pushtet, kjo dëshmon se ai dhe Turqia nuk janë sinonime.

Për Evropën, kjo do të thotë abstenim nga dyfishimi i kritikës dhe gishtit të drejtuar ndaj demokracisë turke – e cila, mes një shoqërie gjithnjë e më nacionaliste, ka më së shumti një efekt bumerang. Në vend të kësaj, ajo kërkon gjetjen e mënyrave alternative më të qeta për t'u angazhuar me shoqërinë turke përtej liderit të saj. Vazhdimi në një marrëdhënie ekskluzivisht transaksionale me Turqinë nëpërmjet Erdoganit nuk i jep drejtësi vendit, dinamizmit apo potencialit të tij për ndryshim.

Thënë kjo, zgjedhjet e Turqisë na tregojnë gjithashtu diçka për qëndrueshmërinë e populizmit autoritar, autokracitë elektorale dhe vendet demokratike e autoritare që nuk shihen sy më sy me Evropën dhe Perëndimin.

BE-ja duhet të mësojë të jetojë me këto vende, ndërsa reflekton se çfarë mund dhe nuk mund të bëjë.

Dhe ajo që nuk mund të bëjë është të shpresojë se mund ta ndryshojë këtë situatë përmes diplomacisë deklarative, predikimit dhe bindjes. Askund nuk është kjo më e qartë se sa në përpjekjet e dështuara të fuqive perëndimore për të joshur vendet neutrale ndaj luftës së Ukrainës, në Afrikë, Azinë Lindore dhe Amerikën Latine, duke folur për rendin e bazuar në rregulla, demokracinë dhe antikolonializmin.

Kjo nuk do të thotë që Evropa duhet t'i rrëzojë këto argumente, ose t'u kthejë shpinën atyre që nuk janë dakord me të, duke i mundësuar Rusisë të luajë lojën "Perëndimi kundër Të Tjerëve".

Përkundrazi, Evropa duhet të gjejë mënyra për të kërkuar partneritete në të cilat ajo u ofron vlerë bashkëbiseduesve të saj, ndërsa pret diçka po aq të prekshme në këmbim. Dhe duhet ta bëjë këtë në mënyrë pragmatike, por jo transaksionale, siç ka bërë deri më tani me Turqinë e Erdoganit.

Një gjë është të bësh një bisedë të sinqertë ku Evropa përcakton se çfarë i duhet dhe çfarë mund të ofrojë, duke u inkuadruar si brenda kontureve të të drejtave dhe edhe brenda ligjit. Por është krejt tjetër të predikosh vlera ndërsa ndjek në mënyrë cinike transaksione, duke shpresuar thellë-thellë se ndryshimi politik brenda atyre vendeve nuk do të ekspozojë kurrë kontradiktat e Perëndimit.

*Nathalie Tocci është drejtoreshë e Istituto Affari Internazionali dhe pedagoge me kohë të pjesshme në Institutin Universitar Evropian.

/ Politico.eu /

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.