Kuakuarakua

Postuar në 18 Maj, 2023 00:35
Skerdilajd Zaimi

 

Shqipëria ka sot dy probleme themelore: një qeverisje kriminale në kuptim të implikimit në korrupsion dhe e dyta; kjo qeverisje konfirmohet me votë. Për shkak të një opozite që nuk arrin dot të përfaqësojë tashmë veçse historinë e vet që po e ezauron si ekzistencë në mbijetesë. 

Tani vetë kjo opozitë ka probleme të tjera brenda; një është Berisha, tjetër është këneta që përpiqet të përfitojë. Pajtimi teorik i këtyre dy drejtimeve mund të ndodhë vetëm përmes dominimit, pasi këta kundërshtarë spontanë dhe oportunistë nuk ndahen për ide. Nëse Berisha është ai që është, pala tjetër është asgjë më shumë sesa klisheja filo amerikane në veprim retorik. 

Cili është dallimi në kuptim të të vetmes vektori që ka vlerë në politik: Forcës? Sali Berisha ishte përgatitur për humbjen dhe këtë e dëshmoi deri diku me mënyrën sesi reagoi ai me partnerin e vet, Ilir Meta. Ndoshta jo për këtë gradë humbjeje, por për humbjen po. Për këtë arsye ai nuk vonoi as 24 orë dhe doli me qëndrimin e vet tashmë të njohur. Pak më vonë iu bashkua Ilir Meta. Që nga ky moment axhenda politike e atij grupi është caktuar dhe ajo nuk kushtëzohet nga asgjë më veçse nga arritja e një kompromisi me shumicën. Për të rihyrë në lojë apo për të ruajtur veten. 

Kjo mund të jetë politikë destruktive, miope, e pashpresë, antiamerikane, antieuropiane, arkaike, e me radhë. Por është politikë. 

Krahu tjetër ndërkohë, ka deri më tani vetëm një akt politik, por jo një politikë. Ky akt është dorëheqja e Enkelejd Alibeajt që me të kaloi nga roli i një karakteri që nuk ia vlen ta përshkruajmë, në atë të një aktori politik vendimi i të cilit passjell zhvillime. Përndryshe pala anti-Berisha po dëshmon se nuk ia ka haberin politikës, se njerëzit që pretendojnë se përfaqësojnë atë janë aty aksidentalisht, marioneta të vetes dhe miklimeve të ambasadave e që për më keq, si të tillë e mbajnë Berishën në lojë. 

Ta lëmë mënjanë gazetaren, moderatoren, aktore - oratoren Grida Duma. Ta lëmë të ndotë edhe ca “gazetarinë” e garderobës siç satirizoi me qenien e vet Parlamentin.

Një ditë më parë u shfaq Bamir Topi që mendueshëm deklaronte “se nuk sheh reflektim nga PD-ja”. Sot u shfaq Agron Gjekmarkaj që ndër të tjera është shprehur te studio e zonjës Duma se: 

Mendoj se e vetmja rrugë është rithemelimi i PD, por këtë herë të jetë i vërtetë. Duhet të fillojë nga vullneti i mirë, nga arsyeja. Të bëhet një platformë bashkëpunimi, lidershipi të ketë një lider të ri, as Berisha, as Basha. Atëherë do të kishim një forcë konkurruese. Nëse nuk e realizon deri në shtator, ne do të turpërohemi akoma më shumë dhe është e pavlerë të dalim pas dy vitesh dhe të themi na i vodhën. Në PD po gënjejnë veten. Berisha duhet të kuptojë që nuk duhet ta varrosë krijesën e vet, të mos bëhet dëshmitar në këtë funeral. Shoh një gjuhë agresiviteti, rezistence

Kush janë këta Ne? Mesa dimë, z. Gjekmarkaj sikur ishte në krahun tjetër. Dhe që andej publikonte ditarin e Parlamentit që të kujton në stil dhe humor gjerman atë ditarin e grevës së urisë që publikonte “Koha Jonë” në pronësi të Aleksandër Frangajt gjatë sakrificës sublime në bulevard të socialistëve të Edi Ramës. Mandej ky profesor universiteti e cilëson PD-në si krijesë të Sali Berishës, çka nuk është aspak e vërtetë. Ajo mund të jetë pronë e Berishës, edhe ashtu shumë radioaktive tanimë, por jo krijesë. Zotit Gjekmarkaj këtu mesa duket i shpëton kompleksi që ka ndaj Berishës duke ia njohur partinë si bajrak të vetin. 

Më naive është mandej apeli me nota elitiste e rithemelimit të vërtetë e të tjera llafollogji pa sens e pa kuptim përderisa propozimet ose duhen formalizuar si nismë, ose mund të kumtojnë diçka kur pas tyre ka një autoritet apo risi. Kush e beson se Sali Berisha do bëjë mbrapa tani që nisi një rrugë veçse nëse nuk merr pasarin që do?

Cili është kuptimi i kësaj thirrjeje? Ai politik po themi. Të grishë interesin e audiencës për sherrin e ri politik? Ndërkohë që flitet dhe propozohet, Berisha ka harruar tashmë zgjedhjet dhe ka nisur veprimin, në çmenduri të plotë për disa, në kundërshtim me logjikën dhe standardin, por siç e dimë ata që prodhojnë ngjarje diktojnë ritmin. 

Të jesh sot në PD është njësoj si të jesh votues më 14 maj; me haletë e PS-së nuk jam, por Berishës nuk ia jap dot. Rezultati: nuk shkoj fare dhe fiton PS. 

Për analogji; me Berishën nuk jam dot më, por më fal, me Gjekmarkajn? Është garë e pamundur, sepse një kafshë politike fiton dhe imponohet ndaj një mushke në politikë. Asgjë personale me personin në fjalë, as me PD-në e vulës. Por janë aksidente si ky apo Bamir Topi që kanë çuar ndër të tjera në parti kryetarësh. Për këtë kategori ka Shasha një fjalë: Kuakuarakua. Do të duhet të ishte e qartë tashmë: Berisha do sfiduar. Hapur, me betejë deri në fund. Sepse kështu merr vesh, ashtu e kërkoi dhe do poshtëruar edhe në partinë e vet meqenëse tashmë interesi nuk e lejon më të ketë kthim pas. Ishin këta politikanë që duke vepruar si protezë ambasadash e ricikluan Berishën në politikë, duke i vjedhur vulën nxirrnin gjuhën se ishin ata partia, kurse tani i thonë ik! Ndjesë, po kushdo që të ishte do thoshte: hip këtu e mbyll sytë se është shumë bukur.

Comments

Submitted by dori (not verified) on

Por edhe juve , zoti Zaimi, ju "shpeton" nje detaj: nongrata ndaj Berishes! Sai i perket pergjegjesise se Opozites, ky eshte faktori kryesor, qe pasoi nje sere zhvillimesh, qe sollen me pas kete rezultat zgjedhor. Ajo ishte fallco, ne kuptimin e lobuar. Kjo u kuptua menjehere , qe ne fillim, prandaj Berisha pati mbeshtetje pothuaj absolute nga anetaret e PD-se. Ketu mbyllet ceshtja. Berisha, ne 2013, me te vertete qe u terhoq nga politika; rikthimi i tij ishte me detyrim-percaktim; shlyerja e kesaj njolle turpi te padrejte, jo thjeshte ndaj nje personi privat, por ndaj atij qe vete Gjekmarkaj - ky intelektual katolik-gege, qe shkarrashkruan ne stilin toskerishte alla Hosteni te dikurshem, aq sa duket si nje malesor mirdite me qeleshe hedhur siper tirqeve karakteristke te malesoreve fustanellen - kur e perseriste shpesh si "lideri historik i se djathtes"; si dhe c'eshte me kryesorja: synimi per te shkaterruar Opoziten ne Shqiperi. Pa e kuptuar kete, pa e perfillur kete te vertete kaq te thjeshte, cdo analize eshte sakate.
Shkodra, zoti Zaimi, Shkodra. Rezultati befasues atje eshte deshmi uleritese se shit-blerja dhe grabitja e votes nga socialistet eshte arsyeja e vertete dhe e vetme e humbjese se opozites se Berishes; aq i stermadh eshte ky krim elektoral, sa eshte krejt e padrejte edhe te mendosh per te meta te opozites, pale pastaj per faje te saj.
Po, mund te beheshin analiza te tilla, nese kjo humbje do te vinte ne rrethana te nje korrupsioni te ZAKONSHEM zgjedhor, si ai qe ka qene ne koherat Nano-Meta-Berisha dhe Berisha-Meta; por jo kete kohe, kohen e korrupsionit te JASHTEZAKONSHEM te Rames.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.