Monedha 1000-vjeçare të vikingëve zbulohen në Danimarkë

Postuar në 22 Prill, 2023 11:58

Gati 300 monedha argjendi rreth 1000-vjeçare janë zbuluar pranë një kështjelle vikinge në veriperëndim të Danimarkës.

Monedhat u zbuluan rastësisht nga një vajzë që po kërkonte metale në një fushë misri, vjeshtën e kaluar.

“Një gjetje si kjo është shumë e rrallë”, tha, Lars Christian Norbach, drejtori i Muzeut të Jutlandës së Veriut, ku do të ekspozohen artefaktet.

Monedhat e argjendit u gjetën pranë qytetit Hobro, rreth pesë milje nga vendi ku dikur ka qenë fortesa Fyrkat Viking. Nga mbishkrimet e tyre, besohet se datojnë në vitet 980.

Sipas arkeologëve, kutia e gjetur përfshin monedha daneze, arabe dhe gjermane, si dhe copa bizhuterish me origjinë nga Skocia ose Irlanda. Norbach tha se gjetjet ishin nga e njëjta periudhë me kalanë, e ndërtuar nga mbreti Harald Bluetooth dhe japin detaje të reja për historinë e vikingëve.

Mund të ketë një lidhje midis thesarit – të cilin vikingët e varrosnin gjatë luftërave – dhe fortesës, e cila u dogj gjatë së njëjtës periudhë.

Arkeologët kanë thënë se do të vazhdojnë gërmimet në vjeshtën e ardhshme pas korrjes. Ata shpresojnë të gjejnë vendet e varrimit dhe shtëpitë e pronarëve të dikurshëm të monedhave.

Vikingët besonin se varrosja e thesarit i lejonte ta gjenin përsëri pas vdekjes.

Artefaktet do të shfaqen në publik nga korriku në Muzeun Historik të Aalborg.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.