Një fund i turpshëm për Credit Suisse

Postuar në 21 Mars, 2023 16:02

Pak ditë para një konference shtypi të thirrur me nxitim të dielën vonë (19 mars), që do të bëhej lajmi kryesor në mediat e botës, elita politike e Zvicrës po përgatiste fshehurazi një lëvizje që do të trondiste globin. Ndërsa banka qendrore e vendit dhe rregullatori financiar deklaruan publikisht se Credit Suisse ishte financiarisht e shëndoshë, pas dyerve të mbyllura vazhdonte gara për të shpëtuar bankën e dytë më të madhe të vendit. Zinxhiri i ngjarjeve, çoi në fshirjen e një prej markave më të mëdha të Zvicrës, një bashkim i mbështetur mbi 260 miliardë franga zvicerane (280 miliardë dollarë) në fonde shtetërore dhe një lëvizje që do të përmbyste financat globale: favorizimin e aksionerëve të bankës në dëm të investitorëve në obligacione.

Ajo që ndodhi në vendin pa dalje në det – një bastion i gjatë i neutralitetit politik që ka siguruar pozitën e tij si një vendstrehim i sigurt për elitat e pasura – shkon kundër një prej mësimeve kryesore të krizës financiare të 2008-ës. Shpëtimi përqendron rreziqe edhe më të mëdha në një gjigant bankar, UBS Group AG. Për më tepër, duke i përdorur mbajtësit e obligacioneve si amortizatorë të goditjes së investitorëve në aksione nga huadhënësit e tronditur të lidhur me UBS-Credit Suisse, rritur kostot e tyre të huamarrjes duke krijuar një kërcënim për rritjen ekonomike botërore.

Credit Suisse ka pas krahëve vite të tëra skandalesh dhe humbjesh. Muajt e fundit, ajo është përballur me një krizë besimi që e kishte krijuar vetë. Kjo vulosi “vdekjen” e saj brenda pak ditësh. Menjëherë pasi u publikua lajmi më 12 mars se Shtetet e Bashkuara do të ndërhynin për të garantuar të gjitha depozitat e dy huadhënësve të mesëm që luftonin të përballonin kërkesat për likujditet, në qendër të vëmendjes u vu Credit Suisse dhe mënyra se si do të ruante besimin e depozituesve. Klientët kishin tërhequr tashmë 110 miliardë dollarë nga banka me bazë në Zyrih në tre muajt e fundit të vitit 2022, flukse dalëse që ajo po luftonte t'i kthente. Një ndërmjetësues, falë të cilit u shpëtuan disa banka evropiane gjatë krizës financiare, duke folur në kushte anonimiteti, i tha Reuters se pasi pa kolapsin e bankave në SHBA, kishte pak dyshime se UBS do të thirrej për të mbështetur Credit Suisse.

Bankieri më 13 mars thirri UBS duke paralajmëruar menaxherin më të madh të pasurisë në botë se duhet të përgatitet për të marrë një telefonatë nga autoritetet zvicerane. Deri të mërkurën, dy ditë më vonë, Credit Suisse ishte përfshirë në një krizë të plotë. Kreu i Bankës Kombëtare Saudite, Ammar Al Khudairy, i cili tha se nuk mund të investonte më tej në bankën zvicerane, bëri që aksionet e Credit Suisse të binin. Pak rëndësi kishte që investitori më i madh i Credit Suisse vazhdonte të përsëriste besimin te huadhënësi. Pasuan dalje të konsiderueshme të depozitave, i tha Reuters burimi që do të vazhdonte të këshillonte UBS për bashkimin, por ai refuzoi të vendoste një shifër për to.

Në qendrën bankare Zyrih dhe Bernë, kryeqyteti i shtetit alpin, presioni po rritej. Megjithatë, ndërsa diskutimet për të shpëtuar Credit Suisse filluan, rregullatorët zviceranë FINMA dhe Banka Kombëtare Zvicerane thanë se "problemet e disa bankave në SHBA nuk paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë të infektimit për tregjet financiare zvicerane", duke pranuar, megjithatë, se ata do të financonin bankën me akses të pakufizuar në financim. Edhe Credit Suisse po përcillte stabilitet. Ajo i tha Reuters-it të enjten se raporti i saj mesatar i mbulimit me likuiditet, një masë kyçe se sa aktive të ngjashme me paranë kesh ka banka, nuk ndryshoi midis 8 dhe 14 marsit, pavarësisht krizës globale bankare. Ministrja zvicerane e Financave, Karin Keller-Sutter, një ish-përkthyese dhe mësuese me vetëm disa muaj në detyrë, tha në konferencën për media të së dielës se ishte rënë dakord për mbështetje shtesë për Credit Suisse, por ishte mbajtur sekret nga frika e panikut të njerëzve.

Ajo tha se ishte në kontakt të ngushtë me Sekretaren e Thesarit të SHBA-së, Janet Yellen, dhe ministrin britanik të Financave, Jeremy Hunt. Të dy vendet kanë filiale të mëdha të Credit Suisse, me mijëra vende pune. Kishte shumë më pak komunikim me Bankën Qendrore Evropiane në Frankfurt, tha një person i njohur me këtë çështje. Degët e Credit Suisse në Luksemburg, Spanjë dhe Gjermani ishin shumë më të vogla. Rregullatorët evropianë ishin veçanërisht të shqetësuar se zviceranët mund të impononin humbje mbi zotëruesit e obligacioneve – një hap radikal që ata e morën, pasi kostot e shpëtimit u rritën për taksapaguesit. 

"Ata e bënë këtë vetë," tha një burim që kërkoi të mbetet anonim, duke e përshkruar rezultatin si një "surprizë të madhe".

Një zëdhënës i FINMA tha se edhe pse e vuri theksin te Britania dhe SHBA-të për shkak të shtrirjes së Credit Suisse në ato vende, ajo kishte informuar edhe autoritetet evropiane. Megjithatë, jo të gjithë u mbajtën në terr informativ. Investitorët sauditë, me afërsisht 10% të aksioneve në bankë, ushtronin presion mbi zviceranët, duke paralajmëruar se ata mund të ndërmarrin veprime ligjore nëse nuk rikuperojnë disa nga investimet e tyre që nuk kishin shkuar mirë, tha një person tjetër me njohuri për këtë çështje. 

“Paratë duhej të vinin nga diku”, tha një nga zyrtarët e përfshirë në negociata. Bordi i Credit Suisse, i interesuar për të ruajtur një farë uniteti në një mjedis gjithnjë e më të përçarë, qëndroi pas tyre dhe argumentoi për një pagesë për aksionerët. Rregullatorët gjithashtu donin të shmangnin tërheqjen e aksionerëve, gjë që do të kishte rezultuar në mbylljen e bankës, potencialisht një dhimbje koke aspak e vogël për Zvicrën dhe dëm në imazhin e saj vetëm pak orë pasi i doli në krah bankës Credit Suisse. Në fund, zviceranët ranë dakord, duke zgjedhur të fshijnë 16 miliardë franga në obligacione, duke kompensuar aksionerët me 3 miliardë franga dhe duke rikthimin e parimit kyç të financimit të bankës – domethënë, që aksionerët dhe jo zotëruesit e obligacioneve të marrin goditjen e parë kur ndodh një dështim i mundshëm i bankës.

Kjo shënon një fund të turpshëm për një institucion të themeluar nga Alfred Escher, një manjat zviceran i quajtur me dashuri Mbreti Alfred I, i cili ndihmoi në ndërtimin e hekurudhave të vendit. Credit Suisse u shërben shumë kompanive dhe qytetarëve zviceranë – përfshirë ministren e Financave, Keller-Sutter. Të dielën, ndërsa një panel zyrtarësh dhe drejtuesish zviceranë njoftuan marrëveshjen, u kuptua se ata nuk ishin penduar.

"Kjo nuk është një paketë shpëtimi," u tha Keller-Sutter gazetarëve. Thomas Jordan, shefi i bankës qendrore, mbrojti paketën, si të nevojshme për të kundërshtuar çdo tronditje më të gjerë.

"Tatimpaguesi në këtë skenar ka më pak rrezik," tha Keller-Sutter. “Falimentimi do të ishte rreziku më i lartë, sepse kostoja për ekonominë zvicerane do të ishte e madhe.

Megjithatë, tregjet po tkurren për shkak të kësaj kthese të jashtëzakonshme.

Kur je një bankë për miliarderët, depozitat mund të ikin shumë shpejt”, tha një nga personat e përfshirë. "Mund të vdesësh për tre ditë."

Burimi: Euractiv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.