Të kesh apo të jesh?

Postuar në 09 Mars, 2023 17:28
Erich Fromm

 

Është tundim shumë i madh të mos ecim përpara, të qëndrojmë aty ku jemi, të bëjmë hapa pas, me pak fjalë, të mbështetemi në ato që kemi, pasi ato që kemi, i njohim. Bazohemi te to, sepse ndihemi të sigurtë brenda tyre. Kemi frikë, ndaj dhe shmangemi të bëjmë një hap drejt së panjohurës, të pasigurtës. Sepse në të vërtetë, nëse hapi që kemi ndërmarrë nuk na duket më i rrezikshëm, para se ta bënim, pasojat na dukeshin tmerrësisht katastrofike. Vetëm e vjetra, e provuara, të fal ndjenjën e sigurisë; ose ashtu të ngjan. Çdo hap i ri përmban brenda vetes rrezikun e dështimit, dhe kjo është një nga arsyet, që njerëzit kanë kaq frikë nga liria.

Sigurisht, që në çdo etapë të jetës sonë, e vjetra dhe e zakonshmja janë të ndryshme. Kur jemi foshnje, kemi vetëm trupin tonë e gjoksin e nënës (fillimisht jo- të diferencuara). Më pas, fillojmë të orientohemi drejt botës, përmes procesit të nevojshëm, që të gjejmë vendin tonë brenda saj. Nisim të duam të kemi gjëra; kemi nënën, babanë, motrat e vëllezërit, lodrat.  Më vonë, fitojmë njohuri, punë, status social, bashkëshort/e, fëmijë, kur tashmë kemi siguruar një varr, kemi fituar siguracion jete, gati për “testamentin” tonë. Por, pavarësisht ndjenjës së sigurisë, njerëzit zakonisht adhurojnë ata që hapin shtigje të reja, që kanë kurajon të ecin përpara. Në mitologji, kjo mënyrë ekzistence, përfaqësohet simbolikisht nga heroi. Heronj janë ata që kanë guximin të lënë çfarë kanë - tokën, familjen, pasurinë - dhe të ikin, pa u mposhtur nga frikërat e tyre. 

Në traditën budiste, Buda është heroi që lë gjithë pasurinë e vet, krejt sigurinë që ndodhet në teologjinë hinduiste - pozicionin, familjen - dhe shkon drejt një jete pa ndërvarësi. Abrahami dhe Mojsiu, janë heronj në traditën hebraike. Jezui është heroi i krishterë, që s’ kishte asgjë dhe - në sy të botës - s’ ishte asgjë. Por vepra e tij, frymëzohet nga tërësia që i jep dashuria e tij për gjithë qëniet njerëzore. Heronjë e mitologjisë greke nuk janë kaq shpirtërorë, dhe kanë si qëllim përmbushjen e krenarisë së tyre, zotërimin. Por, pavarësisht kësaj, Herkuli e Odiseu, njësoj si heronjtë e tjerë shpirtërorë, nuk tuten nga rreziqet që u kanosen. Heronjtë e përrallave funksionojnë në të njëjtën mënyrë: largohen, ecin përpara dhe e shpërfillin pasigurinë.

I adhurojmë këta heronj, sepse thellë brenda vetes ndiejmë, që do deshëm të ishim si ta - nëse do të mundeshim. Por të zotëruar nga frika, besojmë që s’mund të bëhemi të tillë dhe s’e vetëm heronjtë munden. Heronjtë bëhen idhuj. Projektojmë mbi ta aftësinë tonë lëvizëse dhe më pas, qëndrojmë atje ku ishim - “sepse nuk jemi heronj”. Kjo analizë, duket sikur nënkupton, se që të jesh hero është e dëshirueshme, por në të njëjtën kohë është idioteske dhe kundër interesit tënd. Ama, gjërat, nuk janë kështu.

Njerëzit mëdyshës dhe posesivë e shijojnë sigurinë, por në realitet janë shumë të pasigurt. Varen nga ato që kanë: paret, emri, egoja e tyre - domethënë nga gjëra, që janë jashtë tyre. Por, ç’ do të ndodhë, nëse humbasin ato që kanë? Sepse, çfarëfolloj gjëje që të ketë njeriu, mund ta humbasë. Është e mundshme që ta humbasë pasurinë - dhe bashkë me të edhe statusin e miqtë - dhe në çdo çast, gjithkush nga ne është një humbës potencial dhe herët a vonë do të detyrohet, të iki nga kjo jetë. 

Nëse unë jam ai/ajo çka kam dhe ai/ajo çfarë humba, atëherë kush jam?

Asgjë më tepër, sesa një protestë e humbur, e zbrazët dhe e mjerë e një mënyre jetese të gabuar. Ngaqë mund të humbas çfarë kam, jam detyrimisht i/e shqetësuar s’e mos humbas ato që kam. Kam frikë nga hajdutët, ndryshimet ekonomike, revolucionet, sëmundjet, vdekja; kam frikë nga dashuria, nga liria, nga zhvillimi, nga ndryshimi, nga e panjohura. Kësisoj, jam vazhdimisht i shqetësuar, duke vujatur nga hipokondria kronike, që ka si pasojë jo vetëm përkeqësimin e shëndetit tim, por dhe të gjithçkaje që zotëroj. Bëhem njeri protektiv, i ashpër, dyshues, vetmitar, që joshem nga nevoja të kem gjithmonë e më tepër, në mënyrë që të ndiej siguri më të madhe. Ibseni ka dhënë një përshkrim të mrekullueshëm të njeriut egocentrik te Peer Gynt. Heroi është plot e përplot nga vetja e tij. Brenda egoizmit të tij të pacak, mendon që është vetvetja, pasi ai është një “kompleks dëshirash”. Në fund të jetës e kupton, që ngaqë krejt qenësia e tij mbështetej mbi pronësinë, nuk arriti kurrë të qe vetvetja. Ndiente që ishte një qepë pa palcë, një njeri gjysmë i mbaruar, që kurrë s’qe vetvetja. 

Agonia dhe pasiguria që shkaktohet nga rreziku i humbjes së gjërave, nuk ekziston te njerëzit që përpiqen të jenë vetvetja. Nëse jam ky/kjo që jam dhe jo ajo çfarë kam, atëherë askush s’mund të ma heqë a të më kërcënojë sigurinë dhe ndjesinë e identitetit tim. Qendra është brenda meje, aftësia ime e të ekzistuarit dhe e të shprehurit të mundësive të mia kryesore, është pjesë e strukturës së karakterit tim, dhe varet nga unë. Por kjo vlen në kushte të natyrshme, jo në raste sëmundjesh, gjymtimi, dhune apo kufizimesh madhore nga faktorë të jashtëm. Ndërsa “të paturit” mbështetet te diçka që bjerret nga përdorimi, “të qenit” zhvillohet përmes të ushtruarit. ( “shkurrja që nuk digjet”, është simbolizmi biblik për këtë paradoks).

Forcat e logjikës, dashurisë, krijimtarisë artistike e shpirtërore, gjithë forcat kryesore zhvillohen përmes procesit të shprehjes së tyre. Çfarë konsumohet nuk shkon dëm, ndërsa në të kundërt, çfarë ruhet është e humbur. Kur mundohem “të jem”, i vetmi rrezik për sigurinë time ndodhet brenda meje: në mungesën e besimit për jetën dhe aftësive të mia krijuese, në prirjet regresive, në pasivitetin e brendshëm dhe në gatishmërinë t’u lejoj të tjerëve, të udhëheqin jetë time. Por këto rreziqe zhduken, nuk janë përbërës së “të qenurit”, kurse rreziku i humbjes është pjesë e natyrshme e “të pasurit”.

Nga libri: “To Have or to Be?”

Përktheu: Eleana Zhako

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.