"Humbet" 5 100 000 dollarë te "Vefa"

Postuar në 12 Dhjetor, 2022 20:18

Albert Xhani, biznesmen i njohur në Shqipëri dhe ish-president i klubit sportiv “Partizani” ka humbur 5 100 000 dollarë në një përballje gjyqësore me "Vefa Holding". Vendimi është zbardhur nga Gjykata Kushtetuese e cila në datën 1 nëntor ka shqyrtuar në seancë plenare një ankesë të Xhanit kundër një vendimi të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë që në thelb detyronte atë të kthente një shumë ndaj "Vefa Holding", kompani e kirjuar që në kohën e skemave piramidale dhe e vënë nën administrim me ligjin nr. 8215, datë 9.5.1997, “Për kontrollin financiar të personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë”, të ndryshuar.

Çështja nis në vitin 1996 kur siç parashtrohet nga një odise e gjatë gjyqësore që ka konsumuar të gjitha shkallët, Xhani më datën 2 dhjetor 1996 kishte lidhur me “Vefa Holding” sh.p.k 14 kontrata shitjeje me vlerë 11 960 000 dollarë. Vlera është përfituar nga Xhani pas shitjes së disa objekteve të ndodhura në qytetin e Përmetit dhe që siç thuhet si shumë ishte likujduar totalisht jashtë zyrës së noterit.

Pas ndryshimeve që ndodhën, në vitin 2001, tashmë në administrim, kompania “Vefa’ ka ngritur padi kundër Xhanit dhe bashkëshortes me pretendimin se 13 kontrata të lidhura kishin pavlefshmëri absolute – vlera 11 160 000 dollarë – duke kërkuar kthimin e një vlere prej 7 828 811 dollarë. Shoqëria nën Administrim është sjellë këtu si palë ndërgjygjëse duke pretenduar humbje financiare me arsyetimin se çmimi i shitjes ka qenë disa herë më i lartë sesa vlera e objekteve të hipotekuara që sipas tyre shkonte në 3 331 189 dollarë.

Në procedimin e këtij procesi ligjor, është vijuar me një rrëzim të kërkesëpadisë në Gjykatën e Përmetit(me arsyetimin se në legjislacionin shqiptar nuk kishte asnjë dispozitë, e cila për efekt të  çmimit të papërshtatshëm (në qoftë se do të konsiderohet i tillë, duke eliminuar lirinë kontraktore të   palëve) të përbënte shkak për pavlefshmërinë e veprimit juridik, ndërkohë që në gjykimin e çështjes nuk u provua që palët të kenë vepruar në mashtrim të ligjit) dhe kështu ka vijuar deri në Kolegjin Civil të Gjykatë së Lartë më 21 janar 2007.

Paralel me këtë proces, Shoqëria nën Administrim i është drejtuar Gjykatës së Përmetit me një tjetër kërkesëpadi, atë për pavlefshmërinë e kontratës së shitjes së objektit “Pularia”, po më 2 dhjetor 1996 me çmimin 1 600 000 dollarë duke kërkuar kthimin e 1 563 250 dollarëve. Edhe kjo kërkesë është rrëzuar nga Gjykata e Përmetit dhe po kështu deri në Kolegjin Civil të Gjykatës së Lartë më 1 nëntor 2002.

Duket se përballja mes dy palëve ishte e destinuar të mos mbaronte, pasi dy vjet më vonë, Shoqëria nën Administrim, me një vendim të vetin, bazuar në ligjin nr. 8471/1999, “Për nxjerrjen e detyrimeve debitore dhe rikthimin e vlerave pasurore në llogaritë e personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë”, e kanë shpallur z. Xhani debitor në shumën 5 100 000 dollarë me arsyetimin se kjo shumë rezultonte e tërhequr prej tij në llogarinë e shoqërisë “Vefa” sh.p.k në Bankën Kombëtare Tregtare pa dokumentuar shkakun e pagesës. Vendimi i sipërcituar cilesohej titull ekzekutiv dhe u njoh si i tillë nga Gjykata e Faktit në Tiranë. Njoftimi i është bërë Xhanit nga Zyra e Përmbarimit në Tiranë në mars të vitit 2005 dhe i është kërkuar ekzekutimi vullnetar i vendimit. Procedura ka rinisur me përballje në Gjykatën e Apelit, ku është drejtuar Xhani, e cila ka pezulluar gjykimin deri në sqarimin e çështjes penale të nisur ndaj Xhanit pas një kallëzimi të bërë nga administratorët e Shoqërisë me akuzën “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Në dhjetor 2005, Gjykata e Faktit e ka shpallur Xhanin të pafajshëm me arsyetimin se “transaksionet e kërkuesit me shoqërinë nën administrim…datojnë para datës 23.1.1997, periudhë në të cilën, bazuar në ligjin nr. 8202, datë 23.7.1997, “Për amnistinë”, përjashtohej ndjekja penale për veprën që akuzohej kërkuesi”. Çështja penale është zgjidhur në favor të Xhanit në Gjykatën e Apelit pas rikthimit nga Gjykata e Lartë dhe në atë moment Apelin në Tiranë ka nisur gjykimin e kërkesës së Xhanit të cilën e ka pranuar.

Lidhur me thelbin e çështjes, pra ekzistencën e detyrimit, Gjykata e Apelit ka arsyetuar se vlera prej  5.100.000 dollarë, e tërhequr nga kërkuesi, referuar proceseve civile të mëparshme mes palëve, si dhe  vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë, provohej se përfaqësonte një pjesë të çmimit të 14 kontratave të shitjes së datës 2.12.1996

citon Gjykata Kushtetuese arsyetimin e Apelit.

Ky vendim është kundërshtuar në Gjykatën e Lartë e cila në tetor të vitit 2012 e ka rrëzuar atë duke hapur kështu rrugën për ekzekutimin e vendimit të Shoqërisë në Administrim që e shpall debitor z. Xhani dhe kërkon kthimin e shumës në fjalë. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë e ka rrëzuar vendimin duke deklaruar se Apeli nuk kishte bërë hetim gjyqësor të plotë. Në vitin 2013 Apeli ka përsëritur qëndrimin e mëparshëm duke i dhënë të drejtë pretedimit të z. Xhani dhe anullimin e titullit ekzekutiv. Këtu në lojë ka hyrë Avokatura e Shtetit me rekurs krahas shoqërisë në administrim dhe në këtë mënyrë Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë më 23 nëntor 2021 ka vendosur prishjen e vendimit të Apelit.

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 00-2021-1768 (251), datë 23.11.2021, ka vendosur ndryshimin e vendimit nr. 56, datë 19.7.2013, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe rrëzimin e padisë

thuhet në vendim.

Mbi këtë premisë z. Xhani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me ankim kushtetues individual në mars të këtij viti me pretendimet se i janë cenuar:

  • e drejta për një proces të rregullt ligjor
  • parimi i sigurisë juridike
  • e drejta e pronësisë
  • standardi i arsyetimit të vendimit gjyqësor
  • parimi i paanshmërisë
  • e drejta e aksesit për t’u dëgjuar dhe mbrojtur
  • parimi i barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit
  • e drejta për t’u gjykuar brenda një afati të arsyeshëm

Pra në Kushtetuese u ankimua një vendim i Gjykatës së Lartë që ishte e vetmja pikë që nuk i dha të drejtë kërkuesit. Në arsyetimin e vet Gjykata Kushtetuese, në kuptim të objektit të kërkesës ka rrëzuar pretendimet e kërkuesit. Në vlerësimin e pretendimeve të ngritura, Gjykata Kushtetuese ka çmuar të sjellë të zbardhur një pjesë të vendimit Kolegjit Civil të Gjykatë së Lartë të vitit 2007, ku ndër të tjera nënvizohej se Xhani kishte privatizuar objektet në fjalë në tetor të vitit 1996:

kundrejt vlerave tepër të ulëta në krahasim me çmimin e shitjes së tyre shoqërisë “Vefa”

Vlera e këtij paragrafi vjen në relacion me ligjin nr. 8472 që parashikonte shprehimisht se:

Personat fizikë dhe juridikë, vendas a të huaj, të cilët, nëpërmjet fitimit të pronësisë nga privatizimi apo me mënyra të tjera, kanë përfituar vlera financiare a pasurore nga subjektet e kontrollit, a personat e lidhur me ta, nëpërmjet kryerjes së veprimeve juridike të shitjes së pronave me çmime më të larta se çmimi i privatizimit apo se çmimi mesatar përkatës i shitjes në tregun e lirë, detyrohen t’ia kthejnë ato administratorëve të shoqërive huamarrëse

Po kështu kalimi nga Kolegji Civil në atë Administrativ nuk vlerësohet se përbën rastin e “gjësë së gjykuar”, pasi “ndonëse proceset u përkasin të njëjtave palë, në thelb ato kanë object dhe shkak të ndryshëm ligjor”. Në finale kërkesa e Xhanit është rrëzuar dhe kështu në thelb ajo lë në fuqi vendimin e Shoqërisë nën Administrim, pasuese e “Vefa” që e shpall Albert Xhanin debitor në masën e 5 100 000 dollarëve.

Rasti në fjalë shënon një moment të trajtimit të procesit të skemave piramidale në rrugë gjyqësore dhe përfaqëson në aspektin formal të interesit publik një arritje për Avokaturën e Shtetit. E cila duket se ka zbardhur në terma gjyqësorë një proces që lë shumë për të dyshuar dhe që prek pasurinë publike dhe menaxhimin e saj.  

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.