Ja edhe Akademinë e reformova. Bëni shkencë tani!

Postuar në 10 Tetor, 2022 15:06

Sot kryeministri Edi Rama ka folur në një mbledhje jotipike të Akademisë së Shkencave në sallën e seancave plenare. Një teatër i zakonshëm tani i këtij njeriu, dekor i të cili u bënë edhe ca akademikë.

Në fjalën e tij, z. Rama nuk ka kursyer lavdet. Kjo sepse reforma që nisi vetë në vitin 2019, po sipas tij quhet e suksesshme dhe Akademia tani ka me çfarë të mburret. E megjithatë në fjalën e tij z. Rama nuk kaloi dot përtej emrave të Budës, Rizës dhe Çabejit, mandej mburri edhe Skënder Gjinushin për të shtuar edhe se:

…çuditërisht nga monologu i të shkuarës ne kemi shumë më tepër argumente sot për t’u përballur me botën si shqiptarë, sesa nga dialogu që pasoi rrëmujshëm dhe që e shkatërroi komplet Akademinë e Shkencave, sigurisht me dorën e politikës e cila ndërhyri vandalisht për shpërbërjen e të gjitha strukturave të Akademisë së Shkencave dhe për braktisjen e të gjithë atij rezervuari burimesh njerëzore që ishin mbase pjesa më e çmuar e trashëgimisë të së shkuarës. U ngatërrua sistemi i vjetër me njerëzit që flisnin me zërin e shkencës. Faktikisht, sot ne jemi në kushtet ku mund të themi se falë reformës së vitit 2019, e cila u organizua në një ndërveprim të udhëhequr nga vetë Akademia e Shkencave për hir të vërtetës dhe më lejoni ta them, edhe kjo është përsëri në vazhdën e asaj që po përpiqem të them deri tani, në lidershipin e Skënder Gjinushit, imagjinojeni vet tani se sa domethënëse është kjo…

Për cilin shkatërrim flet ky zotëri? Në herën e parë dhe të fundit që kryeministri vizitoi Akademinë e krahasoi atë me një nëndetëse të ndryshkur sovjetike, pra ajo jo vetëm nuk ishte shkatërruar, por ishte lënë të kalbej ashtu siç e krijoi Enver Hoxha. Sot për të justifikuar se reformat e këtij bëjnë magjinë na duhet të flasim për shkatërrim, për të thënë se ka rilindje dhe jo vetëm kaq. Për dehje. Sepse suksesi të deh. 

Faktikisht sot Akademia nga një vend i pashpresë përshpirtjes, ku mesa më kujtohet mbledhjet më të rëndësishme ishin ato për t’i dhënë lamtumirën ndonjërit që ikte në botën tjetër, është kthyer në një hapësirë ku po mbillen fidanët e të nesërmes. Faktikisht sot ka një hapje të munguar për shumë vite, jo vetëm për të krijuar kushtet që akademikët e këtij vendi, pavarësisht bindjeve, simpative, rreshtimeve të tyre nën çatinë e Akademisë të ndihen pjesë e së njëjtës mënjanësi siç ndiheshin dhe siç silleshin ata të kohës së anësisë ekstreme, por edhe për akademikët shqiptarë të një gjenerate tjetër, të gjeneratës së emigracionit, akademikët shqiptarë që bëjnë sukses mbresëlënës nëpër botë edhe që deri kur reforma e 2019 mori udhë, ishin tërësisht të harruar dhe të braktisur sikur nuk ekzistonin

A ka turp ky lloj njeriu? A ka turp nga fakti se aftësinë e xhambazit që ka fjalim për çdo gjë e përdor në këtë farë feje?! Kaq nevojtar është për teatër të përditshëm ky artist që po na do të kalojë për reformator dhe figurë poliedrike? Zoti Rama duhet të kuptojë se pështirosjen e ushqen gënjeshtra e pacipë, palaçollëku deri në nivele që prekin çdo autoritet, sepse çështje kaq serioze nuk mund të ecin me ritme kaq të shpejta pse kështu ia do puna dikujt në Tiranë.

Aktivitete mund të bëhen dhe janë bërë, kontribute ka patur dhe ka, por ajo akademi luan sot rolin e Byrosë së fundit dhe ndikimi i saj është asgjë më shumë sesa një album kujtimesh në kohën e pedagogëve në masë me plagjiaturë dhe të një vendi me brerje të pandalshme të njohurive bazë të gjuhës ë vet.

s.zaimi

Comments

Submitted by Fillestari (not verified) on

Eshte e paqarte se cfare roli i eshte dhene Akademise ne punen kerkimore ne Shqiperi. Ne vende te tjera, puna kerkimore behet kryesisht ne universitete - nuk kam asgje kunder te behet edhe ne Akademi, por nuk kuptohet kush presupozohet te arrije rezultate shkencore dhe se cfare objektivash ka kjo akademi. Nese akademia ka nje rol honorifik, atehere zor semund ti kerkohet ndonje ndikim real, por nese anetaret duhet te kryejne pune kerkimore vete (sic ka qene dikur), do te isha skeptik per rreth gjysmen e personave ne faqen zyrtare te Akademise. Krahas personave qe duken me CV serioze (Shaban SInani e te tjere), ka jo pak prej anetareve te saj te rendesishem, qe kane pergatitur CV me gabime elementare gramatikore dhe drejtshkrimore ne vete dokumentin e CV; disa te tjere kane nje liste te shkurter dhe shpesh jo-ekzistuese punimesh shkencore. Fatkeqesisht edhe vete kryetari i akademise ka me pak botime sa gishtat e njeres dore - nje te vetem, te botuar ne disa versione te ndryshme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.