Ndonëse jemi shërbëtorë të ShBA, pyetja mbetet: Cili është statusi juridik i MEK-ut në Shqipëri?

Postuar në 08 Shtator, 2022 01:13

Karagjozllëku është luks për vende të vogla si yni. Sidomos në drejtimin e punëve. Ndërkohë që sot kryeministri si Censor shpalli allnimin e tij me Iranin, njerëz të tjerë, më ekspertë siç prezantohen, po shpjegojnë se gjesti i ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike është asgjë më shumë se një teatër me zarar, i dikujt që po bën çmos të duket se këndon këngë sovrane si në orat me qyqe. 

Në një prononcim për “Zëri i Amerikës” një ekspert i “ka ardhur në ndihmë” z. Rama për të theksuar se sulmi kibernetik origjinon në Iran.

Amir Rashidi nga organizata “Miaan” ekspertiza e të cilit përfshin edhe sulmet kibernetike të Iranit. 

Rashidi thotë se Irani në fakt u hakmorr ndaj sulmeve kibernetike që më parë u kryen ndaj Iranit dhe për të cilat përgjegjësinë jo zyrtarisht e morrën muxhahedinët e MEK-ut.

“Ka pasur sulme ndaj pompave të gazit, industrisë së çelikut të Iranit në të kaluarën, sulme këto që jo vetëm e dëmtuan sektorin financiar të atyre industrive, por edhe reputacionin e Iranit. Nuk më befasoi fare që Irani deshi të përgjigjet ndaj këtyre sulmeve kibernetike. Shumicën e kohës anëtarët e MEK-ut, jo zyrtarisht, kanë marrë përgjegjësinë

tha në intervistën për “Zërin e Amerikës”, zoti Rashidi.

Pra e thjeshtë: 

1.    Shqipëria strehon opozitën paramilitare iraniane që synon rrëzimin e regjimit me dhunë. Nuk ka ndërprerje marrëdhëniesh. 
2.    Shqipëria strehon(te) anëtarë të organizatës guleniste, por me Turqinë nuk e hap sqepin duke bërë marifet pas marifeti për të shtyrë në kohë një kërkesë ultimative turke. Në vend se Tirana të shpallë që i mban ose jo gulenistët, as flet, as hesht, por nga një anë dëbon 4 me dhunë, nga ana tjetër ngre memorial për grushtin e shtetit në Turqi. Kërbaçi ka dalë nga xheneti! 
3.    Opozita iraniane ndërmerr sulme kibernetike ndaj një shteti tjetër nga territori shqiptar. Asgjë nuk ndodh. Me logjikën e Edi Ramës, Irani duhet ta kuptojë se qeveria e Shqipërisë është një hiç në këtë dynja, ndaj nuk duhet të reagonte. Por Irani nuk e ka këtë vizion për trajektoren e kufizuar të buburrecave në rendin ndërkombëtar. 
4.    Teksa sulmi është zmbrapsur dhe marrëdhëniet janë ndërprerë, de facto dhe de jure, Irani i ka duart të zgjidhura për të sponsorizuar çdo lloj sulmi të ri. I lutemi mos ta bëjë për këto arsye : 
a)    Do i japë lajme ditëziut të qeverisë, për të cilat ka aq shumë nevojë
b)    Do japë arsye për tendera për AKShI-n e pse jo privatizimin e tij

5.    Deri në miratimin e një konvente ndërkombëtare për sigurinë kibernetike dhe paprekshmërinë e infrastrukturës dixhitale që duhet përputhur me kufijtë të themi, çdo shtet është i ekspozuar. Ndaj kërkohet tjetër qasje në menaxhimin parandalues të kësaj që jetojmë në këto kohë. 

Çfarë nënkupton shkëputja e relacioneve diplomatike për një infrastrukturë dixhitale? Asgjë. Zero. Ne sot kemi problem të shtuar sigurie për shkak të politikës së z. Rama dhe për shkak se ende sot nuk dimë statusin juridik të organizatës MEK në Shqipëri që jo vetëm kryen sulme, por edhe i merr ato përsipër publikisht. E gjithë kjo situatë do të kishte një farë kuptimi etatist nëse do të mbahej nën kontroll, por tashmë akte të tilla janë asgjë më shumë sesa simptomat sistemike të një dështimi të plotë që paketohet si politikë kurajoze e jashtme. 

s.zami

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.