Sikur të taksohej budallallëku!

Postuar në 06 Shtator, 2022 22:11
Erjus Mezini

 

Që në vitet e para të krijimit të tyre shtetet dhe perandoritë kanë shfaqur zell të jashtëzakonshëm në fushën e taksimit. Në Babiloni thuhet që njerëzit duhet të pagonin taksë për të varrosur të dashurit e tyre, në Romë duhet të pagoje taksë për të rritur dele apo për të peshkuar, në Bizant ishte e vështirë të diktoje një aktivitet apo burim të vetëm që nuk taksohej, kurse në Perandorinë Osmane taksohej mes të tjerash edhe besimi në Krisht dhe Jehvah (besimi në Allah nuk taksohej). 

Në kohët moderne taksimi vazhdoi me të njëjtin zell, por duke u përqëndruar më tepër në gjëra që krijonin vartësi nga fuqitë e huaja, gjëra që shteti i quante thelbësore për ekzistencën e vet apo gjëra që kanë një kosto sociale dhe natyrore. Kështu, taksa të çfarëdoshme u vendosën për importet, kripën,  naftën, alkoolin, duhanin, hashashin, letrën, kafen, por edhe për çajin... siç kemi mësuar nga Revolucioni Amerikan. Tani kemi edhe taksa për udhëtimet ajrore, por edhe për rrugët që lidhin qytetet dhe fshatrat. Nëse ke fatin, pra, që prindërit dhe gjyshërit t’i kesh dyzet minuta larg nga një qytet evropian, kjo nuk supozon se ti do shkosh dhe do t’i takosh çdo ditë. Që ta bësh këtë të duhen edhe ca para në xhep për tarifat e rrugës dhe nëse ti nuk je njeri që të mbeten të holla në xhep vazhdimisht, atëherë më rrallë do t’i takosh njerëzit që banojnë vetëm dyzet minuta larg teje. 

Pa dashur të zgjatem me historinë e taksimit, do desha të theksoj faktin që për mua është një pikëpyetje e madhe sesi kaq imagjinatë dhe krijimtari është derdhur nga shtetet në fushën e tarifave dhe nga gjithë ato gjëra të imagjinueshme dhe të paimagjinueshme që janë taksuar ndër shekuj, e vetmja gjë që u ka shpëtuar shteteve dhe perandorive na paska qenë budallallëku.

Faktikisht në këtë drejtim duket se osmanët paskan qenë më inovatorët nga të gjithë –përderisa arritën deri aty sa të taksojnë edhe besimin fetar. Mirëpo ata prapëseprapë nuk ishin aq të aftë sa ta vërtetonin përtej çdo dyshimi se çfarë ishin besimi dhe puna e kotë dhe çfarë ishin besimi dhe puna e vlefshme. Që ta bënin këtë, osmanëve përveç shpjegimeve të imamëve do t’u nevojitej edhe ekspertiza e mijëra shkencëtarëve, profesorëve, mjekëve, instituteve që organizojnë sontazhe, por edhe qindra aparate të çdo lloj natyre dhe kalibri. Gjëra pra që sulltanët dhe vezirët as në ëndërr nuk i kishin parë, paçka se ne të cilët kemi “fatin” të jetojmë në shekullin e njëzet e një e dimë që këto me të vërtë ekzistojnë dhe madje janë instrumente të cilat mund të na ndriçojnë në shumë drejtime.

Falë gjithë këtyre shkencëtarëve dhe instituteve që vetë i financojmë (me apo pa vullnetin tonë), ne sot e dimë më mirë se kurrë se çfarë është e dobishmja, çfarë është e dëmshmja dhe çfarë është e kota. Ne sot e dimë që gjimnastika dhe leximi i bëjnë mirë shëndetit mendor (kurse në Perandorinë Osmane as për këtë nuk besoj se kanë qenë të sigurt). Ne e dimë që dioksidi i karbonit, duhani, yndyrnat dhe alkooli bëjnë dëm. E dimë, po ashtu, që orët që harxhojmë në “Facebook” dhe “TikTok” janë orë që nuk sjellin asnjë dobi; janë kohë e investuar në stres dhe kotësi.

Sikur të mos mjaftonte vetëm arsyetimi ynë i shëndoshë, tashmë me këto fenomene merren qindra shkencëtarë edhe institute. Përveç fakteve që ata na paraqesin çdo javë në lidhje me dëmet natyrore që shkakton veprimtaria njeriut, ata na ofrojnë tani edhe fakte rreth dëmeve që kjo veprimtari shkakton te vetë mendja e njeriut. Thënë ndryshe: dëme që ia shkaktojmë vetvetes. 

Një nga këta artikuj që pata fatin të lexoj këto ditë ishte edhe shkrimi në portalin e Deutche Welle (në anglisht: Can you get your attention back alone? --05/09/2022) ku midis të tjerash analizohej nga profesionistët e fushës dëmi i madh psikologjik që interneti dhe mediat sociale shkaktojnë tek njerëzit.

Diçka që vihet në dukje më shumë se kurrë në artikull është mungesa e përqëndrimit tek të rinjtë, por edhe tek të gjithë ata njerëz që jeta dhe puna i lidhin me internetin. Sipas këtyre shkencëtarëve është bërë e pamundur për njeriun modern që të përqëndrohet në një temë a punë për orë të gjata, pa qenë nevoja që të hidhet në gjëra të tjera. Ajo që argumentohet është se njeriu po përjeton një etapë historike ku informacionin, zbavitjen dhe punën i preferon me shpejtësi dhe me masë të vogël. Njëzet e katër orë në ditë ai bombardohet me flashe që ia hedhin titujt dhe fotografitë përpara fytyrës dhe, rrjedhimisht, këtë shpejtësi dhe këtë mungesë përqëndrimi njeriu modern ka filluar t’i përvetësojë, t’i bëjë pjesë integrale të jetës dhe mendjes së tij. 

Të rinjtë sot e kanë të pamundur apo të vështirë psikologjikisht për t’u përqëndruar në lexime dhe projekte që kërkojnë angazhim të gjatë. Mirëpo përderisa ata jetojnë në një botë ku angazhimi është i nevojshëm për të arritur shumë gjëra në jetë, atëherë të rinjtë ose do të dështojnë vazhdimisht ose do t’i shtojnë stres dhe dëshpërim të paimagjinueshëm vetes. 

Nëse sot ka të rinj të cilët mund t’i rezistojnë bombardimit me informacion krejt të padobishëm, ata me siguri do të jenë një pakicë e vogël, një pakicë që nesër do të kthehet në elitën e një bote ku masat jetojnë në errësirën dhe depresionin e shkaktuar nga trysnia e informacionit. Kjo botë, pra, as e inteligjente nuk do të jetë, por as demokratike. Dhe të tillë botë, faktikisht, janë duke ndërtuar shoqëritë moderne me një kulturë ku arsimi dhe informacioni i besuar duhet të pagohen shtrenjt (sot, për shembull, nuk mund t’i lexosh të gjithë artikujt e the Economist apo New York Times nëse nuk paguan abonim mujor), kurse budallallëku dhe informacioni i rremë ndahen masivisht, pa taksë dhe pa shtrëngim. 

Një gjë ku shumë specialistë (përfshi ata në artikullin e cituar) biejnë dakord është se trysnia dhe pushteti i informacionit janë aq imponuese sot, saqë është qesharake që dikush të pretendojë se i vetëm mund t’i bëjë ballë kësaj trysnie. Thënë ndryshe, sado të disiplinuar ta konsiderojë veten një njeri, nëse në çdo aktivitet të tij me një kompiuter a celular ai bombardohet vazhdimisht me informacion dhe flashe, atëherë ai (herët a vonë) do të heqë dorë nga disiplina e tij. Përderisa kjo është bota të cilën po e jetojmë, këta specialistë dalin në konkluzionin se mbrojtja e vetme përballë bombardimit me informacion të çfarëdoshëm është ndërhyrja politike. Mirëpo ata asnjëherë nuk bien dakord për mënyrën sesi mund të ndërhyjnë shteti dhe ligji në një botë të zënë për fyti nga informacioni dhe kompanitë që e kontrollojnë atë. 

A mundet kjo ndërhyrje shtetërore të mos bjerë ndesh me lirinë e personit dhe me lirinë e shprehjes? 

Përderisa kjo është një pyetje e vështirë si për qeveritë, ashtu edhe për gjykatat që mbrojnë të drejtat e njeriut, unë jam i besimit se e vetmja përgjigje e duhur mund të gjurmohet në historinë dhe larminë e pasur që kombet kanë shpalosur në fushën e taksimit. Jam i besimit, pra, që taksimi i budallallëkut dhe kotësisë së internetit do mund të bënte çdokënd më të përgjegjshëm dhe do të hidhte një rreze dritë në tunelin ku ka na kanë shtyrë me forcë kompanitë e informatikës. 

Nëse njerëzit taksohen për orët që harxhojnë në Facebook, Instagram, Twitter, TikTok, etj., ata do ta organizojnë më mirë kohën e tyre dhe të varfrit do të preken më pak nga budallallëku i të pasurve. Nëse njerëzit taksohen për komentet që shkruajnë në portalet informative, atëherë ata do t’i mendojnë dyfish komentet e tyre. Me paratë e influencuesve dhe komentuesve, po ashtu, shteti do mundet të shtojë buxhetin për arsimin elementar, kurse gazetat ku njerëzit komentojnë (me pagesë) do munden të paguajnë shkrimtarë dhe opinionistë profesionalë. 

Përderisa njerëz si Mark Zuckerberg, Jack Dorsey, etj., ia dalin aq mirë për të nxjerrë miliarda nga budallallëku dhe kotësia e masave, përse të mos munden edhe shtetet të përfitojnë diçka? Përse shtetet të mos bëjnë taksim dhe përdorim më të mirë të budallallëkut, në një kohë kur koston e kësaj marrëzie, më shumë se çdokush tjetër po e paguajnë punëdhënësit e vegjël, shkollat, familjet dhe miliona të rinj që janë zhytur në errësirën dhe vartësinë që përhapin pushtuesit e informacionit?

Comments

Submitted by Aqif (not verified) on

Kush do t'a taksoj injorancen e Mezinit kur permend "taksen e besimit" ne kohen e Perandorise Osmane?
Eshte kjo injorance qe individe te tille e servirin sot ne Shkollat tona per mesim, nga ku dalin me shume krrica se sa gomere.

Ne pereandorine osmane patjeter qe te krishteret paguanin taksa por edhe muslimanet paguanin gjithashtu. Eshte gjithashtu e vertete se te krishteret paguanin me shume se muslimanet.
Besimi I te krishtereve mbrohej me Ferman nga vete Sulltani. Dhe ky Ferman eshte i pari ne Bote qe nje Prijes e leshoi per besimin ndryshe te nje komuniteti.
Mezini e perserit pothuaj kater here "taksen e besimit" thuaj se ka zbuluar dicka te re per historine e Mesjetes me trillimin e tij qe edhe turkofobi Kadare do tia kishte zili.
Nje shkrim i gjate pacavure kushtuar injorancen qe vete shkruesi kerkon te matufepsi me shume te tjeret me rrenat e shpikura prej tij.

Do te ishte mire qe rrenat te mos lejoheshin se shkruari e jo se taksuari. Te mos merremi me budallain por me trilluesin.

Submitted by Erdogu (not verified) on

Duket qe je ne grupin e atyre te pseudo shqiptareve. Edhe ju duhet te taksoheni mire dhe Fermanin per ju e ka dhene sulltani i Shqiperise.

Submitted by Borizani (not verified) on

Jetojme ne nje bote ku cdo gje taksohet. Le te taksohet dhe interneti.

Eshte e pamundur te kerkosh per trillues vazhdimisht, pa i shkelur dhe pa i demtuar normat e demokracise.

Me taksimin e internetit, do ta mdihmojme qe te profesionalizohet e te mos mbetet nje oqean i terbuar, ku mijera peshkojne dhe miliona mbyten.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.