Ebu Qerimi mbetet pa punë

Postuar në 19 Korrik, 2022 15:36

Faleminderit mbarë popullit shqiptar, i cili kurrë nuk u dorëzua dhe kurrë nuk rreshti së ëndërruari ndjekjen e rrugës evropiane

Kështu është shprehur ndër të tjera kryeministri Edi Rama sot në konferencën që përuron hapjen e negociatave. Ky pasazh ka rëndësi për të vënë në dukje deri diku formalitetin e integrimit si proces që me hapjen e negociatave merr një aspekt institucional pasi 1.3 milionë shqiptarë pa të drejtë vote askund, kanë marrë udhët e janë në Europë.

Po integrohemi ne që jetojmë në Shqipëri, po bëhemi europianë se edhe helbete bishti na ra. Interesante që z. Rama nuk përdor fjalën komb, por popull, duke na ndihmuar të gjithëve me një alibi rrethanore: populli është kategori më e përgjithshme, kombi implikon disa kode etno-politike. Kështu që mund të themi me “popull” mund të bëjmë çdo gjë, po edhe mundet të ëndërrojmë me sy hapur teksa Moisiu ynë ecën para e na çan udhën e përlavdisë. Duke bërë lungomare, e jo duke çarë dete.

Përtej musakasë duhet thënë se ky njeri nuk ia del dot të mos shtiret një ditë të vetme kur për konveniencë retorike na falenderon të gjithëve që kemi ëndërruar. Ky Ebu Qerim a Mark Alem, shfaqet kështu në sallat e Europës, me një foto vetëdashurimi, ulur në portikun e integrimit, me hipotekën e ëndrrave tona të supozuara në dorë si dhuratë ndaj rospies plakë të cilës i thotë se atë vazhdon ta ëndërrojë zhigoloja i fundit i kontinentit, populli shqiptar.

E vërteta është më pak letrare se kaq: shqiptarët ikën në Europë për bukë, për të mbijetuar, sepse, u arratisën nga vendi ku u lindën e u rritën, të cilin e kanë menduar se e kanë të tyrin, për të mos u bërë lypës.

Europa ishte shpëtimi i një rrethane gjeografike, jo destinacioni i një ëndrre. Sepse ëndrra nuk vjen me hedonizmin e konsumit. Ne kemi këtu një keqkuptim kolosal edhe me idetë e lirisë dhe demokracisë, të cilat nuk kanë asnjë antitrup ndaj cirkut të pseudodemokratëve si z. Rama që është vetë një ndër përgjegjësit e vonesës së përmbushjes së kësaj të ashtuqujture ëndërr, e cila është e udhës të menaxhohet si interes për të shpëtuar edhe nga kjo dalldi hipokrizie.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.