Historia si e tillë është Katastrofë

Postuar në 10 Korrik, 2022 18:47
Intervistoi: Matthieu Giroux

“Anarchéologie”, quhet libri i filozofit Jean Vioulac, për të cilin ai flet në këtë intervistë dhënë për “Marianne”. Tema e rrahur shumë e nënshtrimit ndaj teknologjizimit të shoqërive, pasi kapitalizmi e shpalli atë - pra teknologjinë - një fitore të madhe të njerëzimit, rivjen në këtë libër trajtuar nën apelin e një krize që është evidente. Duket se kapitalizmi ka mbërritur në pikën e tij përfundimtare, pasi nuk ofron më asnjë inovacion: ai zhbëri dhe asgjësoi mitologjitë e mëdha, narrativat monoteiste, racionalizoi në masë shoqërinë, duke krijuar siç thotë autori, jo progres, por katastrofë. Progresi është i makinës, jo njeriut që ka mbërthyer veten në një raport të tillë fatal me teknologjinë, që ndonëse sheh dhe dëshmon shkatërrimin që vjen prej saj, nuk ka interes të shkëputet prej saj. Apo mënyrës sesi e ka vënë veten nën pushtetin e saj.

Në kontekstin e urgjencës që është ky i yni, ju kërkoni t’i riktheni filozofisë pushtetin e vet negativ kritik. Cila është sot sipas Jush, detyra e filozofisë?

Është fillimisht ajo e qartësisë, e luftës kundër të gjitha ndikimeve të mistifikimit. Filozofia u instaurua në Greqi si kundërvënie ndaj mitit, ajo ishte menjëherë një aktivitet demistifikimi: por ajo e ka për detyrë të konstatojë sot, se nën formën e metafizikës, ishte vetë një mistifikim. Është arritja revolucionare e Kantit, i cili përmbushi ndarjen me regjimin e vjetër të filozofisë dhe instauroi regjimin e ri, atë të kritikës.

Por kritika duhet përsëritur pa pushim kundër vetë institucioneve që sigurojnë përçimin e flozofisë. Mendimi nuk qëndron në ajër, ai i dedikohet një numri të caktuar institucionesh: por këto kanë logjikën e tyre, interesat e tyre ideologjike, funksionet e veta sociale, çdo institucion mohon vjetërimin e asaj që ka themeluar legjitimitetin e vet dhe më pastaj mistifikohet. Kjo është arsyeja se pse duhet ta ndajmë filozofinë nga institucionet pozitive që e konfiskojnë, për t’i rikthyer asaj pushtetin e vet negativ të kritikës. Ku edhe mendimi është në thelb anarkik dhe heretik.

Në sytë tuaj, historia njerëzore nuk nis, siç pranohet përgjithësisht, me lindjen e shkrimit, por në Neolit. Çfarë ka kaq të veçantë kjo periudhë sipas Jush?

Kriteri i shkrimit është një kriter historiani, sepse shkrimi bën të mundur arkivën, e cila është veçanërisht e çmuar për rindërtimin e së shkuarës. Por shfaqja e shkrimit, që për shumë kohë, lidhej me një komunitet të vogël social, nuk ka efektin strukturor dhe sistemik të aftë të vërë në lëvizje një proces real brenda komuniteteve njerëzore: për këtë bëhet fjalë kur mendohet për Historinë. Përgjatë më shumë se 300 000 vjetëve, Homo Sapiensi jetoi në grupe të vogla nomadësh gjuetarë-mbledhës, më pas nisi një proces, që në 10 000 vjet ndryshoi faqen e tokës.

Revolucioni neolitik, është momenti ku sedentarizimi dhe jeta në kolektivitet instituojnë një pushtet të ri, pushtetin social, që në një kohë të dytë ushtrohet mbi bimët dhe mandej mbi kafshët. Sedentarizimi i paraprin bujqësisë: dukurisë esenciale, është shfaqja e këtij pushteti të aftë të dominojë natyrën. Ka aty një revolucion autentik, pra një ndryshim të regjimit ontologjik, sa për të rimarrë analizën e Philippe Descola, përmes të cilit, marrëdhënia e njeriut me botën, me kafshën, me hyjnitë, me veten, ndryshon radikalisht.

Duket se ju i atribuoni Neolitit karakteristikat që i atribuohen përgjithësisht modernitetit(njeriu i ri, zot dhe posedues i natyrës etj.)

Të thuash se njeriu bëhet me modernitetin “një zot dhe zotërues i natyrës” është një kundërsens: kjo është pasqyra e kundërt e ideologjisë. Është gjatë Neolitit që njeriu merr në zotërim territore, bimë, kafshë, që e menaxhon botën duke ia përshtatur nevojave të veta: fillim i një procesi të antropocizimit të natyrës që ka transfiguruar të gjitha rajonet e neotilizuara. Qytetërimi i njeriut “zot dhe posedues i natyrës” par excellence, është Roma. Rilindja nuk e instituon në parim njeriun, siç e pretendon këtë humanizmi, ajo instituon në parim matematikën, ajo është gjeometrizim i dijes, përfaqësimit, qytetit, botës, është ky pushtet i numerikes që trupëzohet në dispozitivin makinicist të kapitalizmit, të cilit njeriu i shërben dhe nga i cili është pushtuar.

Sot, në çfarë është zot dhe posedues njeriu? Ai nuk zotëron asgjë, ai i nënshtrohet një pushteti gjigand që është duke shkatërruar tokën dhe shoqëritë. Po kështu, është një gabim perspektive të flasësh për progres kur vjen puna te makinat: ajo çfarë karakterizon historinë e teknikës gjatë dy shekujve, është delegimi permanent te makinat i procedurave, çfarë përkthehet në një dekualifikim masiv teknik të individëve. Ne kemi humbur në pak breza dije dhe aftësi jetike, të fituara me durim gjatë Neolitit. Ne jemi të gjithë të asistuar.

Kundër mbështetësve të ideologjisë së Progresit, ju vlerësoni se Historia njerëzore është ajo e një katastrofe, apo më mirë, nëse ka patur progres, është vetëm ai i katastrofës. Cila është natyra e kësaj katastrofe dhe në çfarë e përkufizon ajo humanitetin tonë?

Konstatimi i katastrofës sot është zyrtar, veçanërisht me shfaqjen e konceptit të antropocenit. OKB-ja publikoi 3 muaj më parë(intervista është dhënë më 27 maj – shënim i ResPublica) një raport që afirmon se njerëzimi ka hyrë në “një siprale vetëshkatërrimi”, libri im merr në pyetje pikërisht këtë "spirale vetëshkatërrimi", sfida këtu është që ta bëjmë atë arkeologji. Të gjitha analizat mbi antropocenin konfirmojnë se ai është efekt i drejtpërdrejtë i Revolucionit industrial. Por ky nuk është asgjë tjetër veçse aplikim i dispozitivit të nevojshëm për riprodhimin e kapitalit dhe këtu qëndron katastrofa: kapitalizmi nuk është më një mënyrë prodhimi, është një mënyrë shkatërrimi.

Progresi është i makinës, jo i njerëzve, ai është në realitet rritja, pra akumulimi i kapitalit. Por ideja që kalimi në bujqësi dhe në mbarështim konstituon një progres, është edhe ajo vetë e vënë diskutim: Revolucioni neolitik i dënoi njerëzit me një punë stërmunduese dhe kështu duke varfëruar dietën e tyre ushqimore, inauguroi erën e epidemive dhe të neurozës, ajo instauroi raportet sociale të shfrytëzimit…Shkenca bashkëkohore konfirmon pra Rousseau-n: Historia si e tillë është një katastrofë.

Në vend se të mendosh katastrofën si rezultat të një anomalie, të një lloj deviance të njerëzimit, ju formuloni hipotezën se ajo është në realitet përmbushja e saj. Si ta kuptosh një propozim kaq radikal?

Rimarr aty një hipotezë të cilën Lacan e formuloi më 1974, kur ai parashikoi se njerëzimi do të asgjësohet nga një virus i krijuar në laborator: hipotezë të cilës aktualiteti ynë i ka dhënë një forcë të re, e ku gjeti “lehtësimin sublim” te zbulimi se njeriu është me të vërtetë mbi natyrën, për shkak se arriti në neutralizimin e të gjithë jetës mbi tokë. Por unë nuk e bëj timen këtë tezë ndaj kthehem për t’u mbështetur te Nietzche. Të thuash se njeriu vjen përmes mohimit të natyrës, përmes denatyrizimit, është të njohësh se ai është një premtim.

Ai është kafsha e cila është larguar rrezikshëm nga logjika e diversifikimit, por pikërisht për këtë ai është qenia e paspecifikuar, ai është një potencialitet: njeriu është premtimi i vetes. Basti i Historisë, që duhet menduar duke nisur nga kategoria e mesianizmit, është përmbushja e premtimit. Katastrofa atëherë do të ishte tradhëtimi i premtimit: se Historia ka zënë vend në bosh dhe se njeriu nuk ka qenë veçse një anomali e përkohshme në evolucionin e majmunëve të mëdhenj.  

Përkthimi dhe hyrja: Skerdilajd Zaimi 

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.