Fotoreporteri i qeverisjes personale

Postuar në 12 Qershor, 2022 15:14

Kryeministri  publikon videon e takimit të Scholz me kryeministrin maqedonas.

Rama publikon foton nga takimi me Mitsotakis.

Kreu i qeverisë publikon foto të takimit në Ukrainë.

Historia e fotoreporterit Edi Rama, në thelb një histori ‘Selfie”-sh politike, mund të vazhdojë pa ndalim. Në fund të fundit politika publike e këtij njeriu e tillë është: fasadë, marketim. Ne nuk dimë asgjë për atë që flitet, për ato që ky njeri kërkon e negocion. Ne nuk kemi më një politikë publike reale, ndonëse pranë këtij individi është atashuar prej më shumë se një dekade një tjetër lloj individi që kujdeset vetëm për të mbuluar atë që ndodh. Endri Fuga, drejton një agjenci tashmë të marrëdhënieve me publikun, pavarësisht si e ka emrin ajo, por që në fakt bën koordinim këshilltarësh publikë, të shndërruar në asgjë më shumë sesa kuratorë imazhi në rrjete sociale të titullarëve të tyre.

Shihni ministren e Jashtme, Xhaçka! Në krye të një dikasteri që ka së fundmi shumë angazhim, por ne nuk arrijmë të shquajmë nëse ky individ ka vallë ndonjë mendim të vetin. Shihni ministren Balluku! Në konferencat e saj për shtyp merr idenë e një dikasteri neurotik, drejtuar nga një njeri që thua nga momenti në moment do i plasin sytë nga ambicia që mezi e përmban brenda vetes.

Shihni ministren Krifca të akademisë së barinjve! Çuçin e punëve të Brendshme!

E gjithë kjo paketë përfaqësimi të askushëve që janë dikushi për shkak të një firme që i duhen z. Rama, plotësojnë kuadrin e një vaniteti vrasës, cinik, të një personi të vetëm, që tani luan "politikë të madhe". Që zgjidh konflikte globale dhe ka ide të pakrahasueshme. Që ndonjëherë zbret edhe ai nga lartësitë ku e ka çuar veten me imagjinatë e shkon në ndonjë rrugë në ndërtim, ecën duke dëgjuar raportimin e ushtarëve të tij ministra, apo sipërmarrësve që qeshin pa arsye, dhe në fund jep këshilla të mençura, të cilat lum ai që i mban shënim e i vë në jetë.

Nuk ka ndoshta vend tjetër në Europë që të funksionojë kështu në rrafsh institucional: ka disa njerëz në këtë vend që dinë shumë më tepër sesa di një ministër, ka gazetarë që janë zëdhënës të mirëpaguar thashethemesh dhe thashethemnaje të politikës dhe krimit, ndërkohë që ka deputetë, fjala e të cilëve – pas dyerve – vlen më shumë se çdo fjalim programatik.

Nuk është kaq i mbyllur as Miku Aleksander në Serbi, që e shohim përherë të prononcohet, të deklarohet, të flasë qetë dhe me takt. Nuk është kaq i mbyllur as Erdogan që mundet edhe të mos flasë. I mbyllur është z. Rama, i cili për ata që e njohin kështu ka qenë që në fillim.

I mbyllur me llogarinë e pasigurisë që përçon kudo, në çdo vendim dhe në çdo akt. I mbyllur për të mos ia lexuar ato që mendon, duke diktuar në këtë mënyrë të vetmen gjë që di: pasigurinë e vetes si parim funksional të partisë dhe qeverisë që drejton. Të gjithë janë nën ethet e asaj çfarë mendon ky njeri, i cili shpërndan sms lajmesh dhe mos-lajmesh, për të cilat duhet të japësh xhevap.

Mbërritja në këtë pikë, kur njeriu që përçmon mbarë shoqërinë ku jeton, me mënyrën sesi vendos dhe drejton, që ka frikë se mos shkel edhe hijen e vet, është logjike, sado absurde duket. Sepse përfaqëson rastin tipik kur struktura mendore dhe psikike e një njeriu, imponohet si filozofi drejtimi në një strukturë politike, e cila tashmë është thjesht shëmbëlltyra e kësaj psikike.

Që njësoj si ajo/ai hesht dhe bën sikur nuk kupton në këmbim të pasurimit dhe interesit meskin që po del sheshit tashmë edhe me të arrestuar për drogë, të shpallur non grata në krye të bashkive, te darkat e Nusretit dhe inceneratorët.

Siguria e vetme që shefi është mirë janë këto fotot dhe videot nga “Lart” që rikonfirmojnë se nuk ka probleme, ato janë ikona e sektit partiak që tashmë ka gjetur lëndën e parë për një histori të re të vetes: atë të liderit Rama. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.